Fjalë freskuese lidhur me diturinë

Fjalë freskuese lidhur me diturinë

⭐️Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i dhëntë shkëlqim në fytyrë atij njeriu i cili dëgjon thënien time, pastaj e mëson përmendsh, e kupton dhe e përcjell atë!” Sahih.

Këtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka ndërlidhur thirrjen për atë i cili mëson. Pra, edhe nëse e mëson një gjë të thjeshtë prej fesë. Kushdo që dëgjon diçka prej haditheve, e mëson përmendsh dhe e kupton, e ka për obligim ta përcjellë tek të tjerët. Dhe, kushdo që mëson diçka prej fesë dhe e kupton atë (i qartësohet me argumente) dhe e transmeton tek të tjerët, atëherë do ta përfshijë kjo lutje e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ky shpërblim.

Sot, përhapja e davetit dhe e hajrit, nuk mund të arrihet ndryshe përveçse përmes bashkëpunimit mes nesh. Nëse dikush mendon se i vetëm, apo vetë i dyti e i treti, mundet të bëjë davet dhe se nuk ka nevojë për të tjerët në këtë rrugë, kjo është e pamundur, porse është obligim bashkëpunimi në mirësi e devotshmëri. Dikujt Allahu ia ka mundësuar të mësojë të tjerët, dikujt të mbajë ligjërata, dikujt të urdhërojë të tjerët për vepra të mira, dikush tjetër ka mundësinë të shpërndajë libra, dikush tjetër shkruan për fe etj. Secili që punon sado pak për të përhapur fenë e Allahut, shpresojmë të futet tek ky hadith dhe në realizimin e mirësisë që përmendet në të.

⭐️”Kush merr rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson rrugën drejt Xhenetit. Vërtet, engjëjt shtrijnë krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e dijes.” Ahmedi dhe të tjerët.

-Dija nuk mund të arrihet ndryshe veçse nëse kemi ambicie të larta.

-Në kohën e sotme është lehtësuar shumë kërkimi i dijes, mirëpo prapë njerëzit tregohen të shkujdesur në këtë dhe nuk e japin mundin të mësojnë për fenë e Allahut.

-Ka prej njerëzve që përpiqen shumë në kërkimin e dijes dhe lodhen në këtë rrugëtim – këta meritojnë të kenë përshkrimin e ardhur në këtë hadith.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Për atë që ua mëson të tjerëve hajrin, kërkon falje çdo gjë.” Jo vetëm krijesat e gjalla, por edhe ato pa intelekt. Kjo është për atë njeri i cili përpiqet e lodhet në kërkimin e dijes.

-Andaj, besimtari duhet të ketë ambicie të larta dhe qëllime të mëdha që të mësojë fenë e tij. Ai nuk duhet të nënçmojë veten e të thotë se kjo rrugë është e lodhshme dhe e paarritshme, apo të thotë se ka shumë dijetarë dhe nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë, ngase mund të vijë një ditë kur njerëzit do të kenë nevojë për atë pak dije që ke.

-Kur njeriu përpiqet të mësojë për fenë e Allahut, të cilën e ka lënë trashëgim Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, kjo është një vlerë e madhe për të. Andaj, kur të na ulen ambiciet në kërkimin e dijes apo dembelosemi, duhet t’ia kujtojmë vetes këtë hadith dhe se kërkuesit e dijes janë trashëgimtarët e Profetëve.

-Lodhja në rrugën e dijes dhe ambicia e lartë është ajo që kërkohet sot te praktikuesit e Islamit. Ata duhet të kujtojnë edhe shpërblimin e shumtë që e pret, në këtë botë dhe tjetrën. Krahas kësaj duhet ta lusë Allahun t’i japë sukses dhe ta ndihmojë të ndjekë këtë rrugë.

-Mos e nënçmo asnjë dije që merr. Mirëpo, e rëndësishme është që të merret dija e pastër, e qartë, e saktë, sipas parimeve.

-Për besimtarin, dija duhet të jetë gjëja më e rëndësishme.

-Dija është e gjerë. Andaj, merre atë pjesë që të bën dobi, veçanërisht atë dije që ka të bëjë me njësimin e Allahut (teuhidin)  dhe besimin (akiden) sepse kjo e përmirëson të brendshmen dhe të jashtmen tënde.

Dija…

» Dobia e dijes përfshin të gjitha krijesat, ndërsa adhuruesi me adhurimet që kryen, i bën dobi vetëm vetes së tij.

» Përmes dijes ngjallet feja e Allahut.

» Dija renditet menjëherë pas Profecisë.

» Ibën Abbasi radijAllahu anhu ka thënë: “Mësimi i ndërsjellë mes dy personave apo më shumë, për fenë e Allahut, në një pjesë të kohës gjatë ditës, është më mirë sesa falja tërë natën namaz nate.” Katate rahimehullah ka thënë: “Një çështje të cilën e mëson përmendsh, që të përmirësosh me të veten e pastaj t’ua mësosh të tjerëve, kjo është më mirë sesa adhurimi i një viti.”  Imam Shafiu rahimehullah ka thënë: “Kërkimi i dijes është më i mirë sesa namazi vullnetar.”

» Në kohën e sotme jemi dëshmitarë se është shtuar leximi. Njerëzit sot lexojnë shumë (në libra, në rrjetet sociale etj.), mirëpo pak prej tyre e kuptojnë atë që lexojnë.

» Çdokujt të cilit Allahu i ka dhënë aftësi, të gjykuar të drejtë dhe të kuptuar, patjetër duhet të sakrifikojë prej vetës së tij që të arrijë sa më shumë dituri fetare. Kërkimi i diturisë dhe përhapja e saj është prej luf.tës në rrugën e Allahut.

» Kërkimi i dijes (duke ndarë një kohë për të mësuar dije dhe për ta kuptuar), është shumë më e mirë sesa veprimi i veprave vullnetare. Dobia e dijes është e përgjithshme. Ai që merr dije dhe jep mund e përpjekje të madhe në këtë, do t’iu bëjë dobi të gjithë njerëzve. Dobia e kësaj dije do të mbetet për vite të tëra.

» Allahu i jep shumë bereqet një besimtari i cili di pak prej çështjeve fetare (por i di mirë) dhe ua mëson të tjerëve (i shpërndan).

» Është obligim për muslimanin e sidomos për kërkuesin e dijes, që të japë përpjekje maksimale të kërkojë sa më shumë dije. Ai nuk duhet të lejojë t’i ikë koha e rinisë sepse kjo është periudha më e mirë kur mëson dhe përfiton.

» Nëse Allahu të ka dhënë talent, dhunti, aftësi dhe të kuptuar për të kërkuar dituri, apo edhe shëndet, e disave u ka dhënë edhe kohë të lirë (nuk janë të angazhuar me punë të ndryshme apo me përgjegjësi, porse e humbasin kohën në çështje të padobishme), e megjithatë nuk mësojnë dije, atëherë kjo është një humbje e madhe. Dija është adhurimi më madhështor me të cilin afrohemi tek Allahu. Kërkimi i diturisë është një adhurim më i madh sesa bërja e veprave vullnetare.

» Është obligim për çdo kërkues të dijes në veçanti dhe për çdokënd që dëshiron të jetë i udhëzuar në bazë të dijes, që t’i kushtojnë rëndësi kërkimit të saj dhe të mos iu ndahen njerëzve të dijes.

» Disa nga selefi kanë thënë: “Në fillim të Islamit, adhurimet vullnetare kanë qenë gjëja më e vlefshme që kanë bërë muslimanët e parë, mirëpo më vonë, kërkimi i diturisë u bë adhurim më i vlefshëm e më i madh sesa bërja e adhurimeve vullnetare.” Nevoja për dije sot është shumë më e madhe sesa më parë. Gjendja e njerëzve sot tregon se ata kanë nevojë të madhe për dije.

» Njeriu, sa më shumë që pajiset me dije, aq më shumë e ka frikë Allahun. Nuk është qëllimi që vetëm të dëgjojë shumë, të lexojë shumë, të ketë kulturë të leximit e të flasë rreth çështjeve të fesë; kjo gjë sot madje është shtuar shumë. Mirëpo, qëllimi është pajisja me dije të dobishme, bazat e së cilës i kanë vendosur dijetarët e sunetit – imamët prej selefit.

» Ai i cili ka qëllim t’i përmbahet rrugës së drejtë dhe adhurimit ndaj Allahut, duhet të kërkojë dije deri në vdekje. Nuk ka ndonjë periudhë gjatë së cilës kërkohet dija e pastaj ta lërë atë. Gjëja që nxitë drejt kësaj është të dish se nuk ka adhurim i cili të afron më shumë tek Allahu, adhurim më të madh, më madhështor dhe me peshë më të rëndë, prej adhurimeve vullnetare, sesa kërkimi i diturisë.

» Besimtari duhet të ndjejë gëzim e lumturi të madhe nëse ende ka njerëz të dijes (të bazuar në Kuran e sunet) në kohën në të cilën është duke jetuar. Me vazhdimin e ekzistimit të dijetarëve vazhdon të ekzistojë edhe dija, ndërsa me mosekzistimin e tyre largohet dija.

» Besimtari i cili kërkon dije e ka për obligim të pastrojë nijetin e tij, ngase kërkimi i dijes është adhurim, madje është prej adhurimeve më të rëndësishme. Për t’u pranuar ky adhurim tek Allahu apo për t’iu bërë dobi të tjerëve përmes saj, kërkohet kushti që të bëhet për hir të Allahut, sinqerisht, dhe të pasohet sunetin. Nga gjërat që e prishin nijetin e personit i cili kërkon dije: kërkimi i dijes për të debatuar dhe polemizuar me njerëzit, rivaliteti me njerëzit e dijes, shtimi i informatave që të kthejë fytyrat e njerëzve kah vetja, përfitimi i pasurisë nga udhëheqësit etj. Ndërsa, nijeti i saktë dhe korrekt në kërkimin e dijes është kur ne e kërkojmë atë për të larguar mosdijen prej vetes dhe pastaj edhe prej të tjerëve. Disa njerëz fillimisht e kanë nijetin e mirë në kërkimin e dijes, mirëpo kur përzihen me të tjerët atëherë u prishet nijeti, duke pasur për qëllim t’i kthejnë njerëzit kah ata, të përfitojnë ndonjë pozitë, të bëhen të famshëm etj. Ky nijet e humbet shpërblimin tek Allahu, madje personi e ekspozon veten ndaj zemërimit të Allahut. Nëse njeriu kërkon dije duke pasur qëllim parësor të marrë një diplomë, apo të arrijë një vend pune e rrogë, ky është nijet i prishur dhe kjo vepër nuk pranohet tek Allahu. Kërkuesi i dijes, herë pas here, duhet të përmirësojë nijetin e tij, qoftë kur të dëgjojë varg ligjëratash të dijetarëve, apo kur të lexojë libra etj. Kur njeriu është i sinqertë në kërkimin e dijes, atëherë nuk brengoset se a janë njerëzit të kënaqur me të apo jo, a e lavdërojnë apo jo, sepse qëllimi i tij është përmirësimi i zemrës dhe i raportit me Allahun. Kur njeriu e kërkon dijen me këtë qëllim, atëherë Allahu i jep bereqet dhe e bekon në atë dije.

» Dija e dobishme si rezultat sjellë qetësi te personi, ai është i qetë, nuk debaton dhe nuk bën polemika të zjarrta. Ndërsa, nëse është për qëllim të arrihet deri tek e vërteta përmes polemizimit, atëherë kjo është e lavdëruar dhe quhet polemikë e mirë. Kurse, debati apo polemizimi në gjëra që nuk sjellin rezultate të dobishme, apo për të ngritur veten mbi të tjerët, kjo është e nënçmuar në Islam.

» Kërkuesi i dijes duhet të pajiset me morale shumë të larta, disa prej të cilave janë të obligueshme e disa janë të preferueshme. Ai që kërkon dije për hir të Allahut, atëherë kjo është një prej shkaqeve që të zbukurojë veten me frikë ndaj Atij. Kërkimi i dijes është një prej shkaqeve më të mëdha për të arritur dashurinë e Allahut, por gjithashtu frika ndaj Tij është prej shkaqeve kryesore që dija të lëshojë rrënjë thellë në zemrën e besimtarit e të ketë dobi prej saj. Andaj, është obligim për kërkuesin e dijes që qëllimi kryesor i tij të jetë përmirësimi i raportit mes tij dhe Allahut – në zemrën e tij të shtohet frika ndaj Tij. Kur njeriu ka frikë ndaj Allahut kjo do të ndikojë që të përfitojë prej dijes që merr dhe që ajo të qëndrojë tek ai. Allahu thotë: “E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” Nisa 66-69.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shkëputur nga seria “Bazat e imanit – Tema për kërkimin e dijes”  – Ligjëruar para 7 vitesh te Qendra “Udhëzimi”, Prishtinë.

Madhësia e tekstit