Surja el Infitar
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
إِذَا ٱلسَّمَآءُ ٱنفَطَرَتْ وَإِذَا ٱلْكَوَاكِبُ ٱنتَثَرَتْ وَإِذَا ٱلْبِحَارُ فُجِّرَتْ وَإِذَا ٱلْقُبُورُ بُعْثِرَتْ عَلِمَتْ نَفْسٌۭ مَّا قَدَّمَتْ وَأَخَّرَتْ يَٰٓأَيُّهَا ٱلْإِنسَٰنُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ ٱلْكَرِيمِ ٱلَّذِى خَلَقَكَ فَسَوَّىٰكَ فَعَدَلَكَ فِىٓ أَىِّ صُورَةٍۢ مَّا شَآءَ رَكَّبَكَ كَلَّا بَلْ تُكَذِّبُونَ بِٱلدِّينِ وَإِنَّ عَلَيْكُمْ لَحَٰفِظِينَ كِرَامًۭا كَٰتِبِينَ يَعْلَمُونَ مَا تَفْعَلُونَ إِنَّ ٱلْأَبْرَارَ لَفِى نَعِيمٍۢ وَإِنَّ ٱلْفُجَّارَ لَفِى جَحِيمٍۢ يَصْلَوْنَهَا يَوْمَ ٱلدِّينِ وَمَا هُمْ عَنْهَا بِغَآئِبِينَ وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا يَوْمُ ٱلدِّينِ ثُمَّ مَآ أَدْرَىٰكَ مَا يَوْمُ ٱلدِّينِ يَوْمَ لَا تَمْلِكُ نَفْسٌۭ لِّنَفْسٍۢ شَيْـًۭٔا ۖ وَٱلْأَمْرُ يَوْمَئِذٍۢ لِّلَّهِ.
- Kur qielli të çahet
- dhe yjet të derdhen;
- kur detet të përzihen
- dhe varret të rrotullohen,
- atëherë çdokush do të mësojë për veprat që ka bërë dhe që ka lënë pa bërë.
- O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar,
- i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi
- dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!
- Por jo! Ju e quani të gënjeshtërt Gjykimin (pas ringjalljes),
- ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë),
- shënues të nderuar,
- që dinë gjithçka që bëni.
- Vërtet, punëdrejtët do të jenë në Xhenet,
- kurse fajtorët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues,
- në të cilin do të digjen në Ditën e Gjykimit,
- pa mundur t’i shmangen atij.
- E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit?
- Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit?
- Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe, kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut.
Komentimi
“إِذَا ٱلسَّمَآءُ ٱنفَطَرَتْ – Kur qielli të çahet”- do të çahet në Ditën e Gjykimit.
“وَإِذَا ٱلْكَوَاكِبُ ٱنتَثَرَتْ – dhe yjet të derdhen”- në atë Ditë, yjet, qofshin të mëdha apo të vogla, të gjithë do të bien, shpërndahen, rrëzohen, derdhen, sepse universi do të shkatërrohet.
“وَإِذَا ٱلْبِحَارُ فُجِّرَتْ – kur detet të përzihen”- do të vërshojnë, deti që ka ujin e ëmbël do të përzihet me detin që ka ujin e njelmët, detet do të bëhen bashkë dhe do ta mbulojnë tokën.
“وَإِذَا ٱلْقُبُورُ بُعْثِرَتْ – dhe varret të hapen” dhe do të dalin jashtë të vdekurit, të ringjallen, për të dalë para Allahut.
Allahu na tregon se çfarë do të bëhet me njeriun kur të ndodhin këto katër gjëra.
“عَلِمَتْ نَفْسٌۭ مَّا قَدَّمَتْ وَأَخَّرَتْ – atëherë çdokush do të mësojë për veprat që ka bërë dhe që ka lënë pa bërë”- çdo shpirt do ta dijë dhe shohë atë që ka vepruar dhe atë që ka lënë pa vepruar, do t’i dalë përpara regjistri i veprave të tij, “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar”. Kehf 49. Ndërsa, në këtë dunja njeriu harron, është harrestar, veprat që bën apo nuk i bën i harron, qofshin të mira a të këqija, mirëpo ato do t’i ekspozohen në Ditën e gjykimit dhe do të japë llogari.
“يَٰٓأَيُّهَا ٱلْإِنسَٰنُ إِنَّكَ كَادِحٌ إِلَىٰ رَبِّكَ كَدْحًۭا فَمُلَٰقِيهِ – O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar”- Disa dijetarë thonë se Allahu i drejtohet me këto fjalë jobesimtarit, e disa të tjerë thonë se i drejtohet njeriut në përgjithësi, sepse njeriu është zullumqar i madh (i bën padrejtësi vetvetes), injorant i madh ndaj Allahut, apo është mohues i madh. Çfarë është ajo gjë që të mashtroi për Zotit tënd dhe e përgënjeshtron Ditën e ringjalljes, apo nuk i bindesh Atij?! Ka prej njerëzve që e mohojnë Allahun. Ajo që e ka mashtruar njeriun dhe pastaj është dhënë pas mëkateve dhe përgënjeshtrimit, është bujaria dhe butësia e Allahut.
“ٱلَّذِى خَلَقَكَ فَسَوَّىٰكَ فَعَدَلَكَ – i Cili të krijoi ty, të përsosi dhe të drejtoi”- Allahu të ka dhënë ekzistencë, të ka krijuar pasi ke qenë një hiç. Ai e ka përsosur krijimin e njeriut. E ka drejtuar atë duke e dalluar prej gjallesave të tjera (e ka bërë të qëndrojë drejtë, në dy këmbë).
“فِىٓ أَىِّ صُورَةٍۢ مَّا شَآءَ رَكَّبَكَ – dhe, që formësoi në formën që ka dëshiruar?!”- Ka prej njerëzve që janë të bukur, që nuk janë të bukur, që janë në mes të kësaj, ka që janë të zi, të bardhë, të kuq. Secilin e ka krijuar në bazë të vullnetit dhe të dëshirës së Tij. Megjithëkëtë, Allahu e ka krijuar njeriun në formën më të mirë, ai është krijesa më e mirë e më e përsosur. Nuk ka të meta e mangësi në krijimin e Allahut.
“كَلَّا بَلْ تُكَذِّبُونَ بِٱلدِّينِ – Por jo! Ju e quani e mohoni Gjykimin (pas ringjalljes)”- Me gjithë këtë krijim që ka bërë Allahu dhe këtë formë të përsosur të krijimit (si njeri), ju e përgënjeshtroni Ditën e Shpërblimit, në të cilën secili do të shpërblehet për veprat e bëra. Dinn ka dy kuptime: 1. Shpërblimi apo dënimi në Ditën e gjykimit, kur do të dalin për të dhënë llogari, 2. Feja e Allahut, ligjet e dispozitat e Islamit.
“وَإِنَّ عَلَيْكُمْ لَحَٰفِظِينَ – ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë)”- Ka prej njerëzve që e mohojnë këtë gjë, andaj Allahu po na vërteton në këtë ajet se ne gjithsesi kemi rojtarë, engjëj, që shkruajnë veprat tona. Çdo njeri ka një engjëj që shkruan fjalët dhe veprat e tij. Andaj, duhet të ketë kujdes shumë se çfarë flet e çfarë vepron.
“كِرَامًۭا كَٰتِبِينَ – shënues të nderuar”-janë të ndershëm tek Allahu e besnik, nuk janë të qortuar, nuk i bëjnë padrejtësi njeriut duke shkruar diçka që nuk ka vepruar ai dhe nuk ia humbasin një vepër (duke mos ia shkruar).
“يَعْلَمُونَ مَا تَفْعَلُونَ – që dinë gjithçka që bëni” -i dinë duke shikuar veprat e fjalët tona dhe i shkruajnë ato, i dinë veprat tona të zemrës, i shkruajnë ato dhe nijetin në lidhje me atë vepër.
Pastaj sqarohet përfundimi dhe shpërblimi për çdo njeri.
“إِنَّ ٱلْأَبْرَارَ لَفِى نَعِيمٍۢ – Vërtet, punëdrejtët do të jenë në kënaqësi”- Ebrar janë ata që bëjnë shumë vepra të mira dhe largohen shumë prej veprave të këqija. Ata do të jenë në kënaqësi të zemrës dhe të trupit, së pari në dunja (kënaqësinë e zemrës) e pastaj në ahiret (kënaqësinë e xhenetit). Nuk ka njerëz me zemra më të qeta dhe me mendje e shpirt më të qetë sesa ata që janë ebrar – punëdrejtë (mundohen shumë në veprimin e veprave të mira dhe në largimin prej veprave të këqija). Disa nga selefi kanë thënë: “Sikur të dinin mbretëritë dhe bijtë e tyre për kënaqësinë që kemi në gjokset tona, do të përpiqeshin të na luftonin me shpatat e tyre për të na marrë atë.”
“وَإِنَّ ٱلْفُجَّارَ لَفِى جَحِيمٍۢ – kurse mëkatarët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues”- qëllimi është për jobesimtarët, të cilët janë të kundërt me ata që janë ebrar. Në zjarrin (xhehim) që djeg lëkurat dhe mishin e tyre.
“يَصْلَوْنَهَا يَوْمَ ٱلدِّينِ – në të cilin do të digjen në Ditën e Gjykimit” – në Ditën e shpërblimit dhe ndëshkimit, kur do të marrin këtë ndëshkim prej Allahut.
“وَمَا هُمْ عَنْهَا بِغَآئِبِينَ – pa mundur t’i shmangen atij”- Nuk mund të ikin prej aty, nuk mund të dalin, do të jenë gjithmonë aty, përherë.
“وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا يَوْمُ ٱلدِّينِ – E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit?”
“ثُمَّ مَآ أَدْرَىٰكَ مَا يَوْمُ ٱلدِّينِ – Edhe njëherë: Kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Dita e Gjykimit?”- Me këtë pyetje në këto dy ajete do të tregojë për peshën e madhe të kësaj Dite. Kuptimi i ajeteve: Ai që di për këtë Ditë jam vetëm Unë, vetëm Unë e di peshën e madhe të saj, kurse njeriu di pak për rëndësinë e saj, nga njerëzit janë vetëm pak ata të cilët i frikësohen kësaj dite.
“يَوْمَ لَا تَمْلِكُ نَفْسٌۭ لِّنَفْسٍۢ شَيْـًۭٔا ۖ وَٱلْأَمْرُ يَوْمَئِذٍۢ لِّلَّهِ – Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut”- Në atë Ditë askush nuk mund t’i sjellë të mira tjetrit apo t’ia largojë një të keqe. Në këtë jetë dikush jep urdhra ndaj të tjerëve (që janë nën të), mirëpo në ahiret urdhri dhe çështja është vetëm në dorën e Allahut. Në atë Ditë njerëzit do t’i kaplojë frika, brenga dhe shqetësimi i madh, sepse askush nuk mund të ndihmojë përveçse me lejen e Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.