Ai ishte i mrekullueshëm në pamje dhe në sjellje

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu më i vlefshëm dhe më i dashur tek Allahu. Ai ka qenë njeriu i cili më së shumti e ka plotësuar dhe realizuar adhurimin ndaj Allahut. Ka qenë njeriu me moralin më të mirë, më të pastër, me shpirtin më të mirë, me sjelljen më të mrekullueshme. Ai më së shumti e më së miri e ka njohur Allahun. Allahu, me dijen e Tij të pakufishme, e ka zgjedhur atë që të jetë i Dërguari i Tij për njerëzit. E ka zgjedhur prej një familjeje me prejardhjen më të mirë e më të ndershme. Allahu e ka veçuar këtë Pejgamber me pamje të mirë dhe me sjellje të mirë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pasur pamjen më të shkëlqyer, më të mrekullueshme dhe fytyrën më të bukur. Nuk ka pasur më të bukur sesa ai. Ky Pejgamber është njeriu më i pastër, më i mirë. Vetë ai ka thënë për veten: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit.”

Allahu këtë Pejgamber e ka bërë shembull e model për të gjithë njerëzimin. Allahu thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” Ahzab 21. Imam ibn Kethiri rahimehullah kur e komenton këtë ajet thotë: “Ky ajet është bazë e parim shumë i madh sa i përket pasimit ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, në fjalët e tij, në veprat e tij dhe në gjendjet e tij.” Është e njohur se ne nuk mund ta pasojmë atë veçse duke i mësuar virtytet e tij. Vetëm kur mësojmë se si ka qenë ai, në cilësitë, virtytet dhe sjelljet e tij, atëherë mund ta ndjekim rrugën e tij dhe të kapemi pas udhëzimit të tij. Andaj, është obligative për çdo musliman/e që t’i kushtojë rëndësi të veçantë mësimit të jetës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, para jetës së çdokujt tjetër.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim nga derset.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit