Aisha radijAllahu anha

Aisha radijAllahu anha

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka fejuar Aishen kur ka qenë 6 vjeçe. Tregohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thënë asaj: “Të kam parë ëndërr tre netë radhazi. Tek unë të solli Engjëlli (Xhibrili) në një mbështjellëse prej mëndafshi, dhe më tha: “Kjo do të jetë bashkëshortja jote.” E zbuloi fytyrën tënde dhe e pash se je ti. Thash: “Nëse kjo është prej Allahut, atëherë le të bëhet ajo që është caktuar!” Dhe ëndrrat e Pejgamberëve janë Shpallje.

Pastaj e ka martuar Aishen posa ka shkuar në Medine, në vitin e parë hixhri, kur ajo ka qenë 9 vjeçe.[1] Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka vdekur, ajo ka qenë në moshën 18 vjeçare. Ajo ka vdekur në Medine, në vitin 58 hixhri, në ditën e marte (17 Ramazan) dhe është varrosur në varrezën Beki, me porosi që të varrosej gjatë natës.[2] Namazin e  xhenazes ia ka falur Ebu Hurejra.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Vlera e Aishes në krahasim me gratë e tjera është sikur vlera e theridit (një ushqim) në krahasim me ushqimet e tjera.” Aisha radijAllahu anha ka qenë gruaja më e mirë në krahasim me gratë e tjera të tij salAllahu alejhi ue selem sa i përket dijes dhe kuptueshmërisë së fesë. Në këtë aspekt gratë e tjera nuk krahasohen me të. Edhe sahabët më të mëdhenj, kur kanë pasur diçka të paqartë apo dilemë, janë drejtuar tek Aisha dhe i kanë kërkuar përgjigje (fetua).

Mirëpo, dijetarët kanë mospajtime se a është më e mirë dhe më e vlefshme Aisha apo Hadixhja. Disa e kanë vlerësuar më shumë njërën, disa tjetrën, disa nuk janë prononcuar. Mendimi më i saktë: Secila prej këtyre të dyjave kanë pasur veçori dalluese nga njëra-tjetra. Kështu, Hadixhja ka pasur rol dhe ndikim të madh në fillimin e Islamit (ajo e ka përkrahur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, e ka ngushëlluar, ia ka lehtësuar brengat, e ka motivuar, ka dhënë prej vetes çdo gjë, qoftë kohë, mund apo pasuri). Ndërsa, roli i Aishes ka qenë në fund të Islamit (ajo ka pasur dije, ka bartur hadithe të shumta etj.). Aisha ka përcjellë prej dijes atë që asnjëra prej grave të tjera nuk e ka përcjellë. Ajo është prej atyre që kanë transmetuar më së shumti hadithe (2210 hadithe) dhe e cila më së shumti e ka përhapur sunetin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem. Dobia e saj për umetin ka qenë më e madhe sesa e grave të tjera të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe grave në përgjithësi.

Aisha ka pasur të kuptuar të fesë, ka qenë e dijshme, oratore, ka pasur virtyte të larta. Ajo përveç transmetimit të shumë haditheve, ka pasur njohuri edhe për ngjarjet që u kanë ndodhur arabëve, apo për poezitë dhe për vlerat e tyre.

Asnjë grua nuk e ka martuar duke qenë e virgjër përveç Aishes. Ajo madje është lavdëruar me këtë gjë.

Transmetohet se Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i ka zbritur Shpallja sa ka qenë i mbuluar me mbulesë (të shtratit) bashkë me Aishen.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka dashur më shumë Aishen sesa gratë e tjera – e ka dalluar me dashuri. Transmetohet se Pejgamberin salallahu alejhi ue selem e kanë pyetur se kush është njeriu më i dashur tek ti dhe është përgjigjur: “Aisha.”

Allahu ka zbritur Shpallje prej mbi shtatë qiej mbi Arshin e Tij, për të pastruar Aishen prej akuzës që i është bërë në nderin e saj, ajete këto që lexohen në mihrabe dhe në namaze deri në Ditën e Kiametit, me të cilat Ai dëshmon se Aisha është prej grave të dëlira, të pastra, “Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme. Ata janë të pastër nga shpifjet që thuhen (kundër tyre) dhe do të falen e do të kenë një shpërblim bujar (në Xhenet).” Nur 26. Duke qenë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është i mirë dhe i ndershëm, atëherë edhe gratë e tij janë të tilla. Kjo tregon për dëlirësin dhe pastërtinë e Aishes. Ajo ka qenë e tillë në të gjitha aspektet.

[1] Në atë kohë, por edhe sot, në vendet e nxehta, sidomos në ato arabe, vajzat hynë herët në moshën madhore; në moshën 9 vjeçare veçse konsiderohen të rritura. Më parë, njerëzit kanë qenë më të pjekur dhe kur dikush ka hyrë në moshën madhore, ka qenë në gjendje të marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete. Edhe vajzat kanë qenë në gjendje të marrin në përgjegjësi të gjitha obligimet familjare. Nuk ka qenë problem për Aishen martesa në atë moshë. Ajo ka hyrë në moshën madhore në moshën 9 vjeçare dhe i ka kryer të gjitha obligimet si grua ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Për ta vërtetuar më shumë këtë, është fakti se para se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ta kërkojë atë për martesë, e ka kërkuar një person tjetër. Kjo tregon se në atë kohë kjo gjë ka qenë normale dhe nuk ka qenë problem, mirëpo njerëzit me mentalitetin e sotshëm i gjykojnë rrethanat e asaj kohe. Duhet të zbresin në tokën e asaj kohe dhe të gjykojnë me syrin siç i kanë parë gjërat njerëzit e po asaj kohe. Për këtë arsye në të kaluarën kurrë nuk ka ndodhur që dikush të akuzojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem për këtë gjë, as mushrikët (idhujtarët) e Mekës nuk kanë thënë: “Ja çfarë ka bërë, e ka marrë për grua një nëntë vjeçe!” Kjo sepse ajo në moshën 9 vjeçare ka hyr në moshën madhore dhe është konsideruar grua.

[2] Ajo ka qenë shumë e ndershme dhe e dëlirë. Nuk ka dashur të shihej duke u varrosur gjatë ditës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊Transkriptim

Madhësia e tekstit