Këshilla të dobishme 63

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Tis’ke mundësi t’i kënaqësh të gjithë njerëzit, andaj përmirësoje gjendjen mes teje e Allahut dhe mos u merakos për ta!” Teuali Et-Te’nis, ibn Haxheri.

 

  • Përse e kemi për detyrë ta mësojmë teuhidin?
  1. Sepse Allahu i krijoi xhinët dhe njerëzit për të.
  2. Sepse Allahu nuk pranon asnjë vepër në të cilën nuk ka teuhid.
  3. Sepse në Xhenet hyjnë vetëm pasuesit e teuhidit.
  4. Nëpërmjet teuhidit shpeshtohen veprat e mira.
  5. Dhe fshihen mëkatet.
  6. Nëpërmjet teuhidit arrihet qetësia shpirtërore.
  7. Teuhidi është shkak që njeriu të arrijë ndërmjetësimin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në botën tjetër.
  8. Nëpërmjet teuhidit arrihet udhëzimi dhe siguria.
  9. Teuhidi është prej shkaqeve më madhështore që e çlirojnë mendjen e njeriut nga nënshtrimi e robëria ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, nga besëtytnitë, konceptet e shtrembëta e nënshtrimi ndaj idhujve, gurëve, pemëve, të vdekurve, etj. “Muhimmatu Et-Teuhid”.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Teuhidi është e drejta e obligueshme e Allahut mbi njerëzit. Ai është urdhri fetar më madhështor e më i rëndësishëm, është themeli i të gjithë themeleve dhe baza e veprave.” El-Kaul Es-Sedid.

 

  • Malik ibn Dinar (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush i mposhtë epshet e kësaj bote, shejtani do të frikohet edhe nga hija e tij.” “Dhemm El-Heua”.

 

  • Allahu i Lartësuar tregon se Ibrahimi (alejhis-selam) i kishte thënë babait të tij, që ishte idhujtar dhe gdhendte idhuj: “O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!” (Merjem, 43). Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk i tha: “Ti je i paditur dhe nuk di gjë, mirëpo në vend të kësaj përdori shprehjen më të butë.” Bedai’u El-Feua’id.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pikëllimi e dobëson zemrën, e ligështon vendosmërinë dhe i dëmton synimet e njeriut. S’ka gjë më të dashur tek shejtani sesa pikëllimi i besimtarit. Në Kuran lexojmë: “Intrigat e fshehta vijnë vetëm nga djalli, për t’i dëshpëruar besimtarët.” (El-Muxhadileh, 10) (“Tarik El-Hixhratejn”, 1/279).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ki kujdes e mos zbraz zemrën nga dashuria ndaj Allahut të Lartësuar, apo ta mbushësh atë me dashuri ndaj tjetërkujt përveç Tij, sepse Allahu i Lartësuar xhelozon kur zemra e robit të Vet ia kthen shpinën dashurisë ndaj Tij. Allahu të ka krijuar për Veten dhe të ka zgjedhur në mesin e krijesave.” “Reudatu El-Muhibbine”.

 

  • Salih ibn Xhenah Ed-Dimeshkij (Allahu e mëshiroftë) e porositi djalin e tij: “O djali im! Nëse pas përfundimit të ditës dhe të natës të ka shpëtuar feja, trupi, pasuria dhe familja, atëherë shpeshtoje falënderimin e Allahut të Lartësuar, sepse sa e sa njerëz në atë ditë kanë mbetur pa fe, sa e sa njerëz kanë mbetur pa pronë, sa e sa njerëzve u është hequr mbulesa e Allahut, sa e sa njerëzve i është thyer kurrizi, ndërkohë që ti ishe në mirëqenie!” Sijer A’lam En-Nubela’.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “S’ka lutje më të mirë që e bën njeriu sesa lutja: “O Allah! Më jep mirëqenie në këtë botë dhe në botën tjetër!” (Es-Sahiha, 1138).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kënaqësia e ndaluar është e përzier me shëmti gjatë kohës kur njeriu e përdorë atë, ndërsa pas përfundimit, ajo pas vete lë dhimbje (shpirtërore). Nëse vetja të nxitë shumë drejt saj, ndalu dhe mendo thellë se si ajo (kënaqësi) do të ndërpritet dhe do të mbetet shëmtia e dhimbja e saj. Pastaj krahaso mes këtyre dy gjërave dhe shiko se çfarë dallimi kanë mes vete.” “El-Feuaid”.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ka prej njerëzve që i përgojojnë të tjerët për t’ua bërë qejfin atyre me të cilët është ulur, apo shokëve, apo farefisit, edhe pse e di se personi i përgojuar është i pastër nga ajo që thonë për të, apo i ka disa prej atyre gjërave. Megjithatë, ai e di se nëse i qorton për një gjë të tillë, ndeja do të ndërpritet, të pranishmit do ta konsideronin si njeri monoton dhe do të irritoheshin prej tij. Kështu, ai mendon se pajtimi me veprimin e tyre është prej sjelljes dhe shoqërimit të mirë. Disa të tjerë, përgojimit i japin kahje të llojllojshme; në disa raste i japin kahje fetare dhe përmirësuese. Për shembull thotë: “Nuk e kam shprehi ta përmendi askënd, veçse për të mirë, dhe unë nuk e dua përgojimin e as gënjeshtrën, mirëpo vetëm po ju tregoj për gjendjen e tij.” Pastaj thotë: “Betohem në Allahun, ai është njeri i ngratë, apo njeri i mirë, mirëpo e ka këtë e atë.” Apo ndoshta thotë: “Mos na e përmendni, Allahu na faltë neve dhe atë!”, mirëpo qëllimi i tij është ta nënçmojë dhe t’ia ulë pozitën. Kësisoj, këta njerëz, përgojimit i japin kahje përmirësuese e fetare, duke u munduar ta mashtrojnë Allahun nëpërmjet kësaj, ashtu siç e mashtrojnë krijesën. Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të talljes e të dëfrimit, në mënyrë që t’i bëjnë të qeshin të tjerët nëpërmjet talljes ndaj atij që e përgojojnë, apo imitimit, apo nënçmimit. Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të çuditjes. Për shembull thotë: “Çuditem me filanin se si nuk e bën këtë e atë!”, apo: “Çuditem me filanin se si ka rënë në këtë e atë vepër”, kështu përgojimin e bëjnë duke i dhënë ngjyrë çudie. Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të zemërimit dhe ndalimit të së keqes. Në këtë sferë shfaqen gjëra të ndryshme prej thënieve të zbukuruara, mirëpo qëllimi i tij është tjetër nga ajo që e shfaqë. Nga Allahu kërkojmë ndihmë!” “Mexhmu’ul-Fetaua”.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo vit që kalon, iu afron një vit më shumë drejt varrit dhe iu largon një vit më shumë nga pallatet tuaja.” Ed-Dija’u El-Lami’.

 

  • Hasen ibn Alij (radijAllahu anhuma) thoshte: “Vini re! Ata që ishin para jush, vargjet e Kuranit i konsideronin si mesazhe nga Zoti. Andaj, natën mendonin thellë rreth tyre, ndërsa ditën përpiqeshin e hulumtonin ku t’i zbatonin ato.” Et-Tibjan.

 

  • “Ai (Allahu) është Falësi i madh dhe është shumë i dashur.” (El-Buruxh, 14). “Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Hud, 90). Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sa i mrekullueshëm e i thellë që është bashkimi i emrit të Allahut “El-Uedud” (Shumë i Dashur) me emrin “Er-Rahim” (Mëshirëploti) dhe “El-Gafur” (Falësi i Madh)”! Ndodh që njeriu ta falë atë që i ka bërë keq, mirëpo nuk e do më, dhe po ashtu, ndodh që e mëshiron atë që nuk e do. Mirëpo, Zoti i Lartësuar e fal dhe e mëshiron robin kur i kthehet me pendim Atij, dhe gjithashtu e do atë. Kur robi i kthehet me pendesë Allahut, Ai e do atë, pavarësisht se çfarë ka bërë më herët.” “Et-Tibjan”.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Zemrat janë të mbushura me mbetje (përzierje) të dëmshme. Kështu që, ilaç për to janë adhurimet (ndaj Allahut), përmendja e Tij dhe kërkimi i mbrojtjes nga Ai.” “Et-Tibjan”.

