A të bëj shumë hatme gjatë Ramazanit apo të lexoj më pak e me meditim?

A të bëj shumë hatme gjatë Ramazanit apo të lexoj më pak e me meditim?

“Kjo është një pyetje që u drejtohet shpesh dijetarëve dhe hoxhallarëve, sidomos në muajin e bekuar të Ramazanit, kur muslimanët i kthehen me përkushtim leximit të Librit të Allahut. Prej më shumë se dhjetë vitesh kam reflektuar shumë mbi këtë pyetje dhe e kam diskutuar me disa prej njerëzve të virtytshëm e të dijshëm. Prandaj shkrova këtë përgjigje të shkurtër, duke shpresuar se është e saktë. Thelbi i saj është ky:

 

  1. Diskutimi i dijetarëve rreth kësaj çështjeje sillet rreth asaj që është më e mira dhe më afër qëllimit të Allahut që e zbriti Kuranin, dhe qëllimit të atij mbi të cilin zbriti – Profetit ﷺ – pa e konsideruar mëkatar atë që zgjedh të bëjë shumë hatme pa meditim, nga dëshira për të shtuar leximin.

 

  1. Tekstet e Kuranit dhe Sunetit, si dhe fjalët e imamëve të Islamit, tregojnë qartë se qëllimi i zbritjes së Kuranit është përmirësimi i zemrave. Kurani së pari zbriti në zemrën e Muhamedit ﷺ:

“Sepse ai (Xhibrili) e zbriti atë (Kuranin) në zemrën tënde (Muhamed) me lejen e Allahut, si vërtetues të librave të shenjtë që zbritën para tij, si udhërrëfyes dhe përgëzim për besimtarët.” (El-Bekare: 97)

 

Kur kjo bashkohet me fjalën e Profetit ﷺ:

“Vërtet, në trup është një copë mishi; nëse ajo përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi, e nëse prishet, prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra.” (Buhariu dhe Muslimi), atëherë çështja bëhet e qartë.

 

Së këtejmi, kur një njeri i tha ibn Mesudit: “Unë i lexoj suret el-mufessal (prej sures Kaf deri tek surja Nas) në një rekat!”, ai iu përgjigj: “A si lexim të ndonjë poezie e bën atë?! Ka njerëz që e lexojnë Kuranin, por ai nuk u kalon fytit; por kur ai (Kurani) bie në zemër dhe zë vend aty, atëherë sjell dobi.” (Muslimi).

 

  1. Shumica dërrmuese e dijetarëve, të hershëm e të vonshëm, janë të mendimit se leximi me meditim dhe kuptim është më i vlefshëm, sepse realizon qëllimin e Allahut (me zbritjen e Kuranit) – kuptimin, reflektimin dhe mendimin e thellë – gjë për të cilën ka qindra ajete që nxisin.

 

Imam El-Axhurrij (v. 360 h.) thotë:

“Pak lexim (i Kuranit) me meditim dhe reflektim është më i dashur për mua sesa leximi I shumtë pa meditim e pa reflektim. Ajetet e Kuranit tregojnë për këtë, e po ashtu edhe suneti dhe thëniet imamëve të fesë.” Pastaj përcjell fjalën e Ebu Xhemres Ed-Dubeijj, i cili i tha Ibn Abbasit: “Unë lexoj shpejt, e përfundoj Kuranin për tri ditë.” Ibn Abbasi iu përgjigj: “Të lexoj suren El-Bekare në një natë me meditim dhe lexim të ngadaltë është më e dashur për mua sesa të lexoj siç thua ti.” (nga libri Ahlak Ehlil-Kur’an, fq. 169).

 

Po a ndryshon ky gjykim në Ramazan?

 

Disa dijetarë thanë po, për të shfrytëzuar sa më shumë vlerën e kohës. Të tjerë thanë se Ramazani është si çdo kohë tjetër; nuk duhet të përfundohet Kurani në më pak se tri ditë, sepse parimi është realizimi i qëllimit të zbritjes së Kuranit përmes meditimit – siç e cekëm sa më sipër. Këtë e mbështesin tekstet e përgjithshme, të cilat nuk veçojnë ndonjë kohë nga tjetra; si porosia e Profetit ﷺ drejtuar Abdullah ibn Amrit:

“Lexoje Kuranin çdo muaj.” Ai i tha: “Mundem më shumë.” Derisa në fund i tha: “Lexoje për tri ditë.” (Buhariu).

