Porosi të vogla

Porosia e parë: Të kesh frikë Allahun.

Allahu thotë: “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” Nisa 131. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Muadhit radijAllahu anhu: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh!”

Askush nuk mund të përjashtohet nga kjo porosi, nga fakti që të ketë frikë Allahun, kushdo që të jetë (dijetari, hoxha, xhemati), të gjithë, vazhdimisht.

Kuptimi i frikës ndaj Allahut: ruajtja se çfarë po vepron, se çfarë po flet, se a janë gjëra që i ka ndaluar Allahu dhe Pejgamberi apo i kanë urdhëruar, ashtu siç ruhesh nga vendosja e hapit aty ku ka gjemba ashtu duhet të ruhesh se çfarë vepra po vepron.

Mëkati është një çështje që patjetër do t’i ndodhë njeriut, mirëpo i mençur e largpamës është ai që vazhdimisht vepron vepra të mira që t’i fshihen të këqijat. Disa vepra me të cilat Allahu ia fshin mëkatet dhe dënimin: 1. Pendimi, 2. Istigfari, 3. Bërja e veprave të mira (si: falja e namazit, falja e xhumasë, agjërimi i Ramazanit, bërja e haxhit, abdesi, shkuarja në xhami etj.), e më mirë është që vepra e mirë pas bërjes së veprës së keqe të jetë e llojit të njëjtë (jo më e vogël), e ngjashme me të.

 

Porosia e dytë: Veprat e mira nafile (pas kryerjes së atyre që janë të obligueshme)

Kjo është në varësi të personit dhe të kohës.

Të dashurit e Allahut kryejnë veprat e obligueshme, e pastaj aq sa arrijnë të kryejnë prej veprave të mira vullnetare (nafile). Ata janë dy gradë: 1. Më e larta është kryerja e farzeve dhe nafileve. 2. Më e ulëta është kryerja vetëm e farzeve. Kush kryen farzet shpërblehet, e kush nuk i kryen ndëshkohet. Ndërsa, kush kryen vepra nafile (vullnetare) shpërblehet dhe kjo është mirë, e kush nuk i kryen nuk ndëshkohet. Është e rëndësishme të dallohet rëndësia e farzeve dhe e nafileve. Dijetarët kanë thënë: “Kush merret me nafile duke lënë mangët farzet, është mashtruar (ka gabuar), ndërsa kush kryen farzet duke mos mundur të kryejë nafile, është i arsyetuar.”

Dikujt Allahu i jep mirësinë e kryerjes së një vepre apo disa veprave të caktuara (p.sh.: fal namaz nate, apo agjërim nafile, apo lëmoshë, apo bamirësi), por nuk mund të arrijë disa vepra të tjera. Dikujt i vjen më lehtë një vepër por një tjetër i vjen më rëndë. Dijetarët kanë përmendur se nga veprat nafile (pas kryerjes së farzeve) është falja e namazit (nafile), leximi i Kuranit, dhikri, lutja. Kjo nuk është e përgjithshme, sepse nganjëherë njëra mund të ketë më vlerë sesa tjetra në një kohë të caktuar (si: kur këndohet ezani në këtë moment më me vlerë është dëgjimi dhe përsëritja e ezanit, apo pas namazit të ikindisë më me vlerë është dhikri i mbrëmjes etj.).

Megjithëkëtë, dijetarët janë të një mendimi se vepra më e mirë përgjithësisht pas kryerjes së farzeve është dhikri- përmendja e Allahut, përkujtimi i Tij, madhështimi i Tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kanë prirë el muferridunët!” E kanë pyetur se kush janë dhe ka thënë: “Ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë.” Edhe dhikri dallon sipas kohës, por në përgjithësi kur një besimtar kryen dhikret e caktuara (pas namazit, i mbrëmjes e i mëngjesit, para e pas gjumit, kur del e kur hyn në shtëpi etj.) konsiderohet tek ata që e përmendin Allahun shumë dhe shpesh. Edhe mësimi i të tjerëve është dhikër, edhe ajo që mëson ti është dhikër, ngase mësimet fetare janë të gjitha dhikër.

 

Porosia e tretë: Mbështetu tek Allahu.

