A lejohet kërkimi i bereqetit përmes Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?

A lejohet kërkimi i bereqetit përmes Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?

Sahabët e kanë pasur të lejuar bërjen teberruk (kërkimi të bereqetit përmes trupit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, si: me lëkurën, flokët, pështymën e tij). Kështu dhe kanë vepruar. Kur ai ka marrë abdes, sahabët kanë rënë në mosmarrëveshje që kush nga ta të marrë ujin e mbetur prej abdesit të tij për të bërë teberruk. Kjo është e veçantë vetëm për Pejgamberin. Allahu e ka bërë trupin e tij të bereqetshëm, e jo se vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë i bereqetshëm, në kuptimin se ai e jep bereqetin. Andaj mes këtyre dy gjërave ka dallim. Disa njerëz të cilët e teprojnë në lavdërimin ndaj Pejgamberit mendojne se ai e ka dhënë bereqetin. Porse, Allahu e ka dhënë bereqetin përmes Pejgamberit të Tij.

Sahabët edhe pas vdekjes së Pejgamberit kanë mbajtur qimet e kokës apo të mjekrës së tij, dhe kanë kërkuar bereqet përmes tyre. Ka pasur prej grave të tij që i ka mbajtur në një enë dhe kur ka ardhur dikush i sëmurë, ka hedhur ujë në enën dhe ia ka dhënë të pijë. Personi me lejen e Allahut është shëruar duke u bërë shkak qimja e tij; bereqeti ka vazhduar edhe pas vdekjes së tij.

Mirëpo, qimet që qëndrojnë nëpër disa xhami duke thënë se janë qimet e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, nuk janë të tij sepse nuk ka argument se janë të tij. Nëse dihet saktë se një qime është vërtetë e tij, nuk ka të keqe të kërkohet bereqet përmes saj, por këtë nuk e dimë, andaj dhe nuk lejohet ky teberruk. Argument tjetër se ato nuk janë qimet e të Dërguarit është se sahabët kur kanë vdekur i kanë marrë me vete në varr duke mos ia lënë askujt, dhe kanë shpresuar që edhe në ditën e Gjykimit ato t’u bëjnë dobi duke pasur një pjesë të trupit të tij me vete.

Është lejuar teberrku me pjesët që janë ndarë nga trupi i të Dërguarit, e jo me pjesë që kanë qenë të ngjitura me trupin e tij, si: rroba, apo këpucë, apo shkopi i tij.

Ata që fërkohen për shtyllat e xhamisë së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në Medine ngaqë i ka prekur ai, kjo nuk është vepër e saktë ngase sahabët nuk kanë kërkuar bereqet me rrobat e tij apo përmes vendeve ku ka shkelur ai, por kanë kërkuar bereqet me pjesët e ndara nga trupi i tij siç i përmendëm. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka rruar floktë në haxh ka thënë që të shpërndahen ndër njerëz dhe kanë kërkuar bereqet përmes tyre.

Kjo është e veçantë vetëm për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, dhe nuk lejohet të veprohet kështu me njerëz të tjerë siç veprojnë disa pasues të tarikateve duke kërkuar bereqet përmes shehave të tyre, dhe thonë se lejohet teberruku përmes çdo njeriu të devotshëm në analogji me Pejgamberin. Sahabët kanë kërkuar bereqet nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem sepse ai ka qenë i devotshëm, andaj përmes çdo njeriu që është i devotshëm lejohet teberruku- thonë. Kjo nuk është e saktë sepse sahabët nuk kanë vepruar kështu as me Ebu Bekrin, as me Umerin radijAllahu anhuma, edhe pse dihet se njeriu më i mirë pas të Dërguarit është Ebu Bekri. Sikur të ishte kjo gjë e saktë do ta vepronin sahabët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Madhësia e tekstit