• Allahu nuk e tradhton robin e Tij besimtar në momentet e tij të vdekjes, nuk e devijon. Nëse ai ka qenë i sinqertë me Allahun gjatë jetës së tij, atëherë edhe në momentet e vdekjes Ai do ta forcojë. Prej shpjegimeve të hadithit “Ruaje Allahun, Ai të ruan ty”, është: Allahu ta ruan fenë tënde; kështu, ti ruan kufijtë e Allahut, nuk i shkel ndalesat e Tij, atëherë Ai ta ruan fenë tënde dhe ta ruan atë në momentet kur ke nevojë më së shumti, që janë momentet e vdekjes. Andaj, duhet të përpiqesh të jesh i sinqertë me Allahun me zemrën tënde, të mundohesh të ruhesh nga rënia në mëkate e nëse bie në mëkate atëherë të shpejtosh në kërkim falje tek Ai. Askush nuk është pa gabime. Mirëpo dallimi mes besimtarit të devotshëm dhe të tjerëve është sepse kur ai vepron mëkate shpejton në kërkim falje tek Allahu. Fillimisht ruhet nga mëkatet, por natyra e njeriut është e atillë që patjetër se do të bie në mëkat ndonjëherë, atëherë e pranon gabimin dhe kërkon falje, nuk e arsyeton veten, ngase pranimi i mëkatit është shkak për faljen e atij mëkati, gjejmë në hadith: “unë i pranoj mëkatet e mia” (pjesë e dhikrit që thuhet në mëngjes e mbrëmje). Nëse njeriu është besimtar i mirë, i sinqertë në zemër, i sinqertë me Allahun, e do Atë, e do Islamin, e do Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem etj., atëherë Allahu e forcon në momentet e vdekjes. Devijimi në momentin e vdekjes është si shkak i ndonjë sëmundje të fshehur të zemrës. Kjo duhet të na mbjellë frikë në zemra për fundin tonë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu vazhdon të veprojë vepra të banorëve të xhenetit derisa i afrohet atij sa një kut, pastaj kthehet e vepron vepra të banorëve të zjarrit derisa të hyjë në të.” Në një transmetim thotë: “Vepron vepra të banorëve të xhenetit ashtu siç e shohin njerëzit”, d.m.th.: në sytë e njerëzve ndërsa në zemër ka pasur diçka tjetër. Është me rëndësi që besimtari gjithmonë ta kontrollojë zemrën e tij, se a e ka mirë, a e ka siç kërkon Allahu e siç është i kënaqur Ai apo jo. Zemrës duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi sesa veprave të jashtme. Zemra është baza, thelbi. Nëse ajo është në rregull (siç e kërkon Allahu), atëherë veprat e jashtme të bëjnë dobi, e nëse nuk është në rregull ka mundësi të mos përfitosh shumë prej tyre. Pastroje zemrën tënde prej të gjitha llojeve të shirkut, të madhit, të voglit dhe prej syefaqësisë, gjithashtu pastroje prej sëmundjeve të saj (mendimi i keq për Allahun, lidhja për tjetër kë përveç Allahut, drejtimi me zemër kah krijesat, urrejtja, hasedi, paragjykimet etj.), pastroje prej mëkateve etj. Këtë zemër të besimtarit, Allahu nuk e tradhton në momentet e vdekjes, mirëpo e përforcon, “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër” Ibrahim 27, i forcon me fjalën e shehadetit, në jetën e kësaj bote i forcon që të punojnë sipas saj dhe i forcon që ta thonë në momentet e vdekjes, e në botën tjetër i forcon që të përgjigjen saktë në tri pyetjet në varr. Nëse njeriu ka jetuar në jetën e tij në adhurim ndaj Allahut atëherë edhe fundi do t’i vijë i mirë, dhe po kështu do të ringjallet.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.🎥