Goditja e zemrës me sëmundje
Sëmundjet të cilat e godasin zemrën janë dy lloje:
- Sëmundja e dyshimeve, mëdyshjeve e dilemave rreth fesë. Allahu thotë: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre.” Bekare 10. Dhe: “Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin. Por, nëse e drejta është në anën e tyre, ata vijnë përulshëm. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre apo dyshojnë? Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët.” Nur 48-50.
- Sëmundja e epsheve, tekave e pasioneve. Allahu thotë: “O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!” Ahzab 32.
Zemra e sëmurë është ajo në të cilën ka jetë por ka edhe sëmundje. Jeta dhe sëmundja e saj, janë dy burime që vazhdimisht e furnizojnë, dhe zemra i takon atij burimi që e furnizon më shumë atë. Në të ka dashuri ndaj Allahut, besim, sinqeritet, mbështetje tek Ai, që janë burim i jetës së tij, por gjithashtu ka dëshirë për epshe, ka zili, mendjemadhësi, vetëpëlqim, ngatërresa, që janë burim i shkatërrimit të saj.
Kjo zemër është e sprovuar me dy thirrës: njëri thirrës e fton për tek Allahu dhe bota tjetër, dhe tjetri e fton për tek kjo botë. Ajo i përgjigjet thirrësit më të afërt. Kur sëmuret zemra e besimtarit, ai e ka obligim të shpejtojë ta shërojë atë, duke mos lërë të përkeqësohet e t’i shtohet sëmundja.
Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit e pastaj e ka humbur atë, ai duhet të përpiqet shumë në përmirësim dhe në kthim tek Allahu. Shkaqet që duhet të ndërmarrë janë këto që kemi sjellë në këtë libër.
Ngjashëm është përgjigjur edhe dijetari i njohur AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë!) kur i është parashtruar pyetja prej një të riu: “Kam bërë shumë gjynahe kur kam qenë adoleshent, mirëpo nuk kam braktisur obligimet e Islamit. Tani jam penduar, porse kam humbur ëmbëlsinë e besimit dhe jetoj në brenga e shqetësime…” Atëherë ai i ka thënë: “Së pari të këshilloj të falënderosh Allahun që ta ka mundësuar të pendohesh. Së dyti: të shtosh veprat e mira sa më shumë dhe të kesh mendim të mirë për Allahun. Pastaj të shtosh dhikrin, leximin e Kuranit me meditim dhe të shoqërohesh me besimtarë të devotshëm e të largohesh prej njerëzve të këqij. Të përgëzoj për mirësi dhe fund të mirë (nëse vepron kështu) dhe me lejen e Allahut do të gjesh ëmbëlsinë e besimit…Kush shton dhikrin dhe është i sinqertë në pendimin e tij, do të arrijë shpëtimin, qetësinë, rehatinë e shpirtit, do t’i shlyhen mëkatet, Allahu do ta forcojë dhe do t’ia mundësojë të jetë i qëndrueshëm.”
Prej gabimeve të dukshme e të qarta në jetën tonë të përditshme është se kur dikush ankohet për ngurtësimin e zemrës, shohim se ai nuk ndërmerr shkaqet e zbutjes së saj, saqë gjendja e tij arrin deri aty sa të thotë: “Besimi është në zemër, mjafton.” Kur besimi është në zemër, atëherë ai patjetër pasohet nga vepra e mirë, drita e tij do të shfaqet në gjymtyrë.
Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kur njeriu shijon ëmbëlsinë e besimit, frytet e kësaj shfaqen në gjuhën dhe gjymtyrët e tij, prandaj ai do të ndjejë kënaqësinë e dhikrit dhe veprave të tjera (të gjuhës) e gjithashtu gjymtyrët do të shpejtojnë në bindjen ndaj Allahut. Dashuria ndaj besimit depërton në zemër siç depërton uji i ftohtë në një ditë të nxehtë te një person i etur shumë. Dalja prej këtij besimi, për këtë zemër është një gjë më e urryer sesa hedhja në zjarr apo më e hidhët sesa hidhësia gjatë durimit.”
Ibn Tejimije (Allahu e mëshiroftë!): “Nëse njeriu mundohet shumë, kërkon ndihmën e Allahut dhe nuk i ndahet istigfarit, patjetër se Ai do t’i japë prej mirësive të Tij të cilat nuk i shkojnë ndërmend. Nëse njeriu vëren se i është ngushtuar kraharori dhe nuk e shijon ëmbëlsinë e besimit dhe dritën e udhëzimit, atëherë duhet të shtojë pendimin prej mëkateve, istigfarin dhe përpjekjen në vepra të mira. Allahu thotë: “Ata që luftojnë (vetët e tyre) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. Andaj, ai së pari e ka detyrë të kryejë obligimet në raport me Allahun, të jashtmet e të brendshmet, dhe t’i përmbahet rrugës së drejtë duke kërkuar ndihmën e Tij dhe duke hequr dorë prej fuqisë e mundësisë së vet.”
Dijetarët kanë thënë: “Kënaqësia më e madhe në këtë botë është kur bën istigfar (kërkon falje tek Allahu për mëkatet), ndërsa kënaqësia më e madhe në botën tjetër është shikimi në Fytyrën e ndershme e fisnike të Allahut.” Këto dy gjëra Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka bërë bashkë në një lutje: “O Allah, kërkoj prej Teje të ma mundësosh kënaqësinë e shikimit në Fytyrën tënde fisnike dhe të ma shtosh mallin për takimin me Ty!”
Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e ndaluar për zemrat të përjetojnë ëmbëlsinë e besimit derisa të heqin lakminë për jetën e kësaj bote.”
Besimtari duhet ta dijë se mirësia e udhëzimit në besim është prej Allahut, “Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim”. Huxhurat 17. Ai duhet të përngjasojë me banorët e xhenetit të cilët kur të hyjnë në të do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”. Araf 43. Dijetari Abdurrahman ibn Sadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ky ajet ka bërë bashkë mes njoftimit për pranimin se udhëzimi i tyre ka qenë vetëm prej Allahut dhe lavdërimit ndaj Allahut për mirësitë e dhuntitë e Tij. Në fund të ajetit përmendet shkaku që i ka dërguar në këtë mirësi, që është: besimi dhe vepra e mirë.” Kujdesi më i madh që Allahu ia ka bërë njerëzimit është udhëzimi.
Pas të gjitha këtyre mësimeve, na bëhet e qartë se vërtetë besimi ka ëmbëlsi. Lumë për atë që e përjeton atë dhe gjen gjurmët e saj në jetën e tij!
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.