A është nga mëkatet e mëdha vonesa e namazit farz?

A është nga mëkatet e mëdha vonesa e namazit farz?

Nuk është nga mëkatet e mëdha nëse e vonon namazin dhe nuk e fal menjëherë në fillim. Allahu ka caktuar kohë për namaze, që është fillimi dhe fundi i kësaj kohe. Nëse e fal brenda kohës nuk ke mëkat, përveç për disa namaze të caktuara siç është ikindia. Ajo ka dy kohë:

-koha me vlerë.

-koha e urryer. Namazi pranohet, porse kjo është vepër e urryer. Kjo kohë është pak para perëndimit të diellit, kur ai fillon të skuqet shumë. Bën gjynah nëse e fal farzin e ikindisë në këtë kohë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Ai është namazi i mynafikëve.” Në këtë pjesë të kohës, ikindinë e falin mynafikët; ata presin e presin deri afër perëndimit të diellit dhe çohen i falin shpejt katër rekate farz. Myslimani nuk duhet të ketë një cilësi të tyre. Vetë fakti se kjo kohë është koha kur mynafikët e falin farzin e ikindisë, tregon se nëse njeriu e shtyn ikindinë qëllimisht (është fjala) deri pak para perëndimit të diellit, ka bërë mëkat, mirëpo namazi pranohet, përderisa e ka kapur një rekat para perëndimit të diellit (siç ka ardhur kjo gjë në hadithe të tjera).

Më së miri është që namazi të falet në fillim të kohës së tij të caktuar, ngase në këtë mënyrë besimtari lirohet më shpejt prej obligimeve dhe përgjegjësisë para Allahut. Moto e tij duhet të jetë të shpejtuarit në kryerjen e adhurimeve ndaj Allahut. Profeti Musa alejhi ue selem ka thënë: “…unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.” Ta ha, 84. Pra, besimtari duhet të shpejtojë në kryerjen e veprave të cilat e kënaqin Allahun.

Gjithashtu, e dimë se momenti i vdekjes është i fshehur. Ka mundësi që dikush e shtyn faljen e një namazi, por nuk arrin ta falë atë (se e nxë vdekja), edhe pse nuk ka mëkat për këtë shtyrje përderisa falet brenda kohës, mirëpo nuk është njëjtë si dalja me një namaz më shumë para Allahut.

Andaj, është mirë të shpejtuarit e faljes së namazit në fillim të kohës së tij, përveç namazit të jacisë. Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, namazi i jacisë është mirë të shtyhet, nëse personi nuk e ka xhaminë afër, e nëse e ka afër, duhet të dalë për faljen e namazit me xhemat. Nëse xhemati i xhamisë dakordohen për shtyrjen e namazit të jacisë për më vonë, kjo është më mirë, siç ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me shokët e tij duke e falur pasi ka kaluar pjesa e parë e natës. Kurse disa dijetarë (p.sh. imam Shafiu), thonë që edhe namazi i jacisë është mirë të falet në fillim të kohës, duke u bazuar në këto argumente. Mirëpo, argumentet më të forta tregojnë se më mirë është të shtyhet namazi i jacisë.

Sa i përket namazit të sabahut, dijetarët hanefi thonë se është mirë të shtyhet derisa fillon të zbardhet, siç veprojnë tek ne që e falin pak para perëndimit të diellit (gjysmë ore para tij). Kurse, dijetarët e medhhebeve të tjera thonë se namazi i sabahut falet në fillim të kohës, si namazet e tjera. Për këtë të dy palët kanë argumente. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Fale namazin e sabahut kur të zbardhet ngase shpërblimi është më i madh!” Aisha radijAllahu anha thotë: “Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka falur farzin e sabahut, ne gratë kemi dalë prej xhamisë (menjëherë pas selamit të imamit siç është sunet) dhe nuk e kemi njohur njëra-tjetrën.” D.m.th shkaku i errësirës. Në hadithet e sahabëve tregohet se ai salAllahu alejhi ue selem e ka falur sabahun në këtë kohë, e në fund të jetës së tij e ka falur në fillim të kohës.

Rreth hadithit: “Fale namazin e sabahut kur të zbardhet ngase shpërblimi është më i madh!”, disa dijetarë kanë thënë se është për qëllim të mos ngutemi në faljen e namazit para kohës së tij, por të pritet derisa të vërehet se ka hyrë koha, ose është për qëllim të nisë namazi në fillim të kohës së tij dhe të vazhdohet me lexim të Kuranit në kijam deri sa të zbardhet. Këtu ka shpërblim më të madh sepse leximi është më i gjatë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit