Morali i atyre që synojnë këtë jetë përmes leximit të Kuranit (1)

Morali i atyre që synojnë këtë jetë përmes leximit të Kuranit

Ai që lexon Kuran duke synuar këtë jetë dhe ithtarët e saj, atëherë nga moralet e tij është se ai i di vetëm shkronjat e Kuranit (i kushton vëmendje mënyrës së leximit), ndërsa i nëpërkëmb urdhrat dhe ndalesat e tij. Ai është mendjemadh (ka vetëpëlqim) dhe është mendjemadh ndaj të tjerëve. Ai e ka bërë Kuranin si artikull përmes të cilit ushqehet te njerëzit e pasur dhe përmes tij përmbush nevojat e tij jetësore. Ai i respekton dhe nderon ithtarët e dunjasë, ndërsa të varfrit i nënçmon.

Nëse është mësues i Kuranit dhe e mëson dikë të pasur, atëherë tregohet i butë me të, sepse lakmon në dunjanë e tij. Nëse e mëson dikë të varfër, atëherë tregohet i ashpër me të, sepse ky nuk posedon pasuri. Përmes Kuranit, ai i fut në shërbim të tij njerëzit e varfër kurse bën vend te njerëzit e pasur. Nëse atij i ka dhënë Allahu zë të bukur, ka dëshirë ta lexojë Kuranin para mbretërve (parisë) dhe ka dëshirë t’iu prijë në namaz duke lakmuar në të mirat e tyre materiale, kurse nëse ua kërkojnë këtë gjë njerëzit e varfër, i vije shumë rëndë sepse këta nuk kanë pasuri që t’i japin.

Ai është njeri mendjemadh, flet shumë për gjëra pa dalluar çfarë është mirë e çfarë është keq. Qorton dhe i gjen të meta çdokujt i cili nuk di përmendsh (nga Kurani) sikurse ai. E nëse i bëhet e ditur se dikush e di Kuranin përmendsh sikurse ai, atëherë kërkon t’i gjejë të meta.

Ai është mendjemadh në uljen e tij. Po ashtu mendjemadh kur i mëson të tjerët. Në zemrën e tij nuk ka vend për përulje dhe frikë ndaj Allahut. Ai qeshet shumë dhe futet në gjëra që nuk i duhen. Dëgjimi i fjalëve të njerëzve është më i këndshëm për të sesa dëgjimi i Fjalëve të Allahut. Nuk e kaplon frika ndaj Allahut gjatë leximit të Kuranit, nuk qan e as nuk pikëllohet. Nuk e detyron veten të meditojë mbi atë që lexon nga Kurani. Ai lakmon jetën e kësaj bote dhe gjërat që afrojnë drejt saj. Për hir të dunjasë zemërohet dhe pajtohet.

Nëse dikush nuk ia përmbush të drejtën e tij (e lëndon, e shqetëson etj.), atëherë i thotë: “Si mund të lëndosh dikë i cili është ithtar i Kuranit?! Njerëzit duhet t’i shërbejnë atij.” Ai i përdor njerëzit për të përmbushur nevojat e tij ndërkohë që vetë nuk i kushton rëndësi asaj që ia kërkon Allahu. Ai zemërohet ndaj të tjerëve me pretendimin se është zemëruar për hir të Allahut ndërkohë që nuk zemërohet ndaj vetes kur shkel kufijtë e Tij.

Nuk i kushton vëmendje se kah po e fiton pasurinë (në mënyrë të lejuar apo të ndaluar), sepse dunjaja ka zënë vend në zemrën e tij. Nëse i ikën ndonjë gjë prej dunjasë e cila është e ndaluar, pikëllohet shumë.

Ai nuk është edukuar me edukatën e Kuranit (edhe pse e ka mësuar atë dhe e lexon), nuk ndalet te shpërblimet e përmendura në Kuran apo te kërcënimet e tij. Ai është i shkujdesur dhe në mëdyshje për atë që lexon apo për atë që dëgjon. Brenga e tij kryesore është se si të mësojë përmendsh shkronjat e Kuranit. Nëse gabon në një shkronjë, pikëllohet dhe ndihet keq, sepse me këtë i ulet pozita tek krijesat. Ndërsa, ajo që ka humbur prej urdhrave të Allahut dhe shkelja e ndalesave të Tij, është shumë më shumë (më keq) sesa ai gabim.

Morali i tij në shumicën e çështjeve është moral i injorantëve, të cilët nuk dinë. Ai nuk e detyron veten të veprojë sipas asaj të cilën Allahu ia ka bërë obligim në Kuran dhe nuk pason sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ndërkohë që dëgjon fjalën e Allahut: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” Hashr 7.

Ai lexon pak për atë dije që ka të bëjë me gjërat e obliguara në fe dhe për lejesat e ndalesat (dije kjo e cila përmirëson raportin mes njeriut dhe Allahut), ndërsa lexon shumë për dijen me të cilën zbukurohet para ithtarëve të dunjasë në mënyrë që ata ta nderojnë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku

Transkriptim

Madhësia e tekstit