 

  • Pyetje: “Disa thonë se kush frikohet nga mësyshi, është prej njerëzve më të ekspozuar ndaj tij. Sa është e vërtetë kjo thënie?” Përgjigje: “Mësyshi është i vërtetë” – siç tha Prfoeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) – “dhe sikur diçka t’i paraprinte kaderit (caktimit të Allahut), ai do të ishte mësyshi.” Megjithatë, muslimani duhet t’i mbështetet Allahut, e të mos ia hap vetes derën e gjërave joreale dhe të frikës. I mbështetet Allahut, e shpeshton përmendjen e Tij në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe këto vesvese e obsesione nuk do ta dëmtojnë. Ai nuk duhet ta konsiderojë si mësysh çdo gjë që i shfaqet gjatë jetës. Ai duhet të durojë, të mbështetet tek Allahu dhe ta shpeshtojë përmendjen e Tij. Gjithashtu, së bashku me mbështetjen tek Allahu, ai duhet t’i marrë edhe shkaqet e shërimit që kërkohen nga ai, të cilat ndikojnë me lejen e Allahut.” Shejh Salih El-Feuzan, faqja zyrtare e tij.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kohëve të fundit janë shpeshtuar iluzionet dhe imagjinatat e njerëzve se kinse çdo gjë që i godet është nga mësyshi, apo magjia apo xhinët. Madje edhe kur ndonjëri prej tyre goditet nga rrufja (flama), thotë: “Kjo është mësysh, apo magji.” Këto mendime janë të gabuara. O musliman! Lëri të gjitha këto dhe mbështetu tek Allahu. Mos u bëj vesves me to, në mënyrë që këto gjëra të hiqen prej teje; sepse kur njeriu vazhdimisht i mban mendtë te diçka, atëherë angazhohet me të dhe s’mund t’i largojë mendimet prej saj. E, nëse nuk i kushton vëmendje dhe e lë atë, nuk preket nga shqetësimet.” Nurun ala Ed-Derb.

 

  • “Dijeni se nuk ka rob musliman që i shpeshton salavatet për Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), veçse Allahu:

do t’ia ndriçojë zemrën,

do t’ia falë mëkatet,

do t’ia zgjerojë kraharorin dhe

do t’ia lehtësojë çështjet.”Andaj shpeshtojini salavatet për të, me shpresë që Allahu t’ju bëjë ithtarë të miletit të tij, pasues të mirëfilltë të sunetit të tij, dhe me shpresë që ta bëjë atë shoqëruesin tonë në Xhenet.” Ibn El-XHeuzij, “Bustan El-Ua’idhin”.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mëkati është sikur diçka që nuk i ndahet njeriut. Andaj, i zgjuar është ai që vazhdimisht kryen vepra të mira, të cilat ia fshijnë veprat e këqija.” “Mexhmu’ul-Fetaua”.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshirotftë) shkruan: “Njeriu i mençur le ta dijë se, ata që janë të varur nga epshet, do të kalojnë në një gjendje gjatë së cilës nuk ndiejnë kënaqësi, e megjithëkëtë, nuk mund të shkëputen prej tyre (epsheve).” Raudatu El-Muhibbine.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fëmija i jep përparësi asaj që e dëshiron, edhe nëse ajo e çon drejt shkatërrimit, për shkak të aftësisë së dobët të arsyetimit. Ai që nuk ka fe i jep përparësi asaj që e dëshiron, edhe nëse ajo e shkatërron në botën tjetër, për shkak të aftësisë së dobët të arsyetimit.” Raudatu El-Muhibbin.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kushdo që e pason të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), Allahu atij i mjafton, e udhëzon, e ndihmon dhe e furnizon; dhe atij i përket një hise nga ajeti: “Mos u mërzit, se me të vërtetë, Allahu është me ne!” (Et-Teube, 40). El-Ka’idetu El-Xheliletu.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mos thoni: “Çfarë do (deshi) Allahu dhe filani”, por thoni: “Çfarë do (deshi) Allahu, pastaj filani.” “Sahih Ebi Davud”.

 

  • Nga Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtetë, besimi hahet (vjetrohet) në zemrat tuaja, ashtu siç vjetrohet rroba. Andaj, luteni Allahu e Lartësuar t’ua përtërijë besimin në zemrat tuaja!” Es-Sahihah, 1585. El-Munavij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Rroba shtirret ose për shkak të kualitetit të dobët, ose për shkak të përdorimit të shumtë të saj. Kështu është edhe me besimin; ai nuk rri vetëm në një gjendje. Ai dobësohet dhe liget për shkak të mosbindjeve e mëkateve të shumta, për shkak të largimit nga përmendja e Allahut të Madhërishëm, për shkak të veprave të mira të pakta dhe për shkak të mos përtëritjes së pendimit pas mëkateve dhe veprave të këqija. Njeriu e thotë fjalën e besimit (la ilahe il-lAllah), pastaj e ndytë atë me veprat e tij të këqija. Mirëpo, nëse kthehet e pendohet, atëherë ai e ka përtërirë atë që i është vjetruar dhe e ka pastruar atë që i është ndyrë.” Fejdu El-Kadir.

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Madhësia e tekstit