Kam besuar Allahun, pastaj qëndro i pa luhatur
Transmetohet nga Ebu Amri Sufjan ibn Abdilahit se ka thënë: “I thash: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj një fjalë rreth fesë Islame për të cilën nuk kam nevojë të pyes dikë tjetër pas teje!'” Më tha: “Thuaj: “Kam besuar Allahun” pastaj qëndro i paluhatur në këtë!” Muslimi. Hy hadith përmban porosi e këshillë profetike për këtë umet. Në këtë këshillë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmbledhur tërë fenë, ngase atij i janë dhënë fjalët përmbledhëse. Kjo fjalë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem është përfituar prej fjalëve të Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar” Fussilet 30. “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja).” Ahkaf 13. “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty…“ Hud 112.
Qëllimi është: Kam besuar Allahun me besim të saktë, të drejtë, kam vepruar punë të mira e të sakta dhe në to kam qenë i sinqertë dhe gjithashtu kam folur fjalë që i do Allahu dhe është i kënaqur me to. Kjo fjalë përfshin: fjalët, veprat dhe çështjet e besimit. Në këtë porosi është përfshirë e gjithë feja. Këtu është fjala për besimin në kuptimin fetar (sheriatik), i cili është besim me zemër, thënie me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë.
Pas besimit thotë “…pastaj qëndro i pa luhatur në këtë!” Qëndrimi fort në rrugën e drejt është prej besimit. Kur thuhet “kam besuar Allahun” kjo kërkon veprim. Nuk ka ndarje mes këtyre dy gjërave (besimit dhe qëndrueshmërisë).
Ky qëndrim i pa luhatur do të thotë: të veprosh vepra të mira, adhurime, obligimet, të largohesh prej veprave që shkaktojnë zemërimin e Allahut, të ndërmarrë ato shkaqe që e forcojnë të qëndrojë fort në rrugën e Allahut, të ndjekë sunetin, të veprojë vepra me sinqeritet etj. Ndërsa ai që tregohet neglizhent dhe i mangët sa i përket obligimeve nuk llogaritet se qëndron i pa luhatur në rrugën e drejtë.
Ky hadith gjithashtu tregon për kujdesin e madh të sahabëve në përfitimin e dijes.
Njeriu vazhdimisht duhet të analizojë veten se a është duke qëndruar fort në rrugën e Allahut. Nëse gjen se po, atëherë ta falënderojë shumë Allahun dhe ta lusë Atë që ta forcojë më tej. E nëse gjen se ka devijime, atëherë është obligim për të që të drejtohet në rrugën e drejtë. Kushdo që e vonon namazin duke e falur pas kohës, nuk është mustekim (që qëndron fort në rrugën e Allahut), as ai që nuk e jep zekatin, as ai që sulmon të tjerët në nderë e pasuri, as ai që mashtron në shitblerje etj. El istikame – qëndrimi pa luhatur në fe, është një cilësi gjithëpërfshirëse, që i përfshinë të gjitha veprat.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.