Planifikimi për të shfrytëzuar muajin e Ramazanit
Ne duhet fillimisht të bëjmë planifikime për ardhjen e muajit të Ramazanit se si ta shfrytëzojmë atë. Kur veprojmë kështu do të thotë se e respektojmë atë dhe se jemi përgatitur për ardhjen e tij. Kjo sepse planifikimi karakterizohet me organizim dhe saktësim për gjërat edhe më të vogla. Kjo pastaj të nxitë të mendosh e të reflektosh si dhe të realizosh ato gjëra të planifikuara. Në origjinë është që njeriu të mendojë rreth planifikimit para ardhjes së Ramazanit, e pastaj të synojë ato që dëshiron t’i realizojë gjatë Ramazanit.
Gjatë Ramazanit kemi adhurime të ndryshme, si: agjërim, namaz nate, lexim të Kuranit, lëmoshë, mbajtje të lidhjeve farefisnore etj. Dhe njeriu e pyet veten: “A të fokusohem vetëm te njëri aspekt duke lër të tjerat, apo të përpiqem aq sa kam mundësi me të gjithat?!”
Planifikimi ka sukses nëse realizojmë disa pika, si:
-Fillimisht të pendohemi tek Allahu me sinqeritet.
-Të jemi të vendosur e të palëkundur ndaj realizimit të atyre gjërave që i kemi planifikuar.
-Të largojmë pengesat dhe angazhimet, të ruajmë kohën e Ramazanit.
Sa i përket elementeve që përmban planifikimi janë:
-Të jemi të përkushtuar shumë në faljen e namazeve në xhami dhe në faljen e suneteve para dhe pas farzit.
-Të ndajmë një kohë të caktuar për lexim të Kuranit pas namazit të sabahut dhe të ikindisë. Nëse dëshirojmë që këtë ta zbërthejmë në një orar ditor, kjo është siç vijon: falim namazin e sabahut në xhami, kryejmë dhikrin, pastaj lexojmë Kuran deri sa të lindë dielli, pas kësaj falim dy rekate dhe kthehemi në shtëpi. Falim namazin e drekës në xhami, lexojmë Kuran, lexojmë diçka nga tefsiri. Pastaj kur të vije ikindia e falim atë dhe qëndrojmë në xhami, dhe ky është një shans i artë sepse është kohë e gjatë dhe njeriu është i liruar nga angazhimet, andaj shfrytëzoje këtë kohë për të lexuar Kuran sa më shumë apo edhe diçka nga tefsiri. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Xhamia është shtëpia e çdo besimtari.” Në një tjetër transmetim: “…shtëpia e çdo të devotshmi.” Pastaj kthehesh në shtëpi (për shërbim ndaj familjes). Nëse prindi organizon një lloj ndeje për rritjen e besimit dhe ndërgjegjësimin e familjes edhe kjo është mirë, si: ua mëson vlerat e Ramazanit, ua dëgjon leximin e Kuranit, i nxitë për agjërim, për namaz nate, për bamirësi, për lutje etj. Pastaj vjen koha e iftarit dhe namazi i akshamit. Pas kësaj ndeja me familjen. Është mirë që edhe koha pas iftarit të shfrytëzohet. Familjari/prindi merr ndonjë libër për t’ua lexuar anëtarëve të shtëpisë. Pastaj shkojnë së bashku në xhami për të falë namazin e jacisë dhe të teravive. Pas kësaj është i lirë të bëjë ndonjë vizitë (tek të afërmit, apo fqinjët). Kthehet në shtëpi dhe shfrytëzon kohën për lexim të Kuranit dhe tefsir. Ajo që është me rëndësi është që ky orar ditor të ndërlidhet me namazet ditore sepse kështu je më i saktë dhe më i rregullt.
-Të kesh synime të përgjithshme, si: shtrimin e iftareve, ndihmën e jetimëve, këshillën ndaj njerëzve etj.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.