Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i nëntë: Namazi dhe veprat vullnetare
Namazi është burimi i lumturisë, i qetësisë dhe rehatisë shpirtërore për besimtarin. Përmes tij ai e përjeton kënaqësinë e besimit dhe adhurimit sepse namazi është lidhja mes robit dhe Zotit dhe ai e afron afër Tij, nga namazi ka dobi të shumta në të dy botët, ai është prej portave të lehtësimit të çështjeve, çlirimit të brengave dhe largimit të belave dhe përmes tij shlyhen mëkatet. Allahu thotë: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” Hud 114. E para prej veprave të mira është namazi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mendoni sikur dikush prej jush të kishte një lumë pranë derës së shtëpisë dhe të lahej në të pesë herë brenda ditës. A do të mbetej diçka nga papastërtitë në trupin e tij?” I thanë: “Jo, o i Dërguar Allahut.” Tha: “Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. Përmes tyre Allahu ua shlyen mëkatet.” Buhariu dhe Muslimi.
Namazi gjithashtu është portë e furnizimit, “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” Ta he 132. Kur Allahu tregon se besimtarëve të devotshëm do t’iu japë krenari dhe ngritje në këtë botë, përmend se namazi është kushti i parë i kësaj arritjeje, “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve” Haxh 41. Namazi e ndalon njeriun prej mëkateve dhe gjërave të pahijshme, “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar”. Ankebut 45.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ndodhë që një rob t’i bëjë Allahut sexhde veçse Ai do ta ngritë me të për një shkallë dhe do t’ia falë një mëkat.” Gjithashtu ka thënë: “Njeriu kur ngritët të falë namaz, mëkatet i vendosen në kokën e qafën e tij. Kur qëndron në ruku e sexhde i bien mëkatet e tij.” Dhe: “Pozita me të cilën njeriu është më së afërmi Allahut është sexhdja.”
Namazi është streha për atë që ballafaqohet me brenga e frikë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prehja e syve të mi më është bërë në namaz.” Ai salAllahu alejhi ue selem sa herë që është goditur nga ndonjë gjë ka nxituar të falë namaz.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem gjithashtu është ngritur të falë namaz derisa këmbët i janë ënjtur (nga qëndrimi gjatë në namaz). I kanë thënë: “Allahu t’i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhme.” Ka thënë: “A të mos jem rob falënderues?” Ai salAllahu alejhi ue selem shtonte shumë prej namazit vullnetar që të afrohet sa më shumë tek Allahu dhe të arrijë dashurinë e kënaqësinë e Tij. Në këtë mënyrë arrihet të qenit mik i Allahut, siç ka ardhur në hadithin kudsij: “Kush armiqëson një mik (të dashur) Timin, do t’i shpalli luftë. Robi im nuk afrohet me ndonjë gjë që është më e dashur tek Unë sesa obligimet, pastaj afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua…”
Përveç namazit, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem shtonte edhe vepra të tjera vullnetare, si: agjërim, lëmoshë etj. Ai agjëronte tri ditë të çdo muaji, ditën e hënë dhe të enjte, po thuajse tërë muajin Shaban, ka nxitur për agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, ka agjëruar aq shumë saqë njerëzit mendonin se ai gjithmonë agjëron etj. Ai jepte shumë lëmoshë dhe ka qenë shumë bujar, sidomos në muajin e Ramazanit, qoftë me pasuri, me pozitë, me këshilla, me dije etj. Ai ka dhënë shumë, pa frikë nga varfëria.
Është vepër e mirë që të shtohen adhurimet vullnetare, duke bërë shumëllojshmëri të tyre, në mënyrë që nefsi të mos lodhet a mërzitet. Nganjëherë fal namaz vullnetar, nganjëherë agjërim vullnetar, nganjëherë jep lëmoshë etj. Shtimi i veprave vullnetare sjell si rezultat dashurinë e Allahut ndaj njeriut, “…pastaj afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua…” Ai që jep mundin e tij për t’u afruar tek Allahu duke kryer obligimet, pastaj shton veprat vullnetare, Ai e afron te Vetja e Tij dhe e ngrit pozitën e tij (prej imanit tek ihsani).
Hasan el Basriu (Allahu e mëshiroftë!) ka qenë në varrim të një personi, i është drejtuar nxënësi i tij duke i thënë: “Sikur të ishe në vend të tij (të të vdekurit), çfarë kishe shpresuar më së shumti?”, ai i thotë: “Të kthehesha e të bëja vepra të mira.”
Disa shembuj të veçantë të faljes së namazit
– Urve ibn Zubejri radijAllahu anhu është sprovuar me kancer në këmbë dhe mjekët kanë vendosur t’ia amputojnë atë. Ai nuk ka pranuar anestezion, dhe ka thënë: “Nuk dëshiroj të marr diçka që ma humbet mendjen prej përmendjes dhe kujtimit të Allahut. Mirëpo, kur të hyj në namaz dhe të ulem në teshehud, atëherë mundeni të ma amputoni, ngase kur jam në këtë pozitë në zemrën time nuk është askush tjetër përveç Allahut.” Kështu kanë vepruar dhe ai nuk ka ndje dhimbje.
-Abdullah ibn Zubejri radijAllahu anhu ka qëndruar në namaz sikur të ishte një shtyllë e palëvizshme, për shkak të përuljes ndaj Allahut, kur ka rënë në sexhde kanë ardhur zogjtë dhe kanë qëndruar në shpinën e tij.
-Transmetohet se Sile ibn Eshjem el Adevij ka falur një natë namaz nate në një vend me shumë pemë që të mos shihet, por gjatë namazit i ka ardhur një luan i madh i cili ka lëshuar zërin e tij, ndërsa ai nuk është frikësuar fare. Luani i është sjellë vërdallë (pa e sulmuar). Kur ka përfunduar namazin i ka thënë: “O ti egërsirë! Shko kërkoje rrikun tënd diku tjetër!” Luani është larguar duke lëshuar përsëri një të zë madh saqë edhe malet kanë ushtuar. Pastaj ka vazhduar të falë namaz deri në afrimin e agimit.
-AbdulAziz ibn Ubej Ruwadi kur shtronte shtratin për të fjetur prekte butësinë e shtratit të tij dhe thoshte: “Vërtetë ti je i butë, por shtretërit e xhenetit janë më të butë!” Pastaj zgjohej të falte namaz.
-Sufjan eth Theuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kur vjen nata gëzohem (për shkak të kënaqësisë së adhurimit të natës, namazit). Kur vjen mëngjesi pikëllohem (për shkak se duhet të merret me gjërat e kësaj bote, me fitimin e rrizkut).”
-Thabit el Bunani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “O Allah, nëse ia ke mundësuar dikujt të falet në varr, mundësoma edhe mua!” Kjo për shkak se e ka dashur aq shumë namazin, ka gjetur kënaqësinë e ëmbëlsinë e tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.