Shoqërimi me njerëz të mirë

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i dymbëdhjetë: Shoqërimi me njerëz të mirë

Shoqërimi me besimtarë të mirë e të devotshëm (por edhe leximi i jetëshkrimit të njerëzve të devotshëm), të cilët adhurojnë Allahun dhe janë të bindur ndaj Tij, kërkon imitimin e tyre, ngase siç ka thënë ibn Kajimi: “Natyra e njeriut është vjedhëse (imiton të tjerët).” Andaj, njeriu duhet të shoqërohet me të tillë që të imitojë shembullin e tyre. Ai do të përfitojë prej fjalëve të tyre, e madje edhe vetëm duke i shikuar (merr mësim). Këto gjëra sjellin pastaj ëmbëlsinë, rezultatet e së cilës i gjen në zemrën dhe sjelljet e tij.

Allahu me këtë gjë e ka urdhëruar Pejgamnerin salAllahu alejhi ue selem: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” Kehf 28. Dhe: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun”. Duhan 67.

Umer el Khatabi radijAllahu anhu ka thënë: “Sikur mos të ishin tri gjëra në këtë botë do të dëshiroja takimin me Allahun (vdekjen): Lufta në rrugën e Allahut, vendosja e ballit në sexhde (namazi) dhe shoqërimi me njerëz që zgjedhin fjalët e tyre siç zgjedhin frutat më të mira kur i vjelin ato.” Ebu Darda radijAllahu anhu ka thënë: “Sikur të mos ishin tri vepra në këtë botë do të dëshiroja të mos qëndroj asnjë ditë në të: vendosja e ballit në sexhde për Krijuesin gjatë ditës e natës (namazi), etja në ditët e nxehta (agjërimi) dhe shoqërimi me njerëz të devotshëm që përzgjedhin fjalët e tyre siç përzgjidhet fruti më i mirë.” Xhafer ibn Sulejmani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sa herë që në zemër kam ndje ngurtësi, kam shkuar të shikoj fytyrën e Muhamed ibn Uasit (adhurues i madh). Fytyra e tij ishte sikur e një nëne që sapo ka humbur fëmijën e saj (e përvuajtur, që qan), dhe menjëherë më është zbutur zemra.” Abdullah ibn Mubareku[1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sa herë që kam shikuar fytyrën e Fudajl ibn Ijadit kam nënçmuar veten time.” Kanë thënë në të kaluarën: “Ai që nuk të bën dobi kur e shikon, nuk të bëjnë dobi as fjalët e tij.” Një ditë i kanë thënë Abdullah ibn Mubarekut (Allahu e mëshiroftë!): “Kur falesh në xhami nuk ulesh (të qëndrosh me ne), por largohesh.” Ka thënë: “Unë shkoj të ulem me sahabët dhe tabiinët (lexoj për ta dhe fjalët e tyre).”  Adhuruesi i njohur Ahmed ibn Harb ka thënë: “E kam adhuruar Allahun 50 vite radhazi, por nuk e kam gjetur ëmbëlsinë e adhurimit derisa kam braktisur tri gjëra: kam braktisur kënaqësinë e njerëzve dhe kam mundur të them të vërtetën, kam lënë shoqërimin me të shthururit dhe kam gjetur shokë të devotshëm dhe kam braktisur kënaqësitë e kësaj bote dhe kam gjetur kënaqësitë e botës tjetër.”  

Ëmbëlsia e adhurimit që përjetojnë besimtarët e mirë të devotshëm me lejen e Allahut kalon edhe tek ti, lë gjurmë tek ti. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë Allahu ka disa engjëj të cilët vazhdimisht udhëtojnë nëpër tokë dhe kërkojnë ndejat ku përmendet Allahu. Kur e gjejnë një ndejë në të cilën ata që janë ulur e përmendin Allahun, ulen së bashku me ta dhe kapen me njëri-tjetrin e i mbulojnë me krahët e tyre ata që janë ulur aty, derisa të mbushet hapësira mes tyre dhe qiellit. Kur largohen nga ajo ndejë, edhe engjëjt largohen dhe ngritën në qiell, derisa të shkojnë tek Allahu, i Cili i pyet se ku kanë qenë, edhe pse Ai e di më së miri, dhe thonë: “Erdhëm prej disa robërve të Tu në tokë, të cilët të madhëronin, të lavdëronin, të falënderonin, të veçonin, të luteshin dhe kërkonin prej Teje.” Allahu u thotë: “Çfarë kërkonin?” –“Kërkonin t’ua japësh xhenetin.” –“A e kanë parë ata xhenetin Tim?” –“Jo.” –“Si do të ishte gjendja e tyre sikur ta shihnin xhenetin?!” Ata thonë: “Gjithashtu, kërkonin mbrojtje tek Ti.” –“Prej çfarë gjëje kërkonin mbrojtje tek Unë?” –“Kërkonin mbrojtje prej zjarrit të xhehenemit.” –“A e kanë parë zjarrin Tim?” –“Jo.” –“Si do të ishte gjendja e tyre sikur ta shihnin atë?!” Ata thonë: “Gjithashtu, kërkonin falje prej Teje.” –“Ua kam falur të gjitha mëkatet, ua kam dhënë atë që kërkojnë prej meje dhe i kam mbrojtur nga ajo prej të cilës më kërkojnë mbrojtje.” –“O Zoti ynë, në mesin e tyre ishte dhe një rob mëkatar që ka kaluar pranë tyre dhe është ulur e të ka përmendur së bashku me ta.” –“Edhe atë e kam falur, ngase ata janë njerëz me të cilët kush shoqërohet nuk dëshpërohet.” Buhariu dhe Muslimi.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se Allahu ka thënë: “Dashuria Imë është bërë detyrë për ata që duhen për hir Timin. Dashuria Ime është bërë detyrë për ata që japin për hir Timin. Dashuria Ime është bërë detyrë për ata që vizitohen për hir Timin. Ata që duhen për hir të Allahut do të jenë në minbere të larta prej drite, nën hijen e arshit të Allahut, atë Ditë ku nuk ka hije tjetër përveç saj.”

Duhet pasur kujdes të mos shoqërohemi me njerëz të cilët nxisin drejt ndalesave. Shoqëria e mirë ta kujton Allahun, botën tjetër, të këshillon, të mëson etj. Të largohemi nga shoqërimi me njerëz të këqij dhe të devijuar, sepse shoqërimi me këta tërheqë drejt rrugëve të gabuara. Mund të kesh raporte të mira, apo marrëdhënie pune etj., mirëpo jo t’i bësh miq e shokë të ngushtë, siç bëjnë muslimanët me njëri-tjetrin. Njeriu, në rrugëtimin drejt Allahut, ka nevojë për shokë të cilët e ndihmojnë dhe e forcojnë, të cilët nuk e lënë të devijojë. Kjo gjë (shoqëria e mirë) është prej shkaqeve të qëndrueshmërisë në fe. Njeriu është i dobët. Nganjëherë kur është i vetëm mund të mashtrohet, e kur ka shokë të cilët e përkujtojnë dhe e këshillojnë, ky është një shkak i fortë që ai të qëndrojë i fortë në fenë e Allahut.

[1] Edhe pse të gjitha tiparet e cilësitë e mirësisë janë gjendur tek ai.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit