Adhurime, vepra – Thënie (I)

Adhurime, vepra

Ez-Zerkanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i do ata që këmbëngulin në lutjet e tyre, sepse në këtë ka nënshtrim, dorëzim dhe shfaqje të nevojës për Të. Kush e shpeshton trokitjen në portë, pritet që t’i hapet. Kush i shpeshton lutjet, pritet që t’i kthehet përgjigjja.” Sherh Muvetta’ Malik.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është çështja që ta duash Allahun, por që Ai të të dojë. E Ai nuk të do derisa ta pasosh të dashurin e Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, me anën tënde të brendshme e të jashtme. E nëse nuk e ke këtë, atëherë mos u lodh!” Medarixh Es-Salikin.

Pesë namazet janë gostia e njësuesve, të cilën Zoti i botëve e përgatiti pesë herë në ditë për ata që i kaplon me mëshirën e Tij, në mënyrë që atyre të mos iu mbetet asnjë ndyrësi apo pluhur.” Hiljetu El-Eulija.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu tha “Mos e dëgjo atë, zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë.” (El-Kehf, 28). E nuk tha: “Mos e dëgjo atë, gjuhën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë”, sepse mospërfillja e vërtetë është ajo e zemrës. Për këtë arsye, përmendja e Allahut duhet të burojë nga thellësia e zemrës tënde, e jo ta përmendësh Atë vetëm me gjuhë, ndërkohë që zemrën e ke të pavëmendshme.” Sherh Sahih El-Buharij.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Dhikri më i mirë është fjala la ilahe il-lAllah, ndërsa lutja më e mirë është thënia elhamdulil-lah.” Es-Sahiha, 1497.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush gjen prehje në namazin e tij në këtë botë, do të gjejë prehje tek afërsia me Zotin e vet në botën tjetër.” El-Uabil Es-Sajjib.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Aq sa i frikohesh dikujt tjetër përveç Allahut po aq atij i jepet kontroll mbi ty, aq sa shpreson në dikë tjetër përveç Tij po aq privohesh.” El-Feuaid.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Namazi pa përulje dhe pa prani të zemrës është si një trup i vdekur e i pashpirt.” El-Uabil Es-Sajjib.

Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) thotë: “Vërtet, haxhi është një shkollë e begatë që shërben për t’i gdhendur shpirtrat, për t’i pastruar zemrat dhe për ta forcuar besimin. Nëpërmjet këtij riti madhështor dhe simboli të begatshëm, muslimanët marrin mësime të rëndësishme, këshilla të efektshme dhe dobi të mëdha në besim, adhurim e moral. Me plot të drejtë haxhi është një shkollë edukativo-fetare ku diplomojnë besimtarët e devotshëm dhe tek burimi i të cilit shuajnë etjen robërit e suksesshëm të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre.” El-Haxhxh, 27-28. Marr nga faqja zyrtare e shejhut.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e lut Allahun për diçka, atëherë patjetër duhet t’i kryesh shkaqet të cilat e mundësojnë atë gjë, sepse Ai është shumë i Urtë dhe arritjen e gjërave e ka ndërlidhur me shkaqet e tyre.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur dëshiron të japësh lëmoshë, apo të kryesh ndonjë vepër të mirë, atëherë shpejto dhe kryeje menjëherë, para se të ndërhyjë shejtani mes teje dhe saj.” Hiljetu El-Evlija.

Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “E tërë mirëqenia është te përmendja e Allahut dhe bindja ndaj Tij, E tërë fatkeqësia është te shkujdesja dhe kundërshtimi. I tërë shërimi është te kthimi tek Ai dhe pendimi.” Et-Tedhkira.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë në një hadith kudsij, të cilin e përcjell nga Zoti: “(Allahu thotë): Robi im nuk më afrohet me diçka më të dashur tek Unë sesa me gjërat që ia kam bërë obligim, dhe ai vazhdon të më afrohet me adhurime vullnetare derisa ta dua.” Buhariu.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kërkimi i ndihmës prej Allahut përmbledh dy baza: bindjen e plotë në Allahun dhe mbështetjen në Të.” Medarixh Es-Salikin.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej shkaqeve që ndihmojnë në forcimin e besimit është kryerja e shumtë e veprave të mira, ku më të rëndësishmet janë ato të obliguarat, pastaj adhurimet vullnetare.” Nurun ala Ed-Derb.

Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpeshtojeni kërkimin e faljes nga Allahu: në shtëpitë tuaja, në sofrat tuaja, në lagjet tuaja, në tregjet tuaja, në ndejat tuaja dhe kudo që të jeni, sepse ju nuk e dini kur zbret mëshira e Tij.” Xham’iu El-Ulum.

Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ditët e haxhillëkut na e kujtojnë ditën e Kiametit (ringjalljes).” Hadithu Es-Sabah.

Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtetë, veprat tuaja janë të pakta, andaj jini të sinqertë në to.” Hiljetu El-Evlija.