Nga veprat më me peshë e më të dobishme, përfituese, është dhe tewekuli (mbështetja tek Allahu) dhe besimi se Ai të mjafton, kjo përherë, kur kërkon prej Allahut furnizim. Mbështetja në Allahun është adhurim i zemrës, ngase bëhet me bindje, duke ia lënë Atij në dorë çdo gjë dhe duke ia drejtuar çështjet tona Atij, “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” Talak 3. Kjo është një cilësi dalluese e besimtarit, se ai çështjet e tij ia dorëzon Allahut e nuk mbështetet te vetja e tij.

Njerëzit gabojnë kur thonë “Duhet pasur besim të vetja”, apo “Kam besim te vetja”. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O Allahu, mos lejo të mbështetem në veten time as sa hapja e mbyllja e syrit!” Njeriu është i dobët, andaj çështjet duhet t’ia dorëzojë Allahut dhe të mbështetet tek Ai.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur në mëngjes: “O Allah, më jep dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara!” Duhet lutur Allahun dhe duhet ndërmarrë shkaqet. Allahu ka thënë në Kuran: “Luteni Allahun që t’iu japë nga mirësitë e Tij”, dhe “kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut” Xhumah 10.

Pastaj pasi të mbështetesh në Allahun, të lutesh dhe të veprosh shkaqet, atëherë të mos e marrësh me lakmi të madhe e koprraci fitimin e punës (jo sikur është gjithçka për të). Nëse e konsideron pasurinë në formën duke mos ta ndien shumë për të, por punon sa të duhet (brenda nevojave të tua), atëherë Allahu do të të dërgojë bereqet dhe do të kesh përfitim të madh nga ajo që fiton.

Kanë thënë disa prej gjeneratave të mëhershme: “Ti ke nevojë për dunja, për gjërat e kësaj jete, të punosh për to, t’i fitosh atë (në formë të lejuar), por përveç kësaj, dije se për ahiret ke nevojë më shumë dhe hisja jote në ahiret është më e madhe, më kryesore.” Dije se Allahu ka thënë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. 58. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi” Dharijat 56-58. Allahu është Furnizuesi dhe furnizimi jonë nuk është te njerëzit. Sa gabim është kur njeriu mbështetet te njerëzit! Sa gabim është kur frikësohet prej punëdhënësit, apo prej atij që e ndihmon, që të mos e hidhërojë! Po atyre kush iu dha?! Allahu edhe atyre edhe atij ia ka caktuar rrizkun akoma pa lindur.

 

Porosia e katërt: Kërkimi i dijes (mënyra).

Kërko dituri e cila është e dobishme, që është nga trashëgimia e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem sepse kjo meriton të quhet dituri. Përmbaju Kuranit e hadithit. E jo filozofirave.

Mundohu të dish se çfarë ka pasur për qëllim Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka dhënë urdhër për diçka, apo kur ka ndaluar prej diçkaje. Kjo është shumë me rëndësi. Pastaj përmbaju atij qëllimi dhe mos iu largo.

Përpiqu të merresh me një lëmi të caktuar të haditheve.

Nëse has në mospajtime mes dijetarëve dhe nuk di se si të veprosh, atëherë lute Allahun që të të udhëzojë të marrësh më të saktën e më të vërtetën.

Kërko udhëzim dhe ndihmë prej Allahut. Në hadith kudsij Allahu thotë: “O robërit e mi, të gjithë ju jeni në devijim përveç atyre që Unë i kam udhëzuar!” Jo se ata e kanë udhëzuar vetveten, jo se ata kanë arritur që zemrat e tyre t’i drejtojnë kah e vërteta, por Allahu i ka në dorën e Tij zemrat e njerëzve, Ai është që ua jep udhëzimin.

Pastaj, kërko prej Allahut të të shtojë diturinë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur pas namazit të sabahut (në dhikrin e mëngjesit): “O Allah, kërkoj nga Ti të më japësh dituri të dobishme, rrizk të mirë dhe vepër të pranuar!” Çdo ditë kemi nevojë të dimë se çfarë të veprojmë në lidhje me situatat që hasim para.

 

Hoxhë Jeton Bozhlani – Transkriptim.

 

 

 

 

Madhësia e tekstit