“Ki frikë Allahun dhe tregohu e duruar!”
Hadithi që flet për gruan e cila qante te një varr, të cilës Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i tha: “Ki frikë Allahun dhe tregohu e duruar!” Ajo i tha pa e njohur se kush ishte: “Largohu, se ti nuk je goditur me sprovën time!” Pasi e mori vesh se ai ishte i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, shkoi dhe i tha: “Nuk të kam njohur.” Atëherë i tha: “Durimi është në goditjen/tronditjen e parë (të sprovës)!”
***
» Kësaj gruaje i ka vdekur fëmija të cilin e ka dashur shumë, saqë nuk ka mundur të përmbahet pa shkuar të qajë te varri i tij. Ajo ka qarë më shumë sesa që është e lejuar ose ka vajtuar.
» Nuk ka dyshim se dhimbja për humbjen e të dashurve (apo të fëmijës) është shumë e madhe. Kjo është një sprovë e madhe. Dhe ka mundësi që shpirti të ngushtohet dhe durimi të tëhollohet dhe të mos mundet ta përballojë atë, mirëpo feja Islame ka ardhur që shpirtrat të cilët tregohen të paduruar gjatë fatkeqësive t’i kurojë përmes gjërave që lehtësojnë dhimbjen, si: përmes besimit në kader.
» Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk e ka qortuar dhe nuk i ka folur fjalë të rënda, por i ka thënë: “Ki frikë Allahun dhe duro!” Këto dy fjalë kanë ardhur në formë të urdhrit.
» Sikur i ka thënë: “Ki frikë zemërimin e Allahut nëse nuk tregohesh e duruar!”
» Ajo ka qenë shumë e rënduar emocionalisht, andaj nuk i është përgjigjur këtij udhëzimi.
» Ajo nuk e ka njohur të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem sepse ai nuk ka pasur turpërojë apo shenja e rroba që ta dallojnë prej të tjerëve. Ai ka qenë modest e i thjeshtë, ndërsa udhëheqësit e tjerë dallohen prej të tjerëve për nga rrobat apo gjëra të tjera.
» Ajo i ka thënë me ashpërsi “Largohu!”, e megjithatë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ia ka kthyer me të njëjtën, ngase ai ka qenë i butë dhe i mëshirshëm me besimtarët, por thjeshtë është larguar.
» Kur i kanë treguar se ai ka qenë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, nga pikëllimi e ka goditur një gjendje sikur të vdiste (kur e ka kuptuar se çfarë ka vepruar).
» Ajo, duke e ditur se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është falës i madh e i butë, ka gjetur qetësinë dhe ka shkuar tek ai të arsyetohet.
» I është betuar se nuk e ka njohur (i është aryetuar)[1], e prapë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk e ka qortuar apo nuk i ka thënë fjalë të rënda. Por i ka thënë: “Durimi është në goditjen/tronditjen e parë (të sprovës)!” duke përdor një metodë urtësie: Ai nuk është marrë me çështjen e saj personale të arsyetimit, por e ka trajtuar një gjë që është më e rëndësishme, e cila është durimi.
»“Durimi është në goditjen/tronditjen e parë (të sprovës)!” – Sa po tregohesh i duruar, sa po shpreson në shpërblimin e Allahut për këtë durim, sa ke mendim të mirë për Atë. Ndërsa, durimi që vjen më vonë, është diçka e natyrshme dhe e zakonshme (çdo njeri tregohet i durueshëm më vonë). Dhimbja për fatkeqësinë lehtësohet përmes besimit në kaderin e Allahut. Allahu thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” Hadid 22-23.
» Sabrun xhemil ka këto kushte:
- Të bëhet me sinqeritet për Allahun.
- Të mos ketë ankesë te njerëzit për Allahun.
- Durimi të jetë në kohën e vet (në çastin e goditjes).
» Qarja për të vdekurin te varri i tij lejohet, por me kusht të mos ngritët zëri, të mos bëhet në formë vajtimi dhe të mos thuhen fjalë që tregojnë për zemërim e hidhërim ndaj Caktimit të Allahut. Disa dijetarë e kanë parë të urryer këtë.
Qarja te varri i të vdekurit, sa herë që shkon për ta vizituar, e kundërshton durimin, ngase Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ki frikë Allahun dhe duro!”
Nëse dëshiron t’i bësh dobi të afërmit tënd të vdekur, duhet të lutesh për të, kjo madje bëhet duke qenë në shtëpinë tënde dhe nuk është e nevojshme shkuarja te varri apo shpeshtimi i vizitave te varri. Shkuarja e shpeshtë te varri i të vdekurit, e bën personin ta kujtojë shumë atë e ta ketë në mendje dhe t’i shtohet pikëllimi.
[1] Imam Neveviu rahimehullah ka thënë: “Arsyetimi para njerëzve me vlerë e me pozitë, nëse je sjell keq me ta, është prej edukatës islame.” Arsyetimi e justifikimi është prej sjelljeve të virtytshme dhe është stolisje për besimtarin. Andaj, është obligim pajisja me këtë moral të mirë.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim.