Adhurime, vepra – Thënie (II)

Hudhejfe ibn Katade (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse i bindesh Allahut kur nuk të sheh askush, Ai do të ta përmirësojë zemrën tënde, deshe apo nuk deshe.” Sifetu Es-Safue.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu e mëshiroftë njeriun që i shfrytëzon ditët e fuqisë e të rinisë dhe shpejton drejt pendimit e kthimit tek Allahu, para se t’i mbyllet regjistri i veprave!” El-Feuakih Esh-Shehijje.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush dëshiron që Allahu t’i përgjigjet gjatë vështirësive e gjendjeve të rënda, le t’i shpeshtojë lutjet kur është në mirëqenie.” Es-Sahiha, 593.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Allahu i Madhërishëm thotë: “Unë jam me robin tim kur ai më kujton dhe i lëviz buzët duke më përmendur Mua.” Sahih Et-Tergib, 1490.

Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk i takon njeriut të tregohet i pakujdesshëm ndaj netëve dhe ditëve të vlefshme. Nëse tregtari tregohet i pakujdesshëm ndaj sezonit të fitimeve, kur do të fitojë?” Minhaxh El-Kasidin.

Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Agjëruesi duhet të shpeshtojë leximin e Kuranit me meditim e kuptim, të shpeshtojë namazet vullnetare, lëmoshat, përmendjen e Allahut, si dhe veprat e tjera që afrojnë tek Ai, gjatë natës e ditës, në mënyrë që të shfrytëzojë kohën e tij, të arrijë shumëfishimin e veprave të mira dhe ta kënaqë Krijuesin e tokës e të qiejve.” Mexhmu’u El-Fetaua.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Shpeshtojeni fjalën “La ilahe il-lAllah” para se të ndërhyhet mes jush dhe saj!” Sahih Et-Tergib, 1529.

Njëri nga brezat e parë të muslimanëve u pyet: “Përse u ligjësua agjërimi?”  dhe tha: “Që i pasuri të shijojë urinë dhe pastaj të mos e harrojë të uriturin.” Letaif El-Me’arif.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej urtësive të agjërimit është se zemra zbrazet nga çdo gjë tjetër dhe i përkushtohet reflektimit e përkujtimit të Allahut.” Mexhalis Shehri Ramadan.

O musliman! Fali pesë kohët e namazit, do të jesh mirënjohës ndaj Allahut dhe ki kujdes nga përtacia, sepse ajo është veti e mynafikëve. Fali pesë kohët e namazit, do të bëhesh shembull i mirë për familjen e shoqërinë tënde dhe do të të shkruhet shpërblim i madh e do të arrish të mira të shumta!” El-Efnan En-Nedijje.

Bishr ibn El-Harith (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Sa vendbanim i mirë është varri për atë që i është bindur Allahut.” El-Kubur, ibn Ebi Ed-Dunja.

Hafëz ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kufizimi i vazhdueshëm vetëm në faljen e farzeve dhe braktisjen e suneteve, shpie në përtaci dhe zell të dobët ndaj kryerjes së adhurimeve.” Fet’h El-Barij.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej ilaçeve më të dobishme është këmbëngulja në lutjen drejtuar Allahut.” El-Xheuab El-Kafij.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “E kam dëgjuar hoxhën e Islamit, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) të thotë: “Frika (prej Allahut) që lavdërohet është ajo që pengon nga rënia në harame (ndalesa).” Medarixh Es-Salikin.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dihet se një thënie e vetme “SubhanAllah” në regjistrin e veprave të njeriut është më e mirë sesa kjo botë dhe çdo gjë në të, sepse dynjaja me çfarë ka në të do të largohet e përfundojë, ndërkaq thënia subhanAllah dhe vepra e mirë mbesin. Allahu i Madhërishëm thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim). (El-Kehf, 46). Sherh Rijad Es-Salihin.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush e mëson gjuhën me përmendje të Allahut (dhikr), ajo do të ruhet nga fjalët e pavërteta e të kota.” El-Uabil Es-Sajjib.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Lëmosha ka ndikim të çuditshëm në largimin e llojeve të ndryshme të fatkeqësive, edhe nëse jepet nga mëkatari, apo zullumqari, madje edhe nga jobesimtari. Allahu nëpërmjet lëmoshës largon prej tyre lloje të ndryshme të fatkeqësive. Kjo është një gjë e mirënjohur në mesin e njerëzve, qofshin ata elitë apo të rëndomtë; dhe të gjithë banorët e tokës e pohojnë këtë, ngaqë e kanë provuar.” El-Uabil Es-Sajjib.

Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse njeriu shkon te dyert e pushtetarit dhe nuk e pranon brenda, le të drejtohet te shtëpitë (xhamitë) e të Gjithëmëshirshmit, sepse ato janë të hapura; le t’i falë dy rekate dhe le ta lusë Allahun për atë që ka nevojë.” Sijer A’lam En-Nubela.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur idhujtarët ishin në gjendje të rëndë dhe i luteshin Allahut, Ai iu përgjigjej. Po kur i luten besimtarët?!” Xhami’u El-Mesail.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Namazi është prehja e besimtarit dhe përgatitja ditore me të cilën bëhet gati për takimin me Allahun e Lartësuar. Për këtë arsye, ai e respekton atë dhe ia kushton vëmendjen të madhe të mundshme, ngaqë namazi është boshti i fesë dhe gjëja e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Kiametit.” Mekarim El-Ahlak.

Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Disa prej brezave të parë të muslimanëve gjatë namazit kërkonin prej Allahut të gjitha nevojat e tyre të kësaj bote, madje edhe kripen për të përgatitur brumin dhe ushqimin për kafshët.” Xhami’u El-U’lum.

 

Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pritja e largimit të vështirësisë nga Allahu është adhurim, sepse fatkeqësia nuk zgjatë përherë.” Mexhmu’u Rasail.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Veprat nuk bëhen më të vlefshme e më të mira për shkak të pamjes dhe numrit, por për shkak të asaj që është në zemrën e vepruesit të tyre.” Medarixh Es-Salikin.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej gjërave që më së shumti e shpëtojnë njeriun nga zjarri i Xhehenemit është bamirësia ndaj krijesave me pasuri e me fjalë.” Behxhetu Kulub El-Ebrar.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa më shumë që njeriu tregohet mendjemadh karshi adhurimit ndaj Allahut, aq më shumë i bën shirk Atij.” El-Ubudijje.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush mbështetet sinqerisht në Allahun për të arritur diçka, do ta arrijë atë.” Medarixh Es-Salikin.

Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu e bën shprehi përmendjen e Allahut, duke thënë: subhanAllah, elhamdulil-lah etj., atëherë kjo bëhet shkak që atij t’i largohen vështirësitë dhe t’i lehtësohen punët.” Et-Ta’lik ala El-Uabil Es-Sajjib.

Disa nga brezat e parë të muslimanëve thanë: “S’ka zbritur nga qielli diçka më e rrallë se suksesi dhe s’është ngjitur drejt tij diçka më e rrallë se sinqeriteti.” Et-Tahbir Sherh Et-Tahrir.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij!” (Al-Imran, 102) Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “T’i frikësohesh Allahut ashtu si i takon Atij do të thotë: t’i bindesh e të mos i bësh mëkat, ta përmendsh e të mos e harrosh dhe ta falënderosh e të mos ia mohosh të mirat.” Ez-Zuhd, ibn Mubarak.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në harrimin e përmendjes së Allahut ka dështim dhe shkatërrim në të dyja botët.” Zad El-Me’ad.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sinqeriteti ndaj Allahut është themeli i fesë dh shpirti i teuhidit e i adhurimit. Sinqeritet do të thotë: kur njeriu me veprat e tij ka synim Fytyrën e Allahut dhe shpërblimin e mirësinë e Tij.” El-Kaul Es-Sedid.

Malik ibn Dinari (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shenja që tregon se njeriu e do Allahun është përmendja e shpeshtë e Tij, sepse kur dikush do diçka, e përmend shpesh atë.” “Shu’abul-Iman” i Bejhekiut.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Edhe pse njerëzit thonë me gjuhët e tyre: “La ilahe il-lAllah”, shqiptimi i saj sinqerisht nga zemra ka realitet krejt tjetër.” El-Fetaua.

Esuedi (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pyeta Aishen (radijAllahu anha): “Çfarë bënte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ishte në shtëpi?” Ajo tha: “Ishte në shërbim të familjes, e kur hynte koha e namazit shkonte në xhami.” (Buhariu, 6039).

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Lum për atë që në regjistrin e veprave të tij (ditën e Gjykimit) gjen kërkim të shumtë të faljes!” (Sahih ibn Maxhe, 3818).

Dijetari Ibn Kasim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mosfalja e suneteve të rregullta të namazit tregon për fenë e dobët të njeriut.” (Hashijetu ibn Kasim ala Er-Reud.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej shenjave që tregojnë për zemër të shëndoshë është se, kur njeriu hyn në namaz, largohen prej tij brengat dhe pikëllimet e dynjasë dhe e ka shumë të vështirë të shkëputet prej tij, ngaqë në të gjen rehati dhe kënaqësi.” Igathetu El-Lehfan.

Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kërkojeni ëmbëlsinë e besimit në tri gjëra: në namaz, në dhikr (përmendje të Allahut) dhe në lexim të Kuranit. Nëse e gjeni, atëherë jeni mirë e nëse jo, dijeni se dera është mbyllur.” Tehdhib Medarixh Es-Salikin.

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Përgatiti: A. O.

Madhësia e tekstit