Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij

Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij

Allahu thotë: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” Huxhurat 13. Ky parim çrrënjos nacionalizmin te personi apo përkatësitë fisnore. Ky parim vjen në suren Huxhurat e cila përmbledh në vete shumë edukata e morale me të cilat duhet të pajiset muslimani. Në të gjithashtu përmenden shumë gjëra të këqija prej të cilave duhet të largohet ai. Allahu thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” Ajeti 13. Ky ajet na tregon se cila është peshorja e drejt me të cilën duhet t’i peshojmë njerëzit. Nuk është kombësia, ngjyra, bukuria, avancimi akademik etj. Por është devotshmëria – frika ndaj Allahut.

Ngjarje te sahabët

─ Ebu Dherri radijAllahu anhu ka pasur një mosmarrëveshje me një shërbëtor të tij. Nëna e tij ka qenë zezake, nuk ka qenë arabe, dhe Ebu Dherri e ka sharë nga ky aspekt (i ka thënë “O biri i zezakes!”). Ia ka ofenduar nënën me logjikën e injorancës para islame. Pastaj, ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe ia ka treguar ngjarjen dhe ai salAllahu alejhi ue selem i ka thënë Ebu Dherrit: “O Ebu Dherr, ti je njeri tek i cili ende ka mbetje të injorancës (xhahiljetit para islamit).”

─ Kur është çliruar Meka, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar Bilalin radijAllahu anhu, i cili ka qenë zezak i Etiopisë, të thërrasë ezanin mbi Qabe, duke dashur me këtë t’ua largojë muslimanëve racizmin e mbjellë në mesin e tyre.

─ Në ditën e çlirimit të Mekës, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka hyr brenda në Qabe për t’u falur. Kë e ka marrë me vete? Kush e kishte këtë nderë të hyjë me të? E ka marrë Bilalin, Usame ibn Zejdin – biri i shërbëtorit të Pejgamberit, i cili ka qenë zezak, dhe Uthman ibn Talhan.

─ Në haxhin lamtumirës, pasi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përfunduar qëndrimin në Arafat dhe është bërë gati për t’u nisur drejt Muzdelifes, të gjithë njerëzit kanë pasur sytë kah ai se kë do ta hipë në deve mbrapa shpinës së tij (e ka pasur traditë këtë gjë), dhe e ka marrë Usame ibn Zejdin (birin e shërbëtorit të liruar dhe i cili ka qenë zezak).

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu nuk shikon pamjet tuaja e as pasuritë tuaja, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.” Dhe: “Kë e lë mbrapa puna e tij, nuk e shtyn përpara prejardhja e tij.”

Ndërsa, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Në Librin e Allahut nuk ka asnjë ajet që e lavdëron dikë për shkak të prejardhjes së tij, apo e qorton dikë për shkak të saj, mirëpo Allahu lavdëron besimin dhe devotshmërinë, në anën tjetër qorton mosbesimin dhe mëkatimin.”  

Allahu ka zbritur një sure me të cilën qorton Ebu Lehebin, i cili ka qenë xhaxhai i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, por edhe pse ka qenë xhaxhai i tij, nga familja e tij, kjo nuk i ka bërë dobi. Allahu e ka ndaluar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem të përzënte prej mexhliseve të tij besimtarët skllevër apo pa autoritet në shoqëri (gjë të cilën ia kishin kërkuar jobesimtarët në mënyrë që të shkonin tek ai ta dëgjonin).

Mesazhi islam është mesazh global, nuk kufizohet me një racë apo popull. Ajo që të ngritë tek Allahu është përkatësia jote në Islam – sa e praktikon fenë e Tij (kryen obligimet dhe largohesh prej ndalesave).

 

Hoxhë Petrit Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit