Magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet

Magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet

Allahu thotë: “…e magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” Ta he 69. Ky parim madhështor duhet të përhapet sa më shumë në mesin e muslimanëve, aq më tepër sot, kur dihet se njerëzit me të madhe shkojnë te magjistarët, ose te “shëruesit” që përdorin metoda të ndryshme. Në një tjetër ajet thotë: “…magjistarët nuk shpëtojnë!” Junus 77.

Këtë parim Allahu e ka përmendur në ngjarjen e Musës me magjistarët e Faraonit, “Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”. Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete. 68. Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” Ta he 65-59.

magjistari nuk do të ketë sukses” – kjo na bën të kuptojmë se magjistari nuk është musliman. Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ky është argument i qartë se ai ka mohuar (ka bërë kufër) dhe është jobesimtar, sepse shpëtimi (el felah) nuk i mohohet tërësisht përveçse atij që është jobesimtar.”

Shumë ajete në Kuran që flasin për magjinë e magjistarët, tregojnë për humbjen e tyre, dështimin në këtë botë dhe tjetrën, megjithatë çuditesh se si shumë muslimanë shkojnë e i pyesin për gjëra, ose shkojnë për të larguar ndonjë dëm apo për t’i shkaktuar dikujt tjetër dëm. Ata harrojnë fjalën e Allahut: “Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata” Bekare 102. Në këmbim të magjisë kanë shitur besimin, sepse njeriu nuk mund të bëjë magji pa mohuar e pa bërë shirk.

Pse këta njerëz ekzistojnë në mesin tonë? Sepse ka njerëz që shkojnë tek ta e u japin pasuri dhe kjo ua mundëson të vazhdojnë veprimtarinë e tyre.

Ngasë magjia është shumë e dëmshme, ajo është ndaluar në të gjitha legjislacionet e zbritura në tokë nga Allahu. Ai që e praktikon apo e mëson atë, është në një rrezik të madh dhe e ka shitur fenë e tij për një përfitim shumë të paktë të jetës së kësaj botë dhe shejtani tani është bërë mësues i tij.

Gjendja e rëndë në të cilën është personi, qoftë fizike, apo psikologjike, apo shpirtërore, nuk është assesi arsye për të shkuar te këta njerëz (magjistarët, fallxhorët) që të kërkojë ndihmë, sepse Allahu është më i mëshirshëm e më i urtë sesa që të ta ndalojë shkuarjen tek ta e në të njëjtën kohë mos të të japë zgjidhje të tjera. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo sëmundje ka shërim.” Mirëpo njeriu duhet të hulumtojë ta gjejë ilaçin. Si të shkosh të kërkosh ilaç e dobi te personi për të cilin Zoti i botëve ka gjykuar se është njeri i dështuar në të dy botët?! Kur muslimani bindet se magjistari nuk ka sukses e shpëtim kudo që të gjendet e çfarëdo që të bëjë, kjo do ta nxisë që të largohet prej tij. Ai duhet të zmbrapset e të ketë frikë Allahun dhe të kujtojë ditën kur do të dalë para Allahut për të dhënë llogari.

magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet” – ky ajet është një ilaç dhe ngushëllim dhe forcim i mbështetjes së besimtarit tek Allahu dhe që të mos ketë frikë ndaj këtyre njerëzve. Allahu thotë: “A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?” Zumer 36. Dhe: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai”. Talak 3.

Nuk duhet të mashtrohesh me anën e jashtme të magjistarëve, edhe nëse sheh se kanë pasuri apo u shkojnë shumë njerëz. Por duhet të dish se ata kanë jetën më të mjerë e më të keqe shpirtërore. Kjo nuk është çudi, sepse ata kanë mohuar Allahun, kanë bërë idhujtari, kanë ndërruar besimin me mosbesim dhe kanë pranuar të udhëhiqen prej shejtanëve. I tilli nuk ka mundësi të ketë lumturi dhe jetë të qetë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka lajmëruar që të mos shkojmë te personat e tillë, ai ka thënë: “Kush shkon te fallxhorët dhe i pyet për diçka nuk i pranohet namazi për 40 ditë.” Dhe: “Kush shkon te fallxhorët dhe beson në atë që ata thonë, ai ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit.” I tilli ka mohuar Kuranin, sepse në të Allahu thotë: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat” Neml 65. Ai që shkon te magjistarët dhe i pyet për diçka, ka përgënjeshtruar këtë ajet.

 

Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim🎙

Madhësia e tekstit