Ruajtja dhe humbja e kohës gjatë Ramazanit
Përse duhet ta ruajmë kohën gjatë Ramazanit? Pse u bëjmë thirrje edhe të tjerëve në këtë? Janë disa arsye që na bëjnë t’i kushtojmë vëmendje kohës në përgjithësi, e në veçanti gjatë Ramazanit, si:
-Muaji i Ramazanit është prej kohëve më me vlerë, më të mira, siç transmetohet nga brezat e parë të Islamit se kanë thënë: “Ai është zotëria i të gjithë muajve.”
-Në Ramazan veprat e mira shumëfishohen në shpërblim dhe Allahu zbret bereqet e bekime në veprat e mira të personit.
-Njeriu duhet të përpiqet shumë gjatë Ramazanit dhe gjatë jetës ngase do të pyetet para Allahut për çdo çast të kaluar në jetën e dunjasë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu në Ditën e Gjykimit do të pyetet për pesë gjëra”, prej tyre përmendi “për jetën e tij se si e ka kaluar”. Pra, çfarë ka bërë gjatë saj, me çfarë e ka mbushur apo me çfarë e ka shkatërruar. Ai që e mbushë kohën gjatë Ramazanit me gjëra të këqija, le të jetë i bindur se do të dalë para Allahut, do ta lërë jetën e kësaj bote prapa shpinës, do të dalë para Allahut me veprat e tij.
Disa njerëz sprovohen gjatë Ramazanit duke e humbur kohën pa ndonjë dobi. Kjo kohë u ikë pas gjumit, tregohen përtacë etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shumica e njerëzve tregohen të shkujdesur ndaj dy begative, e ato janë: shëndeti dhe koha e lirë.” Buhariu.
Koha është një begati shumë e madhe. Nga ana tjetër, kur Allahun ta mundëson të arrish Ramazanin, kjo kërkon prej teje që ta ruash kohën e tij nga humbja, këtë kohë të çmueshme.
- Janë disa mënyra apo metoda që të ndihmojnë ta ruash kohën në Ramazan, si:
-Të reflektosh/meditosh në disa gjëra, si: në madhështinë e Ramazanit, se ky muaj kërkon vigjilencë dhe vëmendje, se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe brezat e parë bënin gara drejt punëve të mira, se Ramazani kalon shumë shpejt, se ditët ikin e nuk të presin, të mendosh rreth gjendjeve të atyre të cilëve u ikin shpërblimet e Ramazanit etj.
-Të ndihmohesh përmes shoqërimit me shokë të mirë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij.”
-Të çosh ndërmend se çfarë ambicie të madhe kishe në fillim të Ramazanit dhe ta ruash atë nga pakësimi. Imam el Xhunejdi ka thënë: “Ruaje ambicien e lartë që ke për vepra të mira, sepse ajo u prin gjërave.”
-Të çosh ndërmend hadithin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Qoftë i poshtëruar ai person i cili e arrin Ramazanin dhe përfundon e atij nuk i falen mëkatet!”
- Ndërsa nga metodat praktike janë:
-Të kesh një mushaf të veçantë për vete nga i cili lexon. T’i edukosh edhe të tjerët nga familja që të kenë edhe ata nga një mushaf. Jepu dhuratë nga një mushaf, e kjo është prej dhuratave më të mira që mund t’ia bësh familjes tënde.
-Të qëndrosh në xhami (nëse ke mundësi) për të lexuar Kuran, sepse ndeja në xhami (p.sh. pas namazit) ta ruan kohën dhe kështu ruan shikimin apo dëgjimin nga gjërat që cenojnë agjërimin.
-Të organizosh dhe sistemosh jetën familjare brenda shtëpisë tënde. Ka raste kur kërkesat dhe nevojat e familjes rriten, andaj organizoje kohën tënde në atë mënyrë që kur të vijë koha e ikindisë të jesh i lirë nga angazhimet (kështu je i lirë të hapësh mushafin). Organizo edhe lidhjen me shokët e tu, në atë mënyrë që kjo pastaj të mos ndikojë tek koha jote në Ramazan dhe në përgjegjësitë fetare. Përpiqu të jesh produktiv në shoqërinë ku jeton, duke organizuar iftare për agjëruesit, duke u ndihmuar të tjerëve, duke ua lehtësuar vështirësitë etj.
Ajo që është më e rëndësishmja është që të kërkosh prej Allahut vazhdimisht të të ndihmojë në kryerjen e punëve të mira.
- Janë disa gjëra të cilat ia rrëmbejnë muslimanit shijimin e adhurimeve gjatë Ramazanit, si:
-Rrjetet sociale, programet televizive, para të cilave ulet dhe nuk e ruan shikimin.
-Shokët e këqij, prej të cilëve nuk përfiton dobi, ndeja me ta është e mbushur me fjalë të kota e të ulëta.
-Shpenzimet dhe daljet e tepërta. Ndodh të dalë në treg dhe të mbetet me orë të tëra, e pa dyshim kjo nuk i shkon Ramazanit, nuk i ka hije muslimanit.
-Gjumi i gjatë, veçanërisht gjatë ditëve të pushimit, pastaj i shtohet dembelia dhe plogështia, por duhet sistemuar dhe pakësuar gjumin (në Ramazan).
Dëmet e të gjitha këtyre janë: ngurtësia e zemrës, humbja e kohës, humbja e bereqetit të Ramazanit, ngecja në vepra të mira, shkujdesja, humbja e dështimi, e më e rrezikshmja humbja e shanseve për faljen e Allahut dhe arritjen e mëshirës së Tij.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.