Edukata me komshiun
I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Xhibrili vazhdimisht më porosiste për mirësjellje ndaj komshiut, saqë mendova se do ta bënte trashëgimtar timin.” Në të tjera hadithe ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit le ta nderojë komshiun e tij.” Dhe: “Nuk është besimtar i plotë ai i cili nuk e lë të sigurt prej të këqijave të tij komshiun e vet.” Dhe: “Nuk është besimtar plotësisht ai që ngopet ndërsa komshiu i tij është i uritur.”
Islami nuk bën dallime ndër komshinj për nga përkatësia që kanë. Dijetarët e Islamit kanë përmendur se janë tri lloje të komshinjve që gjithsesi duhet pasur mirësjellje ndaj tyre:
- Komshiu i afërm, familjar, musliman. Ndaj tij janë tri detyra: si i afërm, si musliman dhe si komshi.
- Komshiu musliman. Ndaj tij janë dy detyra: si komshi dhe si musliman.
- Komshiu jomusliman. Ndaj tij është një detyrë: si komshi.
Gjeneratat e hershme kanë qenë të kujdesshëm ndaj të gjithë komshinjve. Abdullah ibn Amr radijAllahu anhu përcillet se kur ka therë kafshë për ushqim në familjen e tij, ka pyetur se a u kanë dhuruar një pjesë të mishit fqinjëve të tyre hebrenj.
Arsyeja se pse Islami i kushton kaq rëndësi të madhe komshiut është lidhja me të nga me shumë gjëra, si: afërsia me banim ku në këtë rast kontakti është i shpeshtë gjatë hyrjeve e daljeve.
Mirësjellja ndaj komshiut bëhet përmes:
-bamirësisë ndaj tij,
-ndihmës ku ka nevojë,
-mosshkaktimit dëm atij.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka besuar plotësisht ai prej të cilit fqinji i tij nuk është i sigurt nga dora dhe gjuha e tij.” Nuk e ka arritur imanin e plotë ai prej të cilit komshiu i tij nuk e ndjen veten të sigurt prej veprimet e tij.
Muslimani duhet gjithmonë ta ketë nën konsideratë të drejtën ndaj komshiut, mirësjelljen ndaj tij dhe të mos shkaktojë tek ai as më të voglin shqetësim e dëm.
Hoxhë Jeton Bozhlani – Transkriptim.