Mëshira e Allahut  – Cilësi e Tij

Mëshira e Allahut  – Cilësi e Tij

Allahu thotë: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” Neml 30.

Ky ajet tregon për Cilësinë e Allahut që është Mëshira e Tij. Emri Err Rrahman err Rrahim janë dy Emra të Allahut që tregojnë për Mëshirën e Allahut si Cilësi e Tij.

Emri err Rrahman është më gjithëpërfshirës. Ky emër tregon se Allahu ka përfshirë çdo gjë me Mëshirën e Tij. Ai është një emër i veçantë vetëm për Allahun. Askujt nuk i lejohet të emërtohet me të. Ndërsa, me emrin err Rrahim mund të emërtohet edhe dikush tjetër (p.sh.: Ai është njeri i mëshirshëm – Raxhulun rrahim). Vetë Allahu (në një ajet) e ka quajtur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem me këtë emër.

Emri Err Rrahman tregon se Mëshira e Allahut është Cilësi qenësore e Tij, ndërsa emri err Rrahim tregon se Ai me Mëshirën e Tij i mëshiron robërit e Tij.

Edhe kjo cilësi duhet të besohet për Allahun ashtu siç i takon Madhërisë së Tij. Disa prej sekteve e mohojnë këtë Cilësi të Allahut apo e shtrembërojnë atë, duke thënë se qëllimi me Mëshirën e Allahut janë dhuntitë dhe të mirat që jep Ai, apo se Ai dëshiron t’u japë të mira krijesave, dhe interpretime të tjera të pasakta.

Tek ky ajet bashkohen të tri llojet e teuhidit (rububije, uluhije dhe esma we sifat).

Prej Mëshirës së Allahut është: Dërgimi i Pejgamberëve dhe zbritja e Librave (përmes tyre arrihet jeta e zemrave dhe e shpirtrave).

***

Allahu thotë:Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde Gafir 7.

Këtë fjalë e kanë thënë engjëjt. Ky ajet tregon se dija e Allahut ka arritur/përfshirë çdo gjë, dhe aty ku ka arritur dija e Tij ka arritur edhe mëshira e Tij. Allahu i ka përmendur këto të dyja brenda një ajeti; mëshirën e Tij e ka përmendur krahas Dijes së Tij. Mëshira e Allahut është e përgjithshme, i përfshin të gjitha krijesat, madje edhe jobesimtarët (Allahu ka dijeni për çdo gjë, edhe për jobesimtarët, andaj e mëshiron edhe atë). Të gjithë njerëzit (si besimtarët edhe jobesimtarët) vërtiten dhe jetojnë në mëshirën dhe mirësitë e Tij. Mirëpo, mëshira e Allahut ndaj jobesimtarit është nga aspekti fizik, që ka të bëjë me jetën e kësaj bote, është mëshirë e mangët, krahasuar me mëshirën ndaj besimtarit. Allahu e furnizon jobesimtarin me ushqim, pije, rroba, strehim, martesë etj. Ndërsa, mëshira e Allahut ndaj besimtarit është shumë më e madhe, më e veçantë, ngase ajo ka të bëjë me fenë e tij, me dunjanë e tij dhe me ahiretin e tij. Allahu, në këtë jetë i ka mëshiruar besimtarët duke i udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe do t’i mëshirojë në jetën tjetër duke i siguruar prej frikës së madhe dhe duke i futur në xhenet. Besimtari e ka gjendjen më të mirë sesa jobesimtari edhe në këtë jetë (edhe nëse është duke jetuar në varfëri kurse jobesimtari në pasuri). Besimtari ka prehje shpirtërore, sepse ecën në kaderin e Allahut kudo që e dërgon. Nëse është në mirësi, e falënderon Allahun e nuk bëhet mendjemadh, nëse është në vështirësi tregon durim e nuk hidhërohet (me kaderin e Tij).

Në këtë ajet pohohet rububija e Allahut dhe gjithëpërfshirja e Dijes dhe e Mëshirës së Tij.

***

Allahu thotë: Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.” Ahzab 43.

Ky ajet na jep të kuptojmë se Allahu është i Mëshirshëm vetëm me besimtarët.

Mëshira që është përmendur në këtë ajet, nuk është e njëjta me mëshirën e përmendur në ajetin paraprak (ajo është mëshirë e përgjithshme që ka të bëjë me jetën e kësaj bote, andaj i përfshin edhe jobesimtarët). Ndërsa, kjo mëshirë e përmendur në këtë ajet është e veçantë vetëm për besimtarët në ahiret. Përndryshe, në jetën e kësaj bote, i mëshiruar është edhe besimtari edhe jobesimtari, porse ka dallim mes mëshirës së veçantë dhe asaj të përgjithshme.

Katade kanë thënë: “Mëshira e Allahut ka përfshirë çdokënd në jetën e kësaj bote, të mirin dhe të keqin, besimtarin dhe jobesimtarin, ndërsa në Ditën e Gjykimit është e veçantë vetëm për besimtarët.”

Andaj, duke harmonizuar mes këtyre dy ajeteve, arrijmë në përfundim se Mëshira e Allahut është dy lloje: 1. E përgjithshme (për besimtarët dhe jobesimtarët, si: furnizimi, të mirat, shëndeti etj.). 2. E veçantë (përfshin vetëm besimtarët në ahiret).

