أن رجلاً سأل رسول الله صلى الله عليه وآله وسلم فقال: أرأيت إذا صليت المكتوبات، وصمت رمضان، وأحللت الحلال، وحرمت الحرام، ولم أزد على ذلك شيئاً، أدخل الجنة؟ قال نعم.
Erdhi një njeri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e pyeti: “Më trego! Nëse unë i fali vetëm namazet e detyruara (farz), e agjëroj Ramazanin, të lejuarën e pranoj të lejuar dhe të ndaluarën e pranoj të ndaluar dhe nuk shtoj më shumë se kaq, a do të hyj në xhenet?” Iu përgjigj: “Po.” Transmeton Muslimi.
Imam Neveveiu thotë: “Të ndaluarën e pranoj të ndaluar”- d.m.th. largohem prej saj. Ndërsa, “të lejuarën e pranoj të lejuar” d.m.th. e veproj duke besuar se është e lejuar.
Edhe në këtë hadith shohim kujdesin e madh të sahabëve për ta pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem për gjëra të dobishme dhe këtu na tregohet se cilat kanë qenë synimet e tyre. Dhe synimi i tyre më i lartë ka qenë hyrja në xhenet. Ky burrë kërkoi të dijë rrugën përmes së cilës hyn në xhenet.
-“Nëse unë i fali vetëm namazet e detyruara (farz)” është fjala për pesë namazet që janë farz, obligim. Këtu përjashtohen namazet vullnetare. Muslimani e ka obligim të falë pesë kohët e namazit gjatë ditës dhe natës, “…namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar” Nisa 103. Kurse, namazet e tjera përveç këtyre pesë, nuk janë obligim përveç nëse ka ndonjë arsye që i bën obligim. Nëse njeriu vepron vetëm pesë namazet farz, ai nuk qortohet dhe kjo nuk është shkak të privohet nga hyrja në xhenet.
“e agjëroj Ramazanin” – është obligim të agjërohet, këtu përjashtohet agjërimi vullnetar. Hadithi na tregon se namazet farz dhe agjërimi janë prej shkaqeve të hyrjes në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe me shpresë, do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi.
-“të lejuarën e pranoj të lejuar” – Mendimi i parë: E veproj duke e besuar për të lejuar (këtu kërkohet veprimi i saj), ndërsa mendimi i dytë: E besoj për të lejuar prej Allahut (nuk kam asnjë dyshim) edhe nëse nuk e veproj. Mendimi i parë nuk është i duhuri sepse veprimi i çdo gjëje që është e lejuar (hallall) është një gjë e pamundur të arrihet, jo çdokush mund t’i veprojë të gjitha lejesat sepse ato janë të shumta. Mendimi i dytë është më parësor.
“dhe të ndaluarën e pranoj të ndaluar”- largohem prej të ndaluarave (harameve), por shpjegimi më i plotë është: E besoj të ndaluarën të tillë dhe nuk e veproj.[1] Dhe besimi se është e ndaluar një gjë që e ka ndaluar Allahu, kjo është obligim dhe çështje e besimit. Nëse beson se një gjë është e ndaluar dhe e braktisë atë, kjo është adhurim (sepse e lë për shkak të besimit se Allahu e ka bërë haram dhe e lë për hir të Tij, i tilli do të shpërblehet).
“a do të hyj në xhenet” – Xheneti është banesa e kënaqësisë, e përgatitur prej Allahut për besimtarët e tij të devotshëm. Aty ka shpërblime e kënaqësi që syri nuk i ka parë, veshi nuk ka dëgjuar për to dhe zemra nuk mund t’i parafytyrojë ato. Në xhenet do të ketë fruta, palma, mish, ujë, qumësht, mjaltë etj., mirëpo realiteti i tyre është tjetër, dallojnë në skajshmëri prej atyre që janë në këtë botë me emra të njëjtë. Allahu thotë: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Sexhde 17.
Çështje: Këtu janë përmendur vetëm disa adhurime, si: namazi, agjërimi, pranimi i të lejuarës dhe i të ndaluarës për të tilla, dhe nuk përmendet zekati e as haxhi. Kanë ardhur disa transmetime të tjera të cilat mund të jenë bazë e këtij hadithi. Transmetohet se një prej beduinëve ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e ka pyetur për çështjet e Islamit, i ka thënë: “Më trego se çfarë më ka bërë obligim Allahu prej namazit?” I është përgjigjur: “Pesë kohët e namazit, përveç nëse dëshiron të shtosh vullnetarisht (nafile).” E ka pyetur për agjërimin dhe i është përgjigjur: “Agjërimin e Ramazanit përveç nëse do të shtosh agjërim vullnetar.” E ka pyetur edhe për zekatin. Dhe në fund i ka thënë: “Pasha Atë që të ka nderuar me Shpallje, nuk do të shtoj asgjë më shumë e as nuk do t’i pakësoj (këto farze).” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ky njeri do të hyjë në xhenet, nëse është duke e thënë të vërtetën.” Në një transmetim tjetër thotë: “Kush dëshiron të shikojë një prej banorëve të xhenetit, le ta shikojë këtë njeri.” Ka ardhur në një transmetim tjetër se ka ardhur një beduin te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe e ka pyetur për të gjitha shtyllat e Islamit. Këto hadithe tregojnë se ai që i zbaton këto obligime, këto shtylla (pas shehadetit), duke e adhuruar Allahun përmes tyre dhe të ndaluarat e të lejuarat i pranon të tilla, duke u treguar i bindur dhe adhurues ndaj Tij, ai do të jetë prej banorëve të xhenetit.
Në disa hadithe hyrja në xhenet përmendet si rezultat i fjalës së teuhidit, e në disa tjera si rezultat i faljes së namazit, apo i agjërimit etj. Përmbledhtas, këto transmetime, kanë qëllim nëse ato vepra kryhen duke u përmbushur kushtet e duke u larguar pengesat, apo kryhen duke u shoqëruar me teuhid. Këto janë dy interpretime prej dijetarëve. Hyrja në xhenet arrihet përmes rrugëve të ndryshme. Në tekstet e Kuranit dhe sunetit ku përmendet se hyrja në xhenet bëhet si rezultat i disa veprave, kjo është e vërtetë. Ai që zbaton teuhidin dhe vepron vepra të mira, atij i premtohet hyrja në xhenet, dhe premtimi i Allahut është i vërtetë.
Mirëpo, kur përmendet hyrja në xhenet (“do të hyjë në xhenet”) nganjëherë është për qëllim se njeriu do të hyjë menjëherë (pa u dënuar), e nganjëherë përfundimisht (pasi është dënuar). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka njëri që thotë La ilahe ilAllah dhe pastaj vdes në këtë besim, veçse do të hyjë në xhenet.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe: “Ai që e takon Allahun duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim, do të hyjë në xhenet.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe: “Janë pesë kohë të namazit të cilat Allahu ua ka bërë obligim njerëzve. Kush i kryen ato, duke mos i humbur asnjëra dhe duke mos mangësuar asgjë prej të drejtave të tyre (kushteve, obligimeve etj.), ka premtim prej Allahut se do ta fusë në xhenet.” Ahmedi, Ebu Daudi etj.
Ngjashëm me këtë është dhe mohimi i hyrjes në xhenet, pra kur në tekstet fetare mohohet hyrja në xhenet për ndonjë vepër, për qëllim është hyrja fillestare ose përfundimtare (nuk do të hyjë kurrë). Është mohuar hyrja fillestare në xhenet për ithtarët e teuhidit, por që kanë pasur me vete (kur të ringjallen) mëkate të cilat Allahu nuk ua fal dhe fillimisht duhet të pastrohen prej tyre duke u dënuar në xhehenem (p.sh kanë bërë bartje të fjalëve për të bërë përçarje, apo kanë shkëputur lidhjet farefisnore etj.). Ndërsa, atyre që u mohohet hyrja në xhenet, në fillim e në fund, janë jobesimtarët, mohuesit, “Me të vërtetë, atyre që i mohuan shenjat Tona me mendjemadhësi, nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as që do të hyjnë në Xhenet, derisa të kalojë deveja nëpër vrimë të gjilpërës.” Araf 40.
[1] Ai që beson se një e gjë është e ndaluar (haram) dhe e vepron atë, atëherë ai është prej atyre që e përfshijnë tekstet kërcënuese të Kuranit dhe sunetit dhe është mëkatar. Ndërsa, ai që nuk e beson të ndaluarën për të ndaluar, edhe pse ka argumente se Allahu e ka bërë të ndaluar, atëherë ai është jobesimtar sepse me këtë nuk e ka besuar Atë në lajmet dhe urdhrat e Tij, apo ka besuar gjëra të tjera e jo ato të cilat Allahu na ka urdhëruar t’i besojmë.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.