Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve
Allahu thotë: “Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve” Teube 91. Nuk ka qortim e ndëshkim për ata që kryejnë punët në formën më të mirë, nëse rrjedh ndonjë shkujdesje apo lëshim prej tyre. Ky ajet ka ardhur te ajetet që flasin për luftën e Tebukut, e cila ka ndodhur në vitin e 9-të sipas Hixhretit të muajit Rexheb. Në Medine ka pasur jobesimtarë, dyfytyrësh dhe besimtarë. Disa kanë ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me arsyetime për të mos marrë pjesë në luftë. Disa i ka arsyetuar Allahu e disa jo. Ata që janë arsyetuar janë ata që kanë pasur arsye të pranuara, “Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Teube 91. Kjo me kusht që njeriu të jetë i sinqertë, në nijet, në fjalë, në anën e brendshme e të jashtme. Ky parim është gjithëpërfshirës (nuk vlen vetëm për këtë ngjarje).
Muslimani nuk detyrohet me ndonjë ngarkesë përveçse me atë që e ka ngarkuar Allahu përmes fesë. Në origjinë, te besimtari është pafajësia derisa të pohohet e kundërta.
Me këtë parim dijetarët kanë argumentuar në të gjitha shkencat fetare. Shembull në fikh:
-dikush merr nën përgjegjësi të ruajë diçka të dikujt, është bamirës, merr të gjitha shkaqet për ta ruajtur atë, nuk tregon shkujdesje, por ndodh që ajo gjë të dëmtohet (jo nga shkujdesja e tij), atëherë këtu vlen ky parim dhe nuk detyrohet të kompensojë asgjë ngase është bamirës (muhsin) dhe ka marrë të gjitha shkaqet. Ndërsa, kur personi tregon shkujdesje dhe nuk e kryen siç duhet atë gjë, atëherë duhet të bëjë kompensim për dëmtimin.
Ku aplikohet ky parim?
─ Në realizimin e projekteve, aktiviteteve. P.sh.: një person përpiqet shumë, jep mund të madh për një organizim, ndoshta jep edhe nga pasuria e tij, kërkon ndihmë nga të tjerët, mirëpo askush nuk e ndihmon dhe megjithatë vazhdon, këmbëngul, nuk dorëzohet, e pastaj kur vjen çasti që të tjerët të përfitojnë prej këtij organizimi apo projekti, në vend që të vlerësojnë punën e tij e të jenë mirënjohës, i vërsulen me qortime e kritika (për ndonjë të metë apo defekt të mundshëm). Ky person përfshihet te ky ajet “Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve”.
Nëse personi bamirës ka bërë një gabim e lëshim, nuk do të thotë që t’i hedhet tërë mundi e puna që ka bërë. Kjo mund të ndodhë brenda shtëpisë, apo në shkollë, apo në punë, apo në davet etj. Nëse bamirësit (që kryejnë punët siç është më së miri), qortohen e kritikohen për shkak të ndonjë gabimi e lëshimi, atëherë kush mbetet të punojë?! Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të mos ketë këshilla kur ka vend për përmirësime, apo që të mos jepen mendime se si duhet të bëhet një gjë, mirëpo të jepen me butësi, duke ia ruajtur pozitën tjetrit dhe duke mos ia çuar huq mundin që ka dhënë.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.