Gjurmët që ky ajet lë në zemrën e besimtarit: Nxitja e vazhdueshme drejt besimit dhe shtimit të tij. Sa më shumë që shtohet besimi, atëherë është më afër Mëshira e Allahut.

***

Allahu thotë: “…mëshira Ime përfshin çdo gjë.” Araf 156.

Allahu e lavdëron Vetveten në këtë ajet. Ajeti është i ngjashëm me ajetin e dytë, andaj ajo që është thënë për të thuhet edhe për këtë.

***

Allahu thotë: Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën.” Enam 54.

Allahu, për shkak të bujarisë, mirësisë dhe fisnikërisë së Tij, ia ka bërë obligim Vetes Mëshirën ndaj krijesave, e jo se dikush ia ka bërë obligim, si dhe ka bërë që Mëshira e Tij t’i paraprijë dënimit të Tij.

Krijesat nuk kanë të drejtë obligative ndaj Allahut, që për shkak të saj t’i mëshirojë. Argumentet tregojnë se robi me punët e përpjekjet e tij nuk mund ta detyrojë Allahun që ta shpërblejë atë me xhenet, gjithashtu tregojnë se Allahu është Ai i Cili ia ka bërë detyrë Vetes mëshirën dhe futjen e besimtarëve (njësuesve të Tij) në xhenet.

Disa dijetarë kanë shkruar: “Njerëzit nuk kanë ndonjë të drejtë obligative mbi Allahun, gjithashtu tek Ai nuk humbet asnjë vepër dhe përpjekje e tyre. Nëse ata ndëshkohen prej Allahut, kjo është me drejtësinë e Tij. Nëse ata shpërblehen, kjo është me mirësinë e Tij. Allahu është fisniku, bujari.”

Shejhul islam Ibën Tejmije rahimehullah ka thënë: “Fakti që robi i cili e adhuron Allahun meriton shpërblim, është meritë që vjen si rrjedhojë e mirësisë dhe bujarisë së Allahut, e nuk është meritë e barazisë (në kuptimin: ai ka bërë veprën dhe Allahu patjetër do ta shpërblejë në bazë të saj).” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse Allahu do t’i dënonte të gjithë banorët e qiejve dhe të tokës, Ai do t’i dënonte duke mos iu bërë padrejtësi.” Dhe ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk do të hyjë në xhenet me veprat e tij.” Ne nuk e meritojmë xhenetin me veprat dhe adhurimet tona që bëjmë. Ky hadith nuk e kundërshton ajetin: “shpërblim për punët e mira që kanë bërë”.

***

Allahu thotë: Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Junus 107.

Allahu në këtë ajet i ka bërë bashkë këta dy emra, për arsye sepse Falja e Allahut është e ndërlidhur me mosdënimin për mëkatet, pra nëse Allahu të bën magfiret atëherë nuk do të dënojë për mëkatet, kurse përmes Mëshirës së Allahut arrihet ajo që njeriu synon (xheneti). Dhe njeriu është nevojtar për këto dy gjëra: për faljen e mëkateve dhe të shpëtojë prej ndëshkimit të mëkateve dhe është nevojtar për Mëshirën e Allahut përmes së cilës arrihet xheneti. Dhe kështu arrin lumturinë në dunja dhe në ahiret.

Mëshirëploti d.m.th.: Mëshira e Allahut ka përfshirë çdo gjë.

***

Allahu thotë: Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” Jusuf 64.

Ne e dimë se krijesa më e mëshirshme për krijesat është nëna ndaj fëmijës. Asnjë mëshirë nuk mund të krahasohet me mëshirën e saj, madje as babai (në përgjithësi) nuk mund ta mëshirojë fëmijën e tij ashtu siç e mëshiron nëna. Askush nuk mund të jetë më i mëshirshëm ndaj të tjerëve ashtu siç është një nënë ndaj fëmijës së saj. Por, Allahu është më i mëshirshmi i mëshiruesve. Nëse mblidhen mëshirat e të gjitha krijesave, është një asgjë në krahasim me Mëshirën e Allahut. E njerëzit prapë e humbasin shpresën në Mëshirën e Tij (ky është mendim i keq ndaj Allahut). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e ka bërë mëshirën në 100 pjesë, te Vetja e Tij i ka ndalur 99 pjesë, ndërsa në tokë ka zbritur një pjesë me të cilën krijesat e mëshirojnë njëra-tjetrën…” Buhariu dhe Muslimi.

Ajo që përfitojmë prej ajeteve që flasin për Mëshirën e Allahut si Cilësi e Tij është se: kur njeriu e di se Allahu është Rrahim  – Mëshirëplotë, atëherë vazhdimisht është i lidhur dhe e pret atë, dhe kjo e shtyn të veprojë shkaqet përmes të cilave e arrin Mëshirën e Tij, si: bamirësia ndaj të tjerëve (sa më bamirës aq më afër Mëshirës së Tij), devotshmëria (frika ndaj Allahut), shtimi i besimit (me vepra të mira dhe me largim nga mëkatet) etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Akide Uasitije.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit