» Njeriu duhet të lëshojë pe për hir të Allahut dhe që martesa të jetë e shëndoshë e vazhdueshme. Problemet e shumta mund të çojnë deri te prishja e martesës. Prandaj për ta ruajtur atë, si burri ashtu dhe gruaja, duhet të kundërshtojnë egon e tyre dhe t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit kur janë fajtor për një gjë. Ne kemi shumë nevojë që ta edukojmë veten (në jetën bashkëshortore) me mësimet e ardhura në Kuran dhe sunet.
» Njeriu nuk duhet të ketë mendim të keq ndaj Allahut gjatë sprovës. Është normale të mërzitet, mirëpo e ka obligim të bëjë durim gjatë sprovës dhe të mos ndjejë pesimizëm, porse gjithmonë të shpresojë se Allahu do t’i bëjë rrugëdalje dhe do t’ia mundësojë të kalojë atë sprovë. E nëse ka mendim të kundërt, se sprova nuk do të kalojë kurrë, atëherë kjo është një gjë e rrezikshme, sepse Allahu ka thënë (hadith kudsij): “Unë jam në mendimin e robit Tim që ka për Mua.” Nëse mendon se Allahu do ta ndihmojë që ta tejkalojë këtë sprovë dhe se do të bëhet mirë, atëherë Allahu kështu do të veprojë me të, e nëse ka mendim pesimist dhe humbet shpresën në Mëshirën e Tij apo në lehtësimin prej Tij (kjo është prej mëkateve të mëdha), atëherë kjo ka rezultat të keq sepse Allahu do të veprojë me të siç mendon për Atë.
» Nëse ndokush ta ka thënë një fjalë jo të këndshme, mos rri duke kaluar ditën me mendime se si më tha ashtu e çfarë pati për qëllim, duke ta humbur kohën tënde. Mos lejo të të ikë dita duke menduar rreth kësaj. Muslimani i mençur nuk vepron kështu, por angazhohet me gjëra të dobishme dhe rrjedhimisht nuk do të ketë kohë të mendojë për gjëra të tilla.
» Nëse sprovën e sheh si një gjë të padrejtë prej Allahut ndaj teje, apo se nuk mund ta përballosh, atëherë dije se nuk je mirë me besim dhe se ke mendim të keq për Allahun. Besimtari duhet ta shohë sprovën si mirësi (ngritje gradash, shlyerje mëkatesh etj.).
» Muslimanët, një pjesë të madhe të kohës, e humbasin duke qëndruar në mjetet teknologjike në forma të padobishme. Nëse kjo kohë do të shfrytëzohej për të lexuar libra, do të mjaftonte (për arritjen e hajrit).
» Është mirë dhe e rekomanduar që muslimani të ndajë një hise të kohës së tij për të lexuar çdo ditë nga Kurani dhe t’i përmbahet kësaj p.sh.: cakton një xhuz në ditë. Nëse ndonjëherë ndodh të mos arrijë ta kryejë pjesën e caktuar, atëherë ta bëjë kaza ditën tjetër.
» Është e preferuar të lutesh për të gjithë muslimanët që t’i falë e t’i mëshirojë Allahu, sepse mëshira e Tij është shumë e madhe. Ashtu siç ke dëshirë që të tjerët të luten për ty, atëherë edhe ti duhet të lutesh për ta.
» Dëgjojmë shumë muslimanë që kur kanë ndonjë sjellje jo të mirë apo kanë nervozë e zemërim, thonë: “Më duket se kam prekje të xhindeve!“, apo “Kam mësysh!“. Në këto raste, më e lehta është që t’ia lëmë fajin xhindëve. Mirëpo, muslimani nuk duhet të arsyetohet në këtë mënyrë, përkundrazi duhet të përpiqet që të përmirësojë sjelljen në raport me të tjerët, sidomos me ata që i ka më të afërt, e sidomos në raportin bashkëshortor. Njeriu e ka nën mundësinë e tij që nëse e frenon zemërimin qysh në fillimin e tij, atëherë nuk do t’i dalë vetja nga kontrolli. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos u zemëro!” D.m.th.: Mos vepro me zemërim, mos iu bind zemërimit, mos vepro në atë që të fton zemërimi. Nëse njeriu e frenon veten në fillim të zemërimit, si: hesht, nuk vepron, del prej dhome, nëse është në këmbë ulet, nëse është ulur shtrihet, atëherë me lejen e Allahut nuk ndodhin pasojat dhe dëmet e zemërimit.
» Njeriu ka nevojë të vazhdueshme që ta lusë Allahun t’ia përmirësojë sjelljen. Kjo sepse prej gjërave të cilat peshojnë më së shumti në Peshoren e veprave të mira në Ditën e Gjykimit, është sjellja e mirë, siç ka ardhur në një hadith. Pastaj gjithashtu duhet të ndërmarrë edhe shkaqet. Nuk është arsyetim nëse thotë: “I tillë kam lindur. Nuk mund ta ndryshoj karakterin tim!” Kjo nuk është e saktë. Qëllimi pse Allahu ka zbritur ajete dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë hadithe të cilat nxisin për sjellje të mirë, është përmirësimi i sjelljeve tona, dhe kjo është një gjë e arritshme. Sjellja jo e mirë mund të rregullohet.
» Nëse dikush e ka fituar një pasuri në mënyrë jo të lejuar dhe nuk e ka ditur (se ajo mënyrë apo veprim është e ndaluar në Islam) dhe është penduar, atëherë mund ta mbajë atë pasuri (qoftë para, apo të tjera). Ndërsa, nëse e ka ditur se ajo mënyrë ka qenë e ndaluar dhe është penduar, atëherë këtu ka mospajtime mes dijetarëve se çfarë të bëjë me atë pasuri, dhe mendimi më i saktë është se mund ta mbajë, sepse është penduar (pendimi shlyen gjynahun).
»Këmbët (shputat) gjatë namazit mbahen të ndara, përveç në pozicionin e sexhdes gjatë të cilit duhet të bashkohen. Kjo ka ardhur në sunetin e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.
» Besimtari nuk duhet të kërkojë sprovat, por duhet të lusë Allahun që të mos e sprovojë. Sprova mund të jetë e atillë gjatë së cilës e humbet durimin. Por, nëse ndodh të sprovohet, atëherë e lut Allahun që t’i japë durim gjatë sprovës.
» Përballimi i sprovave
Kjo botë patjetër se do të jetë me sprova. Çdokush kalon nëpër sprova. E mira e muslimanit është se për shkak të besimit që ka, bën durim dhe del fitimtar prej sprovës. Edhe kur kemi mirëqenie, jemi në sprovë (gjë që njerëzit nuk e çojnë ndërmend), pra jemi duke u sprovuar se sa po tregohemi mirënjohës e falënderues me zemër, me fjalë dhe me gjymtyrë. Pastaj është dhe sprovimi me gjëra që nuk na pëlqejnë. Në këtë rast duhet të tregohemi të durueshëm dhe të dimë se Allahu ka caktuar të ndodhë ashtu.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🖋 Transkriptim

