Kundërshtimi i nefsit

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i tetë: Kundërshtimi i nefsit

Shpirti i njeriut është i prirë kah tekat dhe anon kah kënaqësitë e pasionet. Kush arrin ta pastrojë atë, do të shijojë lumturinë, “Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”. Shems 7-10. Pejagmberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “I mençur është ai që e merr veten në llogari dhe punon për jetën pas vdekjes. Kurse, i paaftë është ai që ndjek dëshirat dhe tekat e tij dhe shpreson tek Allahu se do ta falë e do ta shpërblejë.”[1] Abdullah Razi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nëse dëshiron të gjesh ëmbëlsinë e adhurimit dhe të arrish kulmin e saj, atëherë mes teje dhe gjynaheve e epsheve të kësaj jete duhet të vendosësh një mur prej hekuri.”

Nëse zemra është njollosur me papastërtinë e mëkateve dhe epsheve të ndaluara, nuk ka mundësi ta përjetojë ëmbëlsinë e besimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kush vepron tri gjëra do të shijojë ëmbëlsinë e besimit…”, prej tyre tha: “…e pastron shpirtin e tij.” Prej lutjeve të tij me të cilat e ka lutur Allahun ka qenë: “O Allah, jepi shpirtit tim devotshmërinë dhe pastroje, sepse Ti më së miri di si ta pastrosh atë! Ti je kujdestari dhe mbrojtësi i shpirtit tim!” Muslimi.

Ebu Bekr radijAllahu anhu ka thënë: “Gjëja e parë prej të cilës duhet të kujdesesh (e të ruhesh) është nefsi yt.”

Luftimi e sfidimi i nefsit (për adhurime) bëhet në formë graduale. Jo përpjekje për të kryer shumë adhurime, e pastaj të lodhesh dhe t’i braktisësh të gjitha. Mirëpo, kjo bëhet duke e mësuar (kalitur) veten. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai i cili rrugëton për tek Allahu, në fillim do të gjejë vështirësi ngase zemra e tij ende nuk ka gjetur prehjen e qetësinë me adhurimin ndaj Allahut, e kur e arrin këtë atëherë i largohen vështirësitë dhe kështu këto adhurime i bëhen prehja e syve të tij, forca e shpirtit dhe kënaqësia e zemrës.” Thabit el Bunani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Jam stërmunduar për 20 vite të fali namazin siç duhet, pastaj jam kënaqur me namazin tim për 20 vitet e tjera.” Disa nga selefi kanë thënë: “E kam shtyrë nefsin për tek Allahu (të bëjë vepra) dhe ai ka qarë. Por kam vazhduar, derisa vetë nefsi ka shkuar tek Allahu duke qeshur.” Kështu njeriu duhet ta ushtrojë nefsin e tij. Kundërshtimi i nefsit arrihet kur e ushtrojmë (trajnojmë) për të qenë i bindur ndaj Allahut. Allahut thotë: “Ata që luftojnë (vetët e tyre) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69.

Njeriu nëse do që të arrijë ëmbëlsinë e besimit, atëherë duhet ta luftojë shumë nefsin e tij kundër prirjeve të tij kah mëkatet dhe kundër cytjeve të shejtanit (ai depërton te njeriu përmes nefsit të tij). Pastrimi i shpirtit arrihet duke praktikuar obligimet e Allahut (qofshin të brendshme apo të jashtme), duke iu përmbajtur sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, duke kërkuar ndihmën e Allahut (e jo t’i mbështetemi vetëve tona). E para prej këtyre obligimeve është teuhidi- adhurimi ndaj Allahut të Vetëm, me sinqeritet, pastaj mbështetja tek Ai, dashuria, frika e shpresa ndaj Tij, përmendja e vazhdueshme e Tij, kërkimi i ndihmës së Tij. Pra, Allahu të jetë mbi të gjitha preokupimet, synimet, shqetësimet e dëshirat e njeriut. Kush e lidh zemrën vetëm për Allahun dhe zbaton urdhrat e Tij, patjetër do të gjejë ëmbëlsinë e besimit dhe të adhurimit, e cila nuk mund të krahasohet me asnjë kënaqësi tjetër. Ky pastrim i shpirtit kërkon prej njeriut kundërshtim, kërkon isigfar, pendim, largim prej mëkateve, mos mbështetje te vetja, lutje tek Allahu për sukses etj. E zemrat më të dashura tek Allahu janë ato tek të cilat është vendosur thyerja e nënshtrimi ndaj Allahut dhe të cilat i zotëron nevoja për Atë.

Njeriu për të pastruar shpirtin dhe për të shijuar ëmbëlsinë e besimit duhet të arrijë këtë nivel: Allahu është Ai i Cili mbizotëron në qëllimet, synimet e dëshirat e tij, kur synimi i tij është vetëm arritja e kënaqësisë dhe dashurisë së Allahut. Ai që zemrën e tij e lidh për Zotin e Tij, atëherë do të shijojë ëmbëlsinë e besimit.

[1] Ka mospajtime për saktësinë e tij, por kuptimi është i mirë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit