A i shkojnë veprat e mira personit pas vdekjes
Njeriut i mbyllet libri i punëve me vdekjen e tij përveç tri gjërave, siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “…fëmija i mirë që e ka lënë pas vdekjes i cili lutet për të, lëmosha e rrjedhshme dhe dituria e dobishme.” Në një tjetër hadith thotë: “Kur personi vdes duke i ruajtur kufijtë e vendit islam, i vazhdojnë veprat e mira edhe pas vdekjes…” Kanë thënë: “Lumë për atë me vdekjen e të cilit nuk vdesin veprat e mira dhe mjerë për atë me vdekjen e të cilit nuk vdesin veprat e këqija!” Për to të katërtat, që kanë ardhur në hadithe, vazhdojnë t’i shkojnë shpërblimet të vdekurit, ngase në një formë a tjetër ka qenë shkak për to. Mirëpo, jashtë këtyre katër gjërave, për çështjet të cilat i vdekuri nuk është bërë shkak për to, si: dhënia lëmoshë për të, bërja haxh për të, agjërimi për të, leximi i Kuranit për të, në të cilat ai nuk ka qasje të drejtpërdrejtë e as të tërthortë, a i shkon shpërblimi i për to? Fillimisht do të përmendim së pari disa gjëra për të cilat nuk ka mospajtime mes dijetarëve:
- Nëse një person vdes si jobesimtar dhe për të thotë tjetri “Unë besoj dhe besimin tim ia dhuroj atij që të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit e të mos qëndrojë përgjithmonë në të”, kjo nuk bën dobi, besimi nuk i bën dobi pas vdekjes.
- Bërja e një vepre të mirë dhe dhurimi i saj shpirtit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, kjo është bidat dhe nuk i shkon. Porse, çdo vepër të mirë që ne e veprojmë (çdokush nga ky umet), Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem veçse i shkon shpërblimi ngase ai salAllahu alejhi ue selem është nismëtari i asaj vepre, siç ka ardhur në hadithin: “Ai që nis një punë të mirë, ka shpërblimin për të dhe çdokush që e vepron atë pa iu pakësuar atij.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është nismëtari i çdo vepre të mirë që e veprojnë pasuesit e umetit të tij.
- Si për të riun, si për të moshuarin, si për fëmijën, shkon shpërblimi. Nëse i gjalli jep një lëmoshë për të vdekurin, qoftë i vjetër apo fëmijë (që nuk arritur moshën madhore), i shkon shpërblimi.
- Nuk ka qenë prej traditës së selefit të thuhet: “Shpërblimet e veprës së mirë ia dedikoj umetit në tërësi!”
Për cilat vepra kanë ardhur argumente të caktuara se nëse i gjalli i kryen për të vdekurin, atëherë i shkojnë shpërblimet atij? Këto vepra janë: lutja për të vdekurin, dhënia lëmoshë për të, kryerja e borxhit, kryerja e haxhit, kryerja e agjërimit për ditët të cilat është zotuar t’i agjërojë. Për këto vepra që përmendëm, ka konsensus mes dijetarëve se i bëjnë dobi të vdekurit; për to kanë ardhur argumente të caktuara nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.
Por, mospajtimi është për disa të tjera, si: leximi i Kuranit, namazi, dhikri etj., se a i shkon shpërblimi të vdekurit për to apo jo. Këtu dijetarët janë ndarë në dy mendime. Dhe të dy mendimet janë të ehlu sunetit. Nëse personi ka mendimin se nuk bën të veprohen këto vepra për të vdekurin, ai nuk bën t’i akuzojë ndjekësit e mendimit tjetër se janë devijues dhe pasues të epshit. Dhe personi që ka mendimin se këto vepra lejohen të veprohen, nuk duhet të thotë se ata të cilët thonë se nuk lejohen janë ekstremistë. Mendimi më i saktë, që e kam nxjerr pas studimit të kësaj çështjeje, është se përveç atyre veprave, si: haxhi, lëmosha etj., që kanë ardhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me citat profetik se prej tyre përfiton i vdekuri nëse i dhurohet shpërblimi për to, ndërsa nuk i shkon shpërblimi të vdekurit për ndonjë vepër të mirë, duke u argumentuar me ajetin: “…dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar…” Nexhm 39, apo me atë që na ka lejuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Dhe ato që përmendëm më lartë na janë lejuar, ndërsa çështjet e tjera janë të fshehura për të cilat nuk guxojmë të bëjmë analogji e të zgjerohemi duke thënë “çdo vepër të mirë që e bëjmë kemi mundësi t’ia dhurojmë të vdekurit”.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk i ka nxitur shokët e tij që të lexojnë Kuran për të vdekurin, apo të falin namaz, apo të bëjnë dhikër etj. Jo vetëm ai salAllahu alejhi ue selem, por as për sahabët radijAllahu anhuma nuk është transmetuar se e kanë vepruar një gjë të tillë. Edhe selefi, në përgjithësi në dy-tre shekujt e parë, nuk transmetohet se e kanë këshilluar njëri-tjetrin që të veprojnë këto vepra e t’iu dhurohet shpërblimi i tyre të vdekurve.
Te leximi i Kuranit, është fjala nëse një person e lexon atë me nijet të sinqertë për Allahun dhe shpërblimin do që t’ia dhurojë një të vdekuri. Porse, nëse dikush e paguan dikë me para që ky të lexojë Kuran për një të vdekur të tij, këtu nuk ka mospajtime se ky shpërblim nuk arrin, për shkak se ky i cili paguhet që ta lexojë Kuranin për atë të vdekur nuk e ka realizuar njërin kusht të pranimit të veprës, që është: sinqeriteti. Pra, ne nuk jemi duke folur për këtë gjë (për këtë formë), por ne jemi duke biseduar për dikë i cili lexon Kuran apo bën dhikër vetë me nijet të pastër, e jo ta paguajë dikë me para. E siç përmendëm, sipas mendimit më të saktë kjo gjë (leximi i Kuranit për t’i shkuar shpërblimi të vdekurit) nuk lejohet. Kanë ardhur përjashtimet dhe duhet të mbesim me to, duke mos u zgjeruar më tepër.
Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.