Komentimi i dy ajeteve te fundit të sures Bekare

Dy ajetet e fundit të sures Bekare

  • ءَامَنَ ٱلرَّسُولُ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِۦ وَٱلْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَمَلَٰٓئِكَتِهِۦ وَكُتُبِهِۦ وَرُسُلِهِۦ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍۢ مِّن رُّسُلِهِۦ ۚ وَقَالُوا۟ سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۖ غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ ٱلْمَصِيرُ
  • لَا يُكَلِّفُ ٱللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا ۚ لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا ٱكْتَسَبَتْ ۗ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَآ إِن نَّسِينَآ أَوْ أَخْطَأْنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَآ إِصْرًۭا كَمَا حَمَلْتَهُۥ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِۦ ۖ وَٱعْفُ عَنَّا وَٱغْفِرْ لَنَا وَٱرْحَمْنَآ ۚ أَنتَ مَوْلَىٰنَا فَٱنصُرْنَا عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ.

I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe tek Ti do të kthehemi!

Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë (mundësisë) që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh (umetet e mëhershme)! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta përballojmë! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” Bekare, ajetet 285-286.

Vlera e leximit të këtyre dy ajeteve

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare brenda natës, do t’i mjaftojnë.” Buhariu dhe Muslimi.
  • Dhe: “Më është dhënë prej Allahut fundi i sures Bekare, që është pjesë e një thesari brenda një shtëpie nën Arshin e Allahut.”
  • Dhe: “Vërtet, Allahu e ka shkruar një shkresë dy mijë vjet para se të krijonte qiejt e tokën, prej së cilës ka zbritur dy ajetet me të cilat e ka përmbyllur suren Bekare. Nuk lexohen në një shtëpi tre netë veçse asaj nuk i afrohet shejtani.”
  • Transmetohet se Abdullah ibën Abbasi radijallahu anhu ka thënë: “Një ditë, Xhibrili u ul pranë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe dëgjoi një zë prej lartë, pastaj ngriti kokën dhe tha: “Kjo është një derë prej dyerve të qiellit e cila është hapur për herë të parë.” Përmes saj zbriti një engjëll. Thotë Xhibrili: “Ky engjëll ka zbritur për herë të parë në tokë.” Dhe ky engjëll i jep selam dhe i thotë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Përgëzim për ty se të janë dhënë dy drita, të cilat nuk i janë dhënë askujt më parë! Ato janë: Surja Fatiha dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare.” Muslimi.
  • “Kush e lexon Suren Bekare, tre ditë nuk i afrohet shejtani asaj shtëpie.” Dhe mirësia e Allahut është e gjerë. Lejohet të themi se të dyja e kanë këtë vlerë: qoftë nëse lexohet komplet surja Bekare apo vetëm dy ajetet e fundit të saj.

Sqarimi i hadithit

“Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare brenda natës, do t’i mjaftojnë.” Buhariu dhe Muslimi.

Kush i lexon” – I lexon me meditim, duke ditur kuptimet e tyre dhe duke i zbatuar ato (jo si vjershë, pa vëmendje), atëherë do t’i mjaftojnë.

“do t’i mjaftojnë” – domethënë:

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim sikur të ishte falur tërë natën duke lexuar Kuran.

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim sikur të lexonte Kuran tërë natën.

▪ Do t’i mjaftojnë për të gjitha çështjet që përfshin besimi i besimtarit (e ka arritur besimin e saktë).

▪ Do t’i mjaftojnë si mbrojtje prej çdo të keqeje, prej çdo gjëje që është e dëmshme dhe prej çdo gjëje që nuk e pëlqen.

▪ Do t’i mjaftojnë prej të këqijave që vijnë prej shejtanit, apo njerëzve e xhindëve.

▪ Do t’i mjaftojnë prej të këqijave të të gjitha sëmundjeve (nuk sëmuret atë natë).

▪ Do t’i mjaftojnë si shpërblim për të gjitha veprat e tjera që mund t’i kishte bërë atë natë.

Ky ajet (siç thonë dijetarët) përfshin të gjitha këto kuptime. Në përgjithësi, këto dy ajete do t’i mjaftojnë prej çdo të keqeje dhe çdo gjëje të cilës i frikësohet.

Kur lexohen këto dy ajete?

∞ Lexohen brenda natës, duke filluar nga perëndimi i diellit deri në kohën e sabahut.

∞ Ky është dhikër i natës.

∞ Më e mira është të lexohen posa të perëndojë dielli, pa i vonuar (deri vonë).

Ajo që i takon besimtarit është që të mos i ikë ndonjë natë pa i lexuar këto dy ajete, në mënyrë që të arrijë këtë premtim kaq fisnik.

Transmetohet Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Nuk e shoh të mirë për një njeri që ka hyr në Islam dhe i cili është i mençur, të flejë para se të lexojë Ajetul kursij dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare.”

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që i lexon këto ajete dhe i kupton domethëniet e tyre, që janë: të vërtetat e fesë, pesë nga bazat e besimit, kundërpërgjigje ndaj pasuesve të së kotës, mirësia që i janë dhënë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe umetit të tij dhe dashuria e Allahut ndaj tyre më shumë se ndaj umeteve të tjera, atëherë ai ka arritur dije të madhe dhe i ka hije ajo.”

Besimtari duhet t’i kushtojë rendësi të veçantë këtyre dy ajeteve. Së pari, t’i mësojë përmendsh, t’i lexojë, të meditojë mbi kuptimet e tyre dhe t’i zbatojë në jetën e përditshme.

***

 

Komentimi

ءَامَنَ ٱلرَّسُولُ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِۦ وَٱلْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَمَلَٰٓئِكَتِهِۦ وَكُتُبِهِۦ وَرُسُلِهِۦ

I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij” – Ata së pari besojnë Allahun dhe çdo gjë me të cilën Ai i ka urdhëruar të besojnë. Ata i binden dhe i nënshtrohen plotësisht Allahut në të gjithë urdhrat e Tij.

Besimi që përmendet në këtë ajet:

-Përfshin besimin në të gjitha ato për të cilat na ka njoftuar Allahu për Vetën e Tij dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për Allahun (si: Cilësitë e Tij). Besojnë se Allahu është i Vetëm (në të tre llojet e teuhidit), është Krijuesi i Vetëm dhe se vetëm Ai duhet të adhurohet.

-Përfshin besimin në të gjithë engjëjt (emrat, cilësitë e numrin e tyre, detyrat me të cilat janë ngarkuar etj.). Besojnë se Allahu ka krijuar engjëj dhe u caktuar atyre detyra, gjithashtu besojnë engjëjt të cilët janë përmendur me emra (Xhibrili, Israfili, Mikaili etj.).

-Përfshin besimin në Librat që u kanë zbritur të Dërguarve. Besojnë se Allahu ka zbritur Libra te Pejgamberët e Tij dhe se në to është udhëzimi e mirësia, gjithashtu i besojnë ato me emrat e tyre (Tewrati, Inxhili, Zeburi etj.) dhe se cilëve Profetë u janë zbritur.

-Përfshin besimin në të Dërguar. Besojnë se Allahu ka dërguar Profetë – njerëz të veçuar me Shpallje, gjithashtu i besojnë me emrat e tyre të përmendur në Kuran e sunet. Ndërsa, sa i përket besimit në Muhamedin salAllahu alejhi ue selem kërkohet besim i detajuar.

-Përfshin besimin në ngjarjet e historitë e përmendura në këto Libra, besimin në urdhrat dhe ndalesat e zbritura në to.

(Është fjala për) Besim me nënshtrim, pranim me nënshtrim i të gjithë asaj që ka ardhur prej Allahut (si: dispozita, lajme, histori, shembuj, urtësi etj.), qoftë në Kuran apo sunet.

Kjo fjali përmendet në kontekstin e lavdërimit dhe të marrjes mësim (për ne që kemi ardhur më vonë).

لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍۢ مِّن رُّسُلِهِۦ

(duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij” – Nuk bëjnë dallim në besimin në të Dërguar, të gjithëve u besojnë. Ata nuk thonë “Ky është i Dërguar e ky nuk është.” E vetmja fe e cila i pranon të gjithë Profetët është Islami. Nëse dikush thotë siç thonë hebrenjtë: “Ne besojmë Musën, e nuk besojmë Isain e as Muhamedin (salAllahu alejhi ue selem)!”, atëherë ky besim nuk sjellë dobi, apo siç thonë të krishterët: “Ne besojmë Musën e Isën e jo Muhamedin (salAllahu alejhi ue selem)!” Disa grupe në mesin e të krishterëve thonë: “Ne besojmë se Muhamedi është i Dërguar vetëm për arabët, jo për të gjithë njerëzimin!”, edhe ky besim nuk është i vlefshëm.

وَقَالُوا۟ سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا

“Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi.” Në ato gjëra me të cilat Allahu na ka urdhëruar apo në ato gjëra të cilat na ka ndaluar dhe i bindemi në këtë. E tillë duhet të jetë gjendja e besimtarëve karshi teksteve fetare. Dëgjimi e bindja është rezultat i besimit. Pra, dëgjuam Fjalët Tua o Zot, i kuptuam, i zbatuam dhe u nënshtruam.

غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ ٱلْمَصِيرُ

“Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe tek Ti do të kthehemi!” Faljen Tënde kërkojmë për mangësitë dhe neglizhencën tonë. Kjo tregon për një edukatë madhështore. Allahu na tregon se ata janë njerëz të cilët besojnë Allahun e i janë nënshtruar tërësisht, e megjithatë kërkojnë falje prej Tij. Pra, na mbulo mëkatet dhe na ruaj prej pasojave të tyre, sepse do të kthehemi tek Ti e do të dalim para Teje për të dhënë llogari.

Ata besojnë bindshëm se kthimi është tek Allahu. Ai është i Cili do të shpërblejë për veprat e mira dhe do të dënojë për veprat e këqija nëse nuk i fal.

لَا يُكَلِّفُ ٱللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا

Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë (mundësisë) që ka” Allahu nuk i ngarkon njerëzit me gjëra të cilat u vijnë vështirë për t’i vepruar. Çdo vepër të cilën Allahu na ka ligjësuar, është e lehtë, është ushqim për shpirtin, shërim për trupin, përmirësim për zemrën dhe pastrim shpirtëror.

Allahu e ngarkon njeriun me detyra fetare në të cilat ka vështirësi e rëndesë, mirëpo të cilat janë të përballueshme për të. Në fenë tonë nuk ka vështirësi që nuk mund të përballohet. Islami është fe e lehtë dhe e butë. Edhe nëse në obligime ka gjëra që nganjëherë mund të shkaktojnë rëndesë, megjithëkëtë njeriu me to ushqen shpirtin e trupin, shton besimin dhe përmes tyre Allahu e mbron prej dëmeve të ndryshme. Dhe në momentin që njeriut i shfaqet vështirësia për ta kryer obligimin, atëherë Islami ia ligjëson lehtësimin.

 

لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا ٱكْتَسَبَتْ

“në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon” Çdo njeri do të ketë dobi, shpërblim dhe përfitim për veprat e mira që ka vepruar dhe çdo njeri do të dëmtohet dhe do të përballet me pasojat e të këqijave që ka vepruar.

Këtu në këtë ajet, Allahu ka dalluar mes së mirës dhe së keqes. Atë që njeriu e vepron prej të mirave, do ta gjejë të ruajtur tek Allahu në regjistrin e veprave. Ndërsa, kundër tij do të jetë ajo që ka vepruar keq dhe ajo është barrë që do ta bartë kur të dalë para Allahut.

Pasi Allahu na njoftoi se i Dërguari beson dhe gjithashtu besimtarët, se urdhrat e Tij i pranojnë me dëgjim e bindje dhe se Allahu çdokënd do ta shpërblejë për atë që ka vepruar, më pas na tregon se njeriu vazhdimisht është i ekspozuar ndaj mangësisë dhe neglizhencës dhe kështu mund të veprojë mëkate e të ketë lëshime për shkak të harresës, apo pa qëllim. Andaj, Allahu pasi na tregon se nuk i ngarkon njerëzit përtej mundësisë/forcës së tyre, na njofton se besimtarët i luten me fjalët:

رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَآ إِن نَّسِينَآ أَوْ أَخْطَأْنَا

“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!”

Shumica e lutjeve që kanë bërë Pejgamberët janë lidhur me fjalët “O Zoti ynë!” Kjo fjalë është e ndërlidhur me zotërimin e Allahut, ku pjesë e kësaj është ndëshkimi për mëkatin, llogaridhënia, përgjigja e lutjes etj. Rabb është prej Emrave të Allahut, i cili është mirë të përdoret gjatë lutjes, për t’u pranuar ajo. 

“që harrojmë” – Harresa është pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Mirëpo, për një lloj të harresës nuk do të merret në llogari, p.sh.: kur harron çfarë ka pasur ndërmend, pa u treguar i shkujdesur. Ndërsa për një lloj tjetër do të merret në llogari, p.sh.: kur i lë pas shpine dhe i braktisë urdhrat i Allahut duke i harruar. D.m.th.: mos na ndëshko nëse ndonjëherë braktisim obligimet apo veprojmë mëkate për shkak të harresës, duke mos e ditur.

veprojmë pa qëllim” – Nganjëherë njeriu ndodh të veprojë ndonjë gjynah gabimisht pa qëllim (p.sh.: është duke ecur në dhomë në errësirë dhe shkel musafin pa qëllim). Allahu nuk e ka ngarkuar këtë rëndesë për umetin tonë. Ndodh që njeriu nga gëzimi i madh të gabojë të thotë diçka pa qëllim, apo nga zemërimi i madh, apo nga pikëllimi i madh, apo në gjendje normale vepron një veprim duke menduar se është në rregull (nuk ka dije të mjaftueshme) dhe pa qenë i shkujdesur.

رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَآ إِصْرًۭا كَمَا حَمَلْتَهُۥ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِنَا

“Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh (umetet e mëhershme)!” – Mos na ngarko me rëndesa të cilat janë të papërballueshme, apo të cilat janë shumë të vështira (siç ka ndodhur te Beni Israilët të cilëve për t’iu pranuar pendimi për adhurimin e viçit është dashur të vrisnin njëri-tjetrin në errësirë). Në Islam nuk ka rëndesa të tilla.

رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِۦ

“Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta përballojmë!” – Si në aspektin e adhurimeve si në aspektin e sprovave të rënda. Megjithëkëtë, Allahu nuk të ngarkon me diçka që nuk mund ta përballosh. Shohim nganjëherë dikë të jetë sprovuar me sprova të rënda dhe Allahu e ndihmon atë që t’i përballojë. Pasi kalon sprova, çuditet me veten se si ka mundur ta përballojë, porse kjo ishte prej Allahut – mirësi e Tij.

وَٱعْفُ عَنَّا وَٱغْفِرْ لَنَا وَٱرْحَمْنَآ

“Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro!” – Na shlyej shkujdesjen në raport me Ty, o Allah, dhe na fal gjynahet tona në raport me njerëzit (na mbulo gjynahet dhe na ruaj prej pasojave të tyre). Ndërsa, Mëshira e Allahut është më e plotë se këto dy të parat. Kur Allahu të mëshiron, mos pyet se sa e mirë është gjendja jote. Në saje të Mëshirës së Allahut të mundësohet hyrja në Xhenet dhe të vije çdo e mirë në këtë botë dhe tjetrën. Disa dijetarë kanë thënë se fjala: “na mëshiro” do të thotë: na ruaj të mos biem në të ardhmen në gjynahet e kaluara apo në gjynahe të tjera.

Njeriu në këtë botë ka nevojë për këto tri gjëra: shlyerjen e gjynaheve, mbulimin e tyre (edhe nëse nuk të shlyhen ato) dhe ruajtjen për të mos rënë në to.

Dhe përmes shlyerjes dhe faljes largohen gjërat e këqija të cilat mund të të godasin, ndërsa përmes mëshirës përmirësohet gjendja jote në këtë botë dhe tjetrën.

 

أَنتَ مَوْلَىٰنَا

Ti je Kujdestari Ynë” – Ti je Kujdestari ynë, Sunduesi ynë, Ai që kujdeset për çështjet tona dhe që na ndihmon…

فَٱنصُرْنَا عَلَى ٱلْقَوْمِ ٱلْكَٰفِرِينَ

“Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” – Ndihma që ta jep Allahu kur ballafaqohesh me armikun, ta largon më shumë mllefin ndaj tyre sesa nëse Allahu do t’i dënonte përmes ndonjë fatkeqësie a shkatërrimi.

që nuk besojnë” – që e mohojnë Allahun, Profetët e Tij, luftojnë fenë e Tij e nuk zbatojnë urdhrat e Tij. Na ndihmo kundër tyre kur jemi në front dhe na ndihmo t’i mposhtim me argumente e me dije.

Allahu na tregon në këtë ajet se si janë lutur besimtarët dhe se si duhet të lutemi edhe ne. Është transmetuar se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe sahabët i janë drejtuar Allahut me këto lutje, Ai ka thënë: “Kam vepruar siç po kërkoni prej Meje!” D.m.th. u përgjigjem këtyre lutjeve.

Këto dy ajete përfshijnë besimin e besimtarëve në Allahun: pranojnë se Ai është Zoti i tyre, Ai i Cili i ka krijuar, i Cili kujdeset për ta etj. Ajetet na tregojnë se besimtarët kanë nevojë të madhe për faljen e Allahut. Ata pranojnë se kanë lëshime e mangësi në raport me Allahun, andaj kërkojnë falje prej Tij. Ata besojnë bindshëm se një Ditë do të kthehen tek Allahu dhe se Ai do të shpërblejë dhe dënojë. Andaj, e lusin t’ua mbulojë mëkatet e t’ua falë dhe t’i mëshirojë. Ata e lusin gjithashtu që t’iu japë fitore kundër armiqve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Hoxhë Petrit Perçuku

Transkriptim

Madhësia e tekstit