Mutarrif ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sikur të peshohej shpresa dhe frika e besimtarit, asnjëra nuk do të vinte më rëndë sesa tjetra.” Hiljetu El-Evlija.

Jusuf ibn Esbat (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu nuk e pranon veprën në të cilën ka dyfaqësi, qoftë dhe sa thërrmija.” Hiljetu El-Evlija.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e fal e namazin, risku do të të vijë prej nga nuk e llogarit fare.” Tefsir ibn Kethir.

“Prej gjërave më të mira që i sjellin dobi njeriut gjatë jetës dhe pas vdekjes janë: frika ndaj Allahut dhe vepra e mirë.” Raudatu El-U’kala.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dhënia e lëmoshës i ngjason luftës; frikacaku ikën, ndërsa trimi qëndron i patundur.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Adhurimi ndaj Allahut dhe kërkimi i ndihmës prej Tij janë rrugë që të shpien drejt lumturisë së përhershme dhe që të shpëtojnë nga të gjitha të këqijat.” Tejsir El-Kerim Er-Rahman.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shenja më madhështore e besimit është dashuria ndaj të mirës, lakmia në të dhe gëzimi kur e kryen atë.” Behxhetu Kulubi El-Ebrar.

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kur Allahu e nderon njeriun, e angazhon me bindje ndaj Tij.” Sherh Et-Tahauijje.

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Këmbëngulja në lutjen drejtuar Allahut duke e përsëritur zotërimin ndaj Tij: “O Zoti im (Ja Rabbi)!”, është prej shkaqeve më të rëndësishme nëpërmjet të cilave kërkohet përgjigja e lutjes.” Xhami’u El-Ulum.

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari jeton me përmendje të Allahut, vdes me përmendje të Tij dhe ringjallet me përmendje të Tij.” Letaif El-Me’arif.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk mendoj që dikush i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e braktis dërgimin e salavateve për të (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” El-Bab El-Meftuh.

Imam Sulejman ibn Hamze El-Makdisij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kurrë nuk e kam  fal ndonjë namaz të obligueshëm vetëm, përveçse dy herë, dhe më është dukur sikur të mos i kem falur kurrë ato!” Kur e tregoi këtë ishte gati nëntëdhjetë vjeçar. (Dhejl Tabekat El-Hanabile.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk ka në këtë botë kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia e dijes rreth Allahut, përmendjes së Tij dhe adhurimit ndaj Tij.” (Es-Safedijje, 2/272).

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej rregullave të përshëndetjes me selam është që ai të jetë me zë të qartë, e jo me zë të ulët duke mos e dëgjuar tjetri (të cilit i jep selam). Pra, muslimani e përshëndetë muslimanin me selam që dëgjohet dhe të qartë.” Mendhumetu Usuli El-Fikh.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush mundet të ketë një vepër të mirë të fshehtë (që nuk dinë njerëzit për të), le ta bëjë!” Es-Sahiha, 5/398.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Prej gjërave që e bëjnë të domosdoshme faljen e mëkateve janë: përhapja e selamit dhe fjalët e mira.” Es-Sahiha, 1035.

Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Në ditën e Kiametit njerëzit do të ringjallen më lakuriq se kurrë, më të uritur se kurrë, më të etur se kurrë dhe më të lodhur se kurrë.  Andaj, kush e vesh dikë për hir të Allahut, Ai i jep rroba atij, kush e ushqen dikë për hir të Allahut, Ai e ushqen atë, kush i jep ujë dikujt për hir të Allahut, Ai i jep ujë atij, kush ka vepruar për hir të Allahut, Ai bën që ai të mos ketë nevojë për askënd dhe kush fal për hir të Tij, Ai e fal atë.” Istina’u El-Ma’ruf, ibn Ebi Ed-Dunja, 70.

Shejh Sulejman Er-Ruhajlij: “Nëse njeriu nuk e shfrytëzon kohën e lirë në gjëra të dobishme, ajo e shpie drejt gjërave që e dëmtojnë dhe bëhet shkak për devijimin e tij.”, Inhirafu Esh-Shebab.

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Në Ditën e Kiametit askush s’do të mbetet me ty, përveç veprës tënde të mirë; nuk do të mbetet me ty as pasuria, as farefisi, as fëmija dhe as vëllai.” Sherh Ed-Delail.

Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) thotë: “Bamirësi nuk rrëzohet. Mirëpo, edhe nëse rrëzohet, gjen ku të mbahet.” Ujun El-Ahbar.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.” (El-Insan, 12. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ngase në durim, i cili është përmbajtja e vetes nga epshet, ka vrazhdësi dhe ngushtim (për shpirtin), Allahu i shpërbleu për këtë me butësi të mëndafshit dhe me gjerësinë e Xhenetit.” Raudatu El-Muhibbine.

Imam Ubejd ibn Umejr (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Thënia “subhanAllahi we bihamdihi” në regjistrin e veprave të besimtarit është më e mirë për të sesa t’i shndërrohen atij malet e krejt botës në ar.” Musannef ibn Ebi Shejbe.

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Përgatiti: A. O.

Madhësia e tekstit