Hadithi: Prej Islamit të mirë (përsosur) të personit është…”

 

⟪من حسن إسلام المرء تركه ما لا يعنيه⟫

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prej Islamit të mirë (përsosur) të personit është braktisja e gjërave që nuk i interesojnë.Tirmidhiu dhe të tjerët.

Komentimi:

Ky hadith është prej katër haditheve për të cilët një pjesë e dijetarëve kanë thënë: “E gjitha edukata përmblidhet në katër hadithe.” Hadithi flet se si duhet të jetë edukata dhe morali i besimtarit.

-“Prej Islamit të mirë (të përsosur) të personit” – një pjesë me të cilën njeriu e përsos Islamin e tij.

Përsosja apo përkryerja e Islamit është një shkallë shumë e lartë që mund ta arrijë njeriu dhe një dhunti e vlerë që Allahu ia jep ndonjërit prej muslimanëve.

Lidhur me – ihsenul Islam – përsosja e Islamit (se çfarë nënkupton) dijetarët kanë dhënë disa mendime:

1.Kryerja e obligimeve dhe largimi nga ndalesat (të mesmit– muktesidinët). Ky është niveli më i ulët.

2.Arritja e ihsanit gjatë adhurimeve.[1]

Personi që vepron kështu (që ka këto nivele) është i angazhuar me adhurim ndaj Zotit të tij, është i preokupuar me përkryerjen e veprave të tij, nga ana e jashtme dhe e brendshme, ai nuk ka kohë ta ngarkojë veten dhe të interesohet për gjëra të tjera që nuk i sjellin dobi, apo që nuk u përkasin etj.

3.Arritja e lartë e përsosjes së Islamit (po aq dhe do të të jepet prej mirësive dhe shpërblimeve të Allahut).

Prej shkaqeve të shtimit të shpërblimeve për njeriun deri në shtatëqind fish për një vepër të mirë që kryen, është se përmirësimi apo përsosja e Islamit të tij ka qenë shumë e madhe.[2] Veprat i shumëfishohen dhjetëfish deri në shtatëqindfish në varësi të nivelit që ka arritur në përsosjen e Islamit të tij. Njerëzit sa i përket përsosjes së Islamit të tyre janë në nivele dhe shkallë të ndryshme. Ata që janë mëkatarë, që i bëjnë vetes padrejtësi me mëkate (mëkatimin e kanë cilësi të tyre), nuk llogariten prej atyre që e kanë përsosur Islamin.

-“braktisja e gjërave që nuk i interesojnë” – kjo është e përgjithshme.

Në gjuhën arabe “el inaje” nënkupton: kur njeriu interesohet shumë për një gjë, që është e rëndësishme për të, i kushton rëndësi, ndërsa ajo për të cilën nuk interesohet e s’ka kujdes ndaj saj, është ajo që nuk i sjell dobi nëse i qaset asaj, andaj dhe nuk interesohet për të. Dhe çështjet e fesë janë gjëra për të cilat çdo musliman duhet të interesohet dhe të kujdeset për to. Kur interesohet për to, atëherë kjo tregon se ka vepruar një gjë që ia përsos Islamin e tij.

Prej gjërave që muslimanit nuk duhet t’i interesojnë apo t’i përkasin janë edhe fjalët e padobishme e të tepërta (që flet apo që dëgjon), për dunjan dhe ahiretin e tij. Braktisja e tyre është prej përsosjes së Islamit. Kur njeriu braktis fjalët që nuk i interesojnë, qoftë fjalët që i flet vetë apo që dëgjon prej të tjerëve, atëherë do të arrijë në shkallë të lartë të besimit dhe ihsanit (përsosjes së fesë së tij).

Në këtë hadith hyn rasti kur njeriu hulumton për gjërat e të tjerëve, që nuk i përkasin apo prej të cilave nuk ka dobi në fenë e tij, apo në dunjanë e tij, kur dëshiron të dijë se çfarë ndodh tek të tjerët (çfarë tha filani, çfarë veproi filani, çfarë bëri filani me filanin etj.), këto janë gjëra të nënçmuara. Gjithashtu, të braktisë dijet e tepërta që nuk sjellin dobi, raportet e tepërta me njerëzit që nuk sjellin dobi etj.

Kur njeriu u qaset gjërave që nuk i përkasin, kjo është rrugë për të rënë në ndalesa, apo për të bërë mangësi në obligime. Në këtë mënyrë e humbet nivelin e parë që përmendëm (muktesidinëve), i cili është niveli më i ulët i përmirësimit të Islamit.

Prej argumenteve që tregojnë se personi e ka përsosur Islamin e tij është braktisja e të gjitha këtyre gjërave. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e zemrës së tij dhe veprave të tij. Në këtë mënyrë do të gjejë prehje dhe qetësi shpirtërore, ndërsa nëse angazhohet me gjëra që nuk i takojnë e nuk i interesojnë, do ta lodhë vetveten dhe është rrezik të bie në gjynahe.

Këtu pastaj mund t’i sjellë paqartësi dikujt e të thotë: “A kuptohet se prej kësaj është braktisja e urdhërimit në të mirë dhe e ndalimit nga e keqja?” Përgjigja është: Jo, ngase urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat është një gjë që duhet t’i interesojë muslimanit, që i përket atij, sepse Allahu thotë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara!” Ali Imran 104. Gjithashtu, nga gjërat që i përkasin muslimanit janë edhe ato që kanë të bëjnë me familjen, me fëmijët. Njeriu duhet të dijë se ai është bari i shtëpisë së tij, kujdestari i familjes së tij, andaj ka përgjegjësi ta orientojë drejt gjërave të mira e ta ndalojë prej mëkateve.

[1] Do të thotë: Të adhurosh Allahun sikur je duke e parë, ngase edhe nëse nuk e sheh ti, Ai të sheh ty. Niveli më i plotë është të adhurosh Allahun sikur je duke e parë, ndërsa më e ulët sesa kjo është të adhurosh Allahun me bindjen se Ai është duke të parë ty (je nën mbikëqyrjen e Tij).

[2] Allahu thotë: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish.” Enam 160. Ibën Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Kjo është për beduinët në mesin e besimtarëve, ndërsa ai që e përsos Islamin e tij do të ketë shpërblim shumë më të madh, siç thotë Allahu: “…nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.” Nisa 40.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit