Adhurimi nuk përfundon me Ramazanin

Adhurimi nuk përfundon me Ramazanin

Është mirë që njeriu të shikojë e të marrë mësim nga gjendja e besimtarëve të mëhershëm. Çështja e parë për të cilën janë brengosur ka qenë pranimi i veprave të mira të bëra në Ramazan. Ajo që i ka preokupuar ka qenë ajo se si dolën pas Ramazanit: a ishin prej atyre që dolën fitimtarë e të përgëzoheshin apo prej atyre që dështuan e të ngushëlloheshin.

Kur Aisha radijAllahu anha e ka dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke lexuar ajetin: “dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre…” e ka pyetur se a janë ata që bëjnë mëkate, pinë alkool e bëjnë imoralitet, i thotë: “Jo o Aishe. Por, janë ata që agjërojnë, japin lëmoshë dhe falen, mirëpo kanë frikë se a do t’iu pranohen tek Allahu.” Brenga e të gjithë besimtarëve pas kryerjes së adhurimeve ka qenë pranimi i tyre apo jo. Nuk është qëllimi vetëm bërja e veprave të mira të shumta, por me rëndësi është të bëhen me sinqeritet dhe në pajtim me sunetin, në mënyrë që nesër (në Ditën e Gjykimit) të mos befasohet njeriu, por të jetë prej të pranuarave tek Allahu.

Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Njeriu duhet të preokupohet më shumë me pranimin e veprës se me vetë veprën.” Pranimi i veprës tek Allahu është një dëshmi se je njeri i devotshëm, sepse: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” Maide 27.

Këtë gjë (pranimin e veprave) nuk do ta dimë veçse atëherë kur të takohemi me Allahun e të dalim para Tij.

Allahu ka lënë shenja për këtë, si:

» Gjendja e personit pas Ramazanit. Nëse është duke vazhduar pas Ramazanit me adhurime, kjo është shenjë që tregon se ka pasur efekt agjërimi që ka bërë. E nëse i është kthyer gjërave ashtu siç ka qenë para Ramazanit, kjo është shenjë se pak apo aspak nuk ka përfituar prej Ramazanit. Sa e mirë është vepra e mirë pas mëkatit, se ajo e shlyen mëkatin. Por, sa e keqe është vepra e keqe pas veprës së mirë, se ajo mund ta shkatërrojë veprën e mirë. Andaj, besimtari duhet të mundohet që edhe pas Ramazanit ta adhurojë Allahun ashtu siç e ka adhuruar gjatë Ramazanit. Nuk themi të jetë në të njëjtin nivel, ngase njeriu nuk ka mundësi të jetë adhurues i njëjtë si në këtë muaj ashtu dhe pas tij. Siç transmetohet në hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë bujar mirëpo në Ramazan ka qenë edhe më bujar. Mirëpo, nëse nuk kemi mundësi të jemi si në Ramazan, të agjërojmë, të falemi, të lexojmë Kuran, të bëjmë lutje e të japim lëmoshë, atëherë llojet e këtyre adhurimeve nuk duhet t’i braktisim kurrë (duhet të vazhdohen edhe pas Ramazanit, edhe nëse jo me atë nivel të njëjtë). Nëse ke lexuar 1 apo 2 apo 3 apo 4 xhuza të Kuranit në ditë gjatë Ramazanit, të mos shkojnë ditë e muaj pa e hapur musafin pas Ramazanit! Nëse ke bërë adhurim në netët e Ramazanit dhe e ke lutur Allahun gjatë Ramazanit, atëherë të mos shkojnë ditë e muaj pa u vetmuar me Atë pas Ramazanit. Besimtari duhet ta bëjë traditë që kur të nisë një vepër të mirë, edhe nëse nuk është e madhe, atëherë ta bëjë në vazhdimësi. kështu ka qenë tradita e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. E të mos jenë sezonale dhe të bëhen vetëm në Ramazan, sepse Zoti i Ramazanit është edhe Zoti i muajve të tjerë. Nëse e kemi madhëruar ramazanin, ai ka ikur, por e kemi Allahun i Cili është i Pafillim e Pambarim, i Cili na begaton me të mira dhe të Cilin duhet ta falënderojmë, i Gjalli i Përjetshmi. Atij të Cilit i bëjmë mëkate vazhdimisht, duhet t’i kërkojmë falje. Atë në mbikëqyrjen e të Cilit jemi vazhdimisht, duhet ta kemi frikë. Bindja vazhdon edhe pas Ramazanit, sepse Allahu është Krijuesi, Zoti, e ne jemi robër, dhe robi gjithmonë duhet të jetë i nënshtruar e i përulur ndaj Zotit të Tij.

Shkaqe që mundësojnë vazhdimin e veprave edhe pas Ramazanit:

» Lidhja me Allahun duke kërkuar ndihmën e Tij. Ne nuk do të mundeshim ta adhuronim Allahun në Ramazan, pa na udhëzuar Ai. Edhe ne jemi njerëz sikur ata që nuk agjëruan, por që Allahu na udhëzoi e na bëri muslimanë dhe bëri që të jemi prej atyre që e presin Ramazanin, që frekuentojnë xhamitë e të agjërojnë. Dhe assesi nuk duhet të kemi vetëpëlqim duke menduar se këto të mira i kemi arritur me suksesin dhe mençurinë tonë.

» Gjërat e mira vijnë me angazhim, e jo me përtaci dhe duke ndenjur. Duhet ta kuptojmë se çdo e mirë ka dhe koston e vet. Edhe udhëzimi ka koston, që është: angazhimi, vendosmëria, durimi, në adhurime, ngase për të gjitha këto ka joshje që tërheqin në të kundërtën e tyre.

» Lidhja me xhamitë dhe njerëzit e mirë. Ajo gjë që na lehtësonte, ishte atmosfera e Ramazanit. Kur shihnim të tjerët të agjërojnë atëherë më lehtë na vinte agjërimi, kur shihnim të tjerët të faleshin, apo të lexojnë Kuran, të bëjnë lutje, të japin lëmoshë etj. Nëse ka ikur Ramazani, atëherë mos t’i harrojmë xhamitë. Ata njerëz që na përkujtojnë ahiretin, mos t’i harrojmë.

» Rrugët e mirësisë janë të shumta e të mëdha, si: namazi, agjërimi, lëmosha, mirësjellja, respekti ndaj prindërve, të moshuarve etj., ku secili mund të gjejë derën përmes së cilës afrohet tek Allahu.

 

***

Nëse ka shkuar Ramazani dhe agjërimi, nuk do të thotë se ka përfunduar agjërimi në tërësi. Kemi agjërimin vullnetar: të hënën e të enjten, tre ditë në muaj, dita e Arafatit dhe dita e Ashures. Mirëpo, pas Ramazanit është mirë që të agjërohen gjashtë ditë të muajit Shewal. Kjo është një falënderim tjetër ndaj Allahut i Cili na mundësoi të agjërojmë muajin e Ramazanit, po ashtu është edhe si plotësim i mangësive që mund të ndodhnin gjatë agjërimit të Ramazanit. Dijetarët thonë se këto ditë të muajit Shewal janë sikur namazet nafile me të cilët plotësohen namazet farz në Ditën e Gjykimit.

 

Hoxhe Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Madhësia e tekstit