Shtatë persona Allahu do t’i strehojë nën Hijen e Tij në Ditën e Gjykimit

Shtatë persona Allahu do t’i strehojë nën Hijen e Tij në Ditën e Gjykimit

 

النبي-صلى الله عليه وسلم- قال: سبعة يظلهم الله في ظله يوم لا ظل إلا ظله: الإمام العادل، وشاب نشأ في عبادة ربه، ورجل قلبه معلق في المساجد، ورجلان تحابا في الله اجتمعا عليه وتفرقا عليه، ورجل طلبته امرأة ذات منصب وجمال، فقال: إني أخاف الله، ورجل تصدق أخفى؛ حتى لا تعلم شماله ما تنفق يمينه، ورجل ذكر الله خاليًا ففاضت عيناه .

 

Pejhamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë shtatë persona (kategori të njerëzve) të cilët Allahu do t’i fusë nën hijen e Tij atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër: udhëheqësi i drejtë, i riu që është rritur në adhurim ndaj Allahut, ai zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë, dy persona që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, janë bashkuar për hir të Tij dhe janë ndarë për hir të Tij, ai të cilin e thërret një grua me pozitë dhe e bukur që të bëjë imoralitet me të e ai thotë “Unë i frikësohem Allahut”, ai që jep lëmoshë fshehtas, dora e tij e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e djathtë dhe ai që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë.” Buhariu dhe Muslimi.

 

 

Qëllimi me Hijen e Allahut është: Hije që e krijon Allahu,  hije e Arshit të Tij, e nuk është Hije e Allahut.

 

  1. Udhëheqësi i drejtë – الإمام العادل.

Ky do të jetë njeriu i cili do të qëndrojë më së afërmi Allahut në  Ditën e Gjykimit, njeriu që i përmbahet drejtësisë do të ketë pozitën më të lartë. Në një hadith ka ardhur: “Vërtet ata që i përmbahen drejtësisë, Ditën e Gjykimit do të qëndrojnë në anën e djathtë të të Gjithëmëshirshmit dhe do të jenë në minberë (vend i lartë) prej dritës, e dy Duart e Allahut janë të djathta. Këta janë ata të cilët i përmbahen drejtësisë kur gjykojnë për diçka dhe u përmbahen drejtësisë në familjet e tyre dhe në çdo gjë që u besohet atyre.”  Imami i drejtë, është më meritori të futet në këtë hadith.

Ky hadith që pari i përfshinë ata që kanë pushtetin, që udhëheqin popullin, e gjithashtu dhe ata që kanë udhëheqësi më të vogël sesa kjo, si: kryefamiljari në shtëpinë e tij me familjen e tij, apo ndonjë udhëheqësi tjetër me përgjegjësi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini frikë Allahun dhe mbani drejtësinë mes fëmijëve tuaj!”

Dobia e udhëheqësit të drejtë të popullit nuk kufizohet vetëm tek ai, por i përfshinë të gjithë ata (kur përmirësohet udhëheqësi përmirësohet edhe umeti).

 

  1. I riu që është rritur në adhurim ndaj Allahut – وشاب نشأ في عبادة ربه.

Ai nuk e ka kaluar rininë e tij në dëfrime e lojëra. I riu duhet shumë ta luftojë veten që të jetë i drejtuar në rrugën e Allahut. Nëse Allahu i jep sukses një të riu që rininë e tij ta kalojë në adhurim ndaj Allahut, të jetë në rrugën e drejtë dhe të largohet nga rrugët devijuese, këtij i ka dhënë një mirësi shumë të madhe. Është veçuar rinia këtu ngase ajo është një fazë shumë kritike e jetës së njeriut. Në një hadith ka ardhur se njeriu në Ditën e Gjykimit nuk do të lëvizë nga vendi derisa të pyetet për katër gjëra, prej tyre ka përmendur “për rininë e tij se si e ka shfrytëzuar”. Dhe ka thënë në një tjetër hadith: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave“, në mesin e tyre përmend “rininë tënde para se të të vijë pleqëria”. Andaj, këtë fazë kritike dhe shumë të rëndësishme të jetës, i riu duhet ta shfrytëzojë në adhurim ndaj Allahut. Së pari të kërkojë ndihmë tek Allahu që ta ndihmojë në realizimin e kësaj gjëje. Pastaj kësaj duhet t’ia shtojë përpjekjen.

 

  1. Ai zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë – ورجل قلبه معلق في المساجد.

Kuptimi i kësaj është: kur del prej xhamisë, vazhdimisht zemra e tij është e lidhur për të, ka dashuri e pasion për t’u kthyer prapë aty për adhurim. Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë, aq shumë e do atë saqë kur del dëshiron sa më shpejt që të kthehet në të”. Kjo tregon për pozitën e lartë e madhështore që kanë xhamitë tek Allahu. Allahu thotë: “Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje, burra, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahut dhe të cilët falin namazin…” Nur 36-37. Kur njeriu i kushton rëndësi të madhe xhamive, njeh pozitën e lartë të tyre në Islam dhe është i vazhdueshëm e i kujdesshëm në faljen në to, do të arrijë të shijojë ëmbëlsinë e adhurimit, e zemra e tij do të jetë e qetë gjithmonë. Namazi në xhami është një qetësi për zemrat e besimtarëve. Vendet që i do Allahu më së shumti janë xhamitë (siç ka ardhur në hadith).  Allahu i do ata që falen nëpër xhamia (namazin me xhemat). Lumë për atë zemra e të cilit është e lidhur për xhami, i kushton rëndësi kësaj dhe përpiqet që të jetë i vazhdueshëm në faljen në xhami. Nuk duhet kuptuar këtë hadith në formën se ai kurrë nuk del prej xhamisë, përkundrazi, del dhe vazhdon për në shtëpi, në punë, merret me çështjet që ka, por që këto nuk i bëhen pengesë në dashurinë ndaj xhamive, nuk i bëhen shkak që të humbasë dashurinë e mallin për xhamitë. Gjatë këtyre punëve e lëvizjeve që ka, zemra e tij ka dashuri për xhaminë dhe do që sa më shpejt të kthehet të kryejë namazin e radhës në të.

 

  1. Dy persona që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, janë bashkuar për hir të Tij dhe janë ndarë për hir të Tij – ورجلان تحابا في الله اجتمعا عليه وتفرقا عليه.

Dashuria për hir të Allahut është nyja në e fortë e besimit, siç tregohet në hadith “Nyja më e fortë e besimit është të duash për hir të Allahut dhe të urresh për hir të Tij.” Dhe: “Kush do për hir të Allahut apo urren për hir të Tij dhe jep apo nuk jep për hir të Tij, ai e ka plotësuar besimin e tij.” “Kush i ka tri cilësi do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit: të jetë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashurit për të sesa çdokush tjetër, të dojë veçse për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në mosbesim pasi e ka shpëtuar Allahu prej tij ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”  Dashuria për hir të Allahut mes dy personave tregon për besimin e tyre të fortë në Allahun. Kur dy persona duhen për hir të Allahut, kjo do të sjellë rezultate madhështore në jetët e tyre, si: do të ndihmohen mes vete, do të bashkëpunojnë, do t’i bëhen krahë njëri-tjetrit, në vepra të mira, me të cilat arrihet devotshmëria dhe kënaqësia e Allahut. Dobitë janë të mëdha, sidomos kur zemrat e tyre janë të dëlira dhe kur dashuria është e pastër e pa interese të kësaj dunjaje. Dashuria për shkak të intereseve të kësaj dunjaje përfundon kur përfundojnë ato, “Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.” Bekare 166. Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun Zukhruf 67. Dashuria për hir të Allahut arrihet kur besimtarët mundohen në maksimum për pastrimin e zemrave të tyre karshi njëri-tjetrit, nga urrejtja, zilia, përgojimi, dashakeqësia, përqeshja, nënçmimi, tallja, paragjykimet etj.  Këto gjëra e dobësojnë këtë dashuri, deri në tretje, Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” Huxhurat 10.

 

  1. Ai të cilin e thërret një grua me pozitë dhe e bukur që të bëjë imoralitet me të, e ai thotë “Unë i frikësohem Allahut” – ورجل طلبته امرأة ذات منصب وجمال، فقال: إني أخاف الله.

Cilësia që po përmendet këtu është frika ndaj Allahut. Ajo është gjëja kryesore që pengon për veprimin e mëkateve. Andaj, dijetarët kanë pajtueshmëri mes tyre se gjëja më e madhe që ndalon nga rënia në mëkate është dija e bindja se Allahu të sheh. Aq më e fortë të jetë kjo bindje aq më shumë do të ruhesh prej mëkateve. Kështu, e di se Allahu është lartë por është duke të të parë, e di se dënimi i Tij është shumë i madh, se Atij nuk i fshihet asgjë, as vepër, as lëvizje e as fjalë, gjithashtu as ajo që është në zemra. Kjo frikë bazohet dhe ndërtohet mbi dijen që ka personi për Allahun, për Emrat e cilësitë e Tij. Sa më e madhe të jetë kjo dije aq më e madhe është dhe frika ndaj Tij. Kur ia kujton vetes se Allahu është Mbikëqyrës, Dëshmitar, që sheh e dëgjon çdo gjë në qiej dhe tokë, kjo pa dyshim do të bëhet pengesa kryesore në frenimin ndaj mëkateve. Në këtë hadith janë bashkuar disa gjëra: gruaja që e ka ftuar për të bërë imoralitet me të ka qenë me pozitë në shoqëri (e njohur), e pasur, ka qenë e bukur (e dalluar nga femrat e tjera), kështu joshja është më e madhe për të rënë në mëkat, dhe se ajo vetë e ka ftuar për të bërë imoralitet, e megjithatë ai i ka thënë: “Unë i frikësohem Allahut!” Dijetarët kanë thënë se qëllimi me këtë fjalë është se personi ose ia thotë vetes (në zemër): “Ke frikë Allahun, kujto dënimin e Tij…”, ose ia thotë asaj (në mënyrë që t’ia kujtojë vetes dhe që ta paralajmërojë atë femër që ta ketë frikë Allahun edhe ajo).

 

  1. Ai që jep lëmoshë fshehtas, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e tij e djathtë – ورجل تصدق أخفى؛ حتى لا تعلم شماله ما تنفق يمينه.

Këtu merret shembull se sa shumë është munduar të fshehë lëmoshën e tij. Te muslimanët e parë, kishte ndër ta që ka shkuar te një tregtar i varfër, për të blerë një produkt prej tij, edhe pse nuk kishte nevojë për ta blerë, por qëllimi i tij ishte që ta ndihmonte. Jo vetëm që e ka blerë, por ka shtuar në çmim, i ka thënë: “U gëzova që e gjeta këtë gjë tek ti, qenka shumë e mirë, po të jap më shumë sepse më pëlqen dhe e meriton”, duke folur fjalë të tilla të mira ndaj tij. Kjo në pamje të parë ishte shitblerje, porse qëllimi i tij (mes tij dhe Allahut) ishte lëmosha, duke dashur ta ndihmojë atë të varfër në këtë mënyrë.  Ky aq shumë e ka fshehur këtë lëmoshë saqë edhe ai që ia ka shitur atë produkt nuk e ka kuptuar se ishte lëmoshë e ndihmë për të. Fshehja e lëmoshës është provë se personi që e jep atë është i sinqertë në të, larg syefaqësisë, larg dëshirës për vëmendje, larg dëgjimit për veprat e tij nga të tjerët e pastaj që ta lavdërojnë etj.  Po ashtu është dëshmi se ai është duke e luftuat veten e tij e cila i dëshiron lëvdatat, apo që të tjerët të dinë për lëmoshën e tij e pastaj ta lavdërojnë. Andaj, kur e fsheh, kjo tregon se ai ka arritur të fitojë betejën me nefsin e tij, duke arritur që atë vepër ta kryejë për hir të Allahut, me synim arritjen e kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut. Ky hadith përfshin çdo lëmoshë, e paktë apo e shumtë, porse e dhënë me sinqeritet.

 

  1. Ai që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë i lotojnë – ورجل ذكر الله خاليًا ففاضت عيناه.

Syri i besimtarit loton nganjëherë prej frikës ndaj Allahut, kur kujton madhështinë e dënimin e Tij, nganjëherë loton prej mallit që ka për Atë, nganjëherë për shkak të turpit që ka ndaj Tij etj. Në një transmetim tjetër të këtij hadithi qëndron: “…dhe një njeri që e kujton Allahun në vetmi dhe i lotojnë sytë për shkak të frikës ndaj Tij.” Kështu, kur mediton në veprat e tij dhe sheh mangësitë e veta, andaj loton. Allahu thotë: “…dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre…” Muminun 60. Dijetarët thonë se nuk është qëllimi vetëm dhënia prej pasurisë, por prej të gjitha veprave, adhurimeve. Besimtari kur shton veprat e mira dhe adhurimet nuk duhet të ndihet i sigurt, përkundrazi, cilësi e besimtarit të mirë është që sa më shumë që shton prej tyre aq më shumë i shtohet frika ndaj Allahut. Hasan el Basriu ka thënë: “Besimtari bën bashkë mes veprave të mira dhe frikës.”

 

Këto që thamë lënë gjurmë në zemrën e besimtarit dhe ndikojnë që ajo të zbutet, e si rezultat pastaj kjo do të bëjë që nga sytë e tij të dalin lotë.

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në këtë hadith përmend këto cilësi madhështore në mënyrë që të na nxisë t’iu kushtojmë rëndësi duke arritur që të jemi prej atyre që do të hyjnë nën Hijen e Allahut në Ditën e Gjykimit.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit