“Mu kujtua (gjatë namazit) se kemi në shtëpi disa copa ar”

Transmetohet se një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ishte duke falur namazin e ikindisë në xhaminë e tij (në Medine) dhe pasi dha selam, u ngrit, nxitoi (nuk priti të bënte dhikrin), kaloi rreshtat me njerëz dhe shkoi në një prej dhomave të grave të tij. Njerëzit u frikësuan kur panë se si nxitoi, se mos i ndodhi ndonjë gjë e keqe, por ai salAllahu alejhi ue selem u kthye dhe i gjeti ata të habitur nga tërë kjo. Pastaj ua tregoi arsyen se çfarë e shtyri të veprojë kështu, që t’i qetësonte dhe t’i mësonte në lidhje me një çështje të rëndësishme, duke thënë:

ذَكَرتُ شَيئاً مِنْ تبْرٍ عندَنا، فكرِهْتُ أنْ يحبسَنِي، فأمرْتُ بقسْمتِه
“Mu kujtua (gjatë namazit)[1] se kemi në shtëpi disa copa ar, andaj nuk desha që të më pengojnë,[2] dhe urdhërova të shpërndahen sa më shpejt.”
Buhariu. Në një transmetim tjetër ka thënë: “Kam lënë në shtëpinë time nga sadakaja, dhe nuk desha të arrijë nata e ato të mesin aty.” Buhariu.

Siç e dimë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pasur zakon që pas namazit të jetë i qetë e të mos nxitojë, por të përmendë Allahun, mirëpo në këtë rast nxitoi, me qëllim që të t’i jepte një mësim madhështor umetit të tij: Nxitimi në vepra të mira, pa i shtyrë për më vonë. Andaj, muslimani duhet të jetë i këtillë, i kujdesshëm dhe i mençur, të mos tregohet dembel, mirëpo të nxitojë të veprojë vepra të mira, të braktisë të këqijat dhe t’iu bëjë dobi njerëzve, që të arrijë kënaqësinë e Allahut. Ai duhet të shfrytëzojë çdo mundësi dhe çast, për të bërë vepra të mira, ngase nuk e di se çfarë mund t’i ndodhë: ndoshta vdes, apo i ndryshon nijeti pasi e zvarrit një vepër, apo i del një gjë që e pengon nga ajo vepër.

Nëse ke ndarë një pjesë të pasurisë për ta dhënë lëmoshë (sadaka), atëherë jepe, mos prit të të zërë nata, ngase nuk e di se çfarë mund të të ndodhë. Ka mundësi që të vdesësh atë natë dhe ajo pasuri e paktë që ke dhënë lëmoshë të bëhet shkak të shpëtosh nga zjarri i Xhehenemit.

Besimtari i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundit, patjetër duhet të jetë i kujdesshëm që të veprojë vepra të cilat do t’i bëjnë dobi pas vdekjes, sepse kjo dunja është arë e ahiretit. Atë që mbjellim sot, në ditët e kësaj bote, do ta korrim nesër, në botën tjetër.

Në këtë hadith kemi argument se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu i cili më së shumti ka nxituar të veprojë vepra të mira. Ai ka qenë shembulli dhe modeli i të gjithë umetit. Ai nuk i ka shtyrë veprat për më vonë, edhe pse ka qenë zotëria i bijve të Ademit.

Nxitimi në vepra të mira është një nga tiparet e besimtarit dhe nga shenjat dalluese të sjelljes së tij në jetën e përditshme. Ai nuk duhet të lejojë që lakmia e shpirtit të tij ta pengojë nga ky synim.

[1] Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i është kujtuar gjatë namazit ajo pasuri e lëmoshës. Kjo tregon për rëndësinë e madhe ndaj kësaj çështjeje, saqë i është kujtuar edhe gjatë faljes së namazit, duke qenë para Allahut. Ibn Haxheri thotë: “Ky është rasti kur adhurimet bëhen bashkë dhe ndërhyjnë te njëra-tjetra (se cilës t’i jepet përparësi). Nuk është nga mendimet e brendshme të nënçmuara që nuk duhet t’i kemi në namaz.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem edhe pse i është kujtuar ajo gjë, ai i ka dhënë përparësi namazit, mirëpo menjëherë pas namazit ka nxituar ta shpërndajë atë pasuri tek të varfrit dhe të mos e lërë në shtëpinë e tij.

[2] Të mos më pengojnë nga adhurimi- pasja e një zemre të qetë gjatë adhurimeve ndaj Allahut.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit