Allahu i do robërit e Tij dhe ata e duan Atë
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, kur Allahu i Lartësuar e do një njeri, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: “Vërtet Allahu e do filanin, andaj duaje edhe ti!” Pastaj Xhibrili e do atë dhe thërret te banorët e qiellit e u thotë: “Vërtet, Allahu e do filanin, andaj duajeni edhe ju!” Dhe kështu e duan edhe banorët e qiellit, pastaj i bëhet pranim në mesin e banorëve të tokës.” Buhariu dhe Muslimi.
Ky hadith pohon një cilësi prej cilësive madhështore të Allahut, që është: Dashuria ndaj robërve të Tij, ashtu siç i takon madhërisë së Tij.
Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Ajo çfarë aludon Kurani, suneti dhe pajtueshmëria e brezave të parë dhe të dijetarëve e mëdhenj në mesin e tyre, është se Allahu cilësohet me dashuri (i do besimtarët dhe ata e duan Atë).” Dhe ka thënë: “Brezat e parë të Islamit dhe dijetarët e tyre, janë unanim se Allahut i do robërit e Tij besimtarë dhe se ata e duan Atë. Kjo është baza e fesë së mikut të ngushtë të Allahut dhe prijësit të besimdrejtëve, Ibrahimit alejhi ue selem.”
Nga ana tjetër, ky hadith ka të bëjë edhe me dashurinë e njeriut ndaj Allahut. Këtu përfitohen disa dobi:
- Dashuria ndaj Allahut është baza e lumturisë (te njeriu).
- Ajo është baza dhe çështja kryesore pa të cilën njeriu nuk ka mundësi të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit në Ditën e Gjykimit.
- Vetë adhurimi që kryen njeriu përmban dashuri dhe nënshtrim të skajshëm ndaj Allahut. Adhurimi nuk quhet adhurim nëse nuk përmban dashuri të skajshme ndaj Allahut dhe nënshtrim të plotë ndaj Tij. Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Dashuria ndaj Allahut, madje veçimi i Tij me dashuri, kjo është baza/ajka e adhurimeve që kryen njeriu.” Pra, e tërë dashuria të jetë ndaj Allahut (është fjala për dashurinë që është adhurim).
- Zemrat tona nuk kanë mundësi të lumturohen dhe të arrijnë kënaqësinë e plotë veçse në dashuri ndaj Allahut dhe në afrimin tek Ai me gjërat të cilat i do dhe me të cilat është i kënaqur.
- Allahu është i Vetmi i Cili duhet për shkak të Qenies së Tij. Askush tjetër nuk meriton të duhet për shkak të qenies së tij përveç Allahut. Njeriu në natyrshmërinë e tij e ka të rrënjosur dashurinë ndaj Allahut. Allahu ua vendosë në natyrshmëri njerëzve dashurinë ndaj Tij, ashtu siç ua vendos besimin (njeriu lind me besim dhe me dashurinë ndaj Allahut). Mirëpo, ashtu siç besimi prishet (dëmtohet), njëjtë prishet dhe dashuria ndaj Allahut, për shkak të ndikimit të gjërave të cilat e rrethojnë njeriun dhe që ia prishin këtë natyrshmëri të pastër me të cilën ka lindur.
Aspekti tjetër në lidhje me këtë hadith ka të bëjë me atë se dashuria ndaj dikujt tjetër ndahet në disa lloje:
- Dashuria e cila përmban shirk të madh. Kjo ndodh kur njeriu e do krijesën ashtu siç e do Krijuesin. Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Shirku ndaj Allahut në dashuri, respekt dhe madhërim, është kur njeriu e do krijesën ashtu siç e do Atë. Këtë shirk Allahu nuk e fal (nëse vdes pa u penduar). Ky është shirku për të cilin Allahu ka thënë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu.” Bekare 165. I bëjnë të barabartë me Allahun në dashuri. Ky është shirk i madh.
- Dashuria e cila është e ndaluar. Kjo ndodh kur dashuria ndaj dikujt të bën të kryesh një ndalesë, apo të braktisësh një obligim fetar. Nuk duhet ta duam krijesën në këtë masë.
- Dashuria e natyrshme, d.m.th. animi i njeriut kah gjërat të cilat përshtaten me natyrën e tij, si: dashuria e të eturit për ujin, dashuria e të uriturit për ushqimin, apo dashuria për gjumë, për komoditet, dashuria ndaj bashkëshortit/es, fëmijëve etj. Njeriu nuk qortohet për këto.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.