۞ Hapat e marrjes së vetes në llogari
Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” Ali Imran 200. Ruajtja e kufijve të Allahut bëhet nëpër disa faza, që janë: kushtëzimi, mbikëqyrja, kërkimi i llogarisë, dënimi, luftimi i nefsit dhe qortimi.
› Kushtëzimi: Bëhet në fillimin e ditës, duke ia vendosur vetes disa kushte që të mos e çojë ditën kot, i cakton detyra (dhikrin, leximin e pjesës së Kuranit, të falë namazet sunet dhe nafile, të mbajë lidhjet farefisnore, të respektojë familjarët, të ndihmojë të tjerët, të plotësojë nevojat e të tjerëve, të japë lëmoshë sa të mundet etj.), e obligon të largohet prej ndalesave (me shikimin e tij, të folurin, dëgjimin, punën që bën, ushqimin që ha etj.).
› Mbikëqyrja: Pas kësaj i mbetet ta mbikëqyrë e përcjellë (me sy kritik) vetveten se a është duke i kryer këto vepra, sepse nëse shpirtin e lë të lirë, do të kalojë kufijtë dhe do të prishet. Kjo mbikëqyrje është para veprimit të veprës dhe pas veprimit të veprës. Nëse nefsi e thërret të veprojë mëkat atëherë e kujton qëndrimin para Allahut, ndëshkimin e Tij. Nëse ka rënë në të duhet të pengohet, të heqë dorë prej tij dhe të vendosë të mos i kthehet më.
› Kërkimi i llogarisë: Bëhet në fundin e ditës duke i kërkuar vetes llogari për të gjitha veprimet që ka bërë. Së pari e merr në llogari për farzet se a i ka kryer ashtu siç Allahu ka kërkuar apo me shkujdesje, pastaj a ka bërë ndonjë mëkat, a i ka kryer adhurimet e tjera (dhikret, nafilet) dhe a i ka kryer siç duhet apo si rutinë, a është larguar prej ndejave të kota me mëkate, a e ka lënë teprimin në qeshje e humor, a e ka ulur shikimin nga harami, a e ka ndaluar gjuhën nga mëkatet, a ka fituar vetëm hallall, a është ushqyer vetëm me hallall, a ka dhënë lëmoshë, a u ka ndihmuar të varfërve, a ua ka mësuar fenë familjarëve e të afërmve, a ka prezantuar në ndonjë ndejë të dijes etj. Kur bën kështu, patjetër do të shohë se ka pasur mangësi gjatë ditës, ose në obligime, ose ka bërë ndonjë ndalesë e mëkat etj.
› Luftimi i nefsit: Besimtari i mençur e lufton veten e tij që të veprojë obligimet, të largohet e ruhet prej mëkateve, të pajiset e të stoliset me morale të larta dhe të veprojë vepra të cilat e kënaqin Allahun. E lufton vazhdimisht derisa t’i bindet Allahut. Gjejmë në Kuran: “Ata që luftojnë për hir Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. “që luftojnë për hir Tonë” d.m.th.: e luftojnë veten e tyre, siç kanë komentuar dijetarët, ky është kuptimi i këtij ajeti. Ai që i bindet urdhrave të nefsit dhe nuk largohet prej asaj rruge në të cilën e drejton ai, atëherë kjo do ta çojë drejt humnerës.
› Qortimi: Bëhet kur njeriu ka neglizhencë dhe ka mangësi në vepra vullnetare ose është preokupuar shume me gjëra të lejuara (mubah).
› Dënimi: Bëhet kur njeriu ka pasur mangësi dhe neglizhencë në farze apo është angazhuar me ndalesa e mëkate (jo vetëm ta qortojë). E detyron veten duke bërë vepra shtesë (varësisht se çfarë i ndikon më shumë) me të cilat përmirëson këto që ka bërë dhe që ka humbur shpërblimet. Kjo edhe nëse i vjen rëndë nefsit, p.sh.: të agjërojë, të falë nafile, të japë lëmoshë etj.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.