Në një transmetim tjetër: “Lexoje për shtatë ditë dhe mos shto mbi këtë.” (Muslimi).

 

Ky mendim është zgjedhja e shumë dijetarëve, ndër ta edhe shejh AbdulAziz ibn Baz, i cili tha se “Suneti nuk bën dallim mes Ramazanit dhe kohëve të tjera; besimtari nuk duhet të nxitojë gjatë leximit, por të lexojë me qetësi, ashtu siç e urdhëroi Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) Abdullah ibën Amrin: “Lexoje për shtatë ditë.” Kjo është e fundit me të cilën e urdhëroi. Po ashtu ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk e kupton Kuranin ai që e lexon në më pak se tri ditë.” Pra, nuk tha “përveç në Ramazan”. Andaj, ky kuptim nga disa nga brezat e parë të Islamit (që të lexohet në më pakse tri ditë) është një çështje që kërkon vështrim e shqyrtim. Andaj, më afër të saktës – e Allahu e di më së miri – është që besimtari t’i kushtojë vëmendje Kuranit dhe të përpiqet ta lexojë atë qartë e ngadalë, të meditojë e reflektojë rreth tij, t’i kushtojë vëmendje kuptimeve e të mos nxitojë në lexim. Gjithashtu është më mirë të mos e përfundojë leximin e tij në më pak si tri ditë. Kjo është ajo që kërkohet nga ai, qoftë edhe gjatë Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadithe.” (Mexhmu’u Fetaua ibën Baz, 11/351).

 

Nuk duhet kundërshtuar kjo me veprat e disa prej selefit, sepse parimi është ndjekja e argumentit. Mund të thuhet se ata kishin zgjedhur shtimin e hatmeve sepse ishin vazhdimisht me Kuranin gjatë vitit, prandaj kuptimet e tij ishin të pranishme në zemrat dhe mendjet e tyre, kështu që e kishin fare të lehtë t’i kuptonin ato.

 

Prandaj, atij që gjatë vitit nuk ka pjesë të rregullt nga Kurani, nuk është mirë t’i thuhet: “Shto hatmet!” Por i thuhet: “Përpiqu të kuptosh atë që lexon, lëviz zemrën me kuptimet e tij që të shfaqen, e të cilat janë të shumta falënderimi qoftë për Allahut. Edhe sikur ta përfundosh vetëm një herë, por me të ta shërosh zemrën, ta përmirësosh atë që është prishur në të dhe ta zbutësh ashpërsinë e saj, kjo është më mirë sesa shumë hatme pa ndikim në zemër e gjymtyrë.”

 

A nuk u qortuan havarixhët për leximin e Kuranit pa ndikim në zemrat e tyre?

“Ata e lexojnë Kuranin, por ai nuk u kalon fytit (nuk u arrin në zemër/nuk e kuptojnë.” (Buhariu dhe Muslimi).

 

Ndërsa për njeriun e thjeshtë, që edhe po të përpiqet nuk arrin të meditojë thellë – nëse pranojmë se ekziston një rast i tillë – atëherë ai duhet nxitur për lexim të shumtë.

 

Së fundi, kur kërkohet lexim me meditim, kjo nuk do të thotë që njeriu të nxitojë të shpërndajë (në rrejet sociale e shkrime) reflektimet e veta pa verifikim dhe kujdes. Kjo është një çështje më vete; ndërsa leximi me qetësi dhe përqendrim është diçka tjetër.”

(Shejh Umer El-Mukbil)

 

Shtesë:

Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan:

“Mendimi i saktë në këtë çështje është të thuhet: “Shpërblimi i leximit me tertil (lexim të rregullt e të bukur, pa nxitim) dhe me meditim (reflektim e përsiatje) është më i lartë në vlerë; ndërsa shpërblimi i leximit të shumtë është më i madh në numër.

Pra: i pari është si ai që jep sadaka një gur të çmuar shumë të madh ose që liron një rob me vlerë shumë të lartë. Ndërsa i dyti është si ai që jep sadaka shumë dirhemë (monedha), ose që liron një numër robërish me vlerë të ulët.” (Zad El-M’ead, 1/327-329)

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku

Madhësia e tekstit