Allahu thotë: “Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket vetëm Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” Isra 111.
Hamdi është cilësimi i të Lavdëruarit -Allahut me përsosmëri, me dashuri dhe madhërimin ndaj Tij. Allahu është Ai i Vetmi i Cili e meriton hamdin – lavdinë, sepse Ai është i cilësuar me cilësitë e përsosmërisë.
“i Cili nuk ka bir” – Cilësi që duhet të mohohet për Allahun. Për shkak se Ai është i përsosur në Cilësitë e Tij, në samedijen e Tij dhe në vetëmjaftueshmërinë e Tij, Ai nuk ka marrë dikë për fëmijë, nuk ka bir e as vajzë, Ai është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për askënd. Nëse do të merrte dikë për fëmijë, atëherë kjo tregon se Ai ka qenë nevojtar për të që ta ndihmojë dhe tregon për mangësinë në Cilësitë e Tij. Nëse dikush prej krijesave do t’i përngjante Krijuesit, atëherë kjo do të thotë se Ai ka mangësi.
“nuk ka ortak në pushtet” – Këtu kemi kundërpërgjigje ndaj mexhusve, idhujtarëve dhe kaderive të cilët besojnë se Allahu ka ortak. Askush nuk është pjesëmarrës me Allahun në Sundim, as në krijim e as në drejtimin e universit. Çdo gjë tjetër përveç Allahut është krijesë dhe rob i Tij.
“dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” – Allahu nuk e ka përzgjedhë dikë prej krijesave për velij ngaqë është i pafuqishëm apo ka nevojë për ndihmës. Ky është velij-u të cilin e mohon Allahu në këtë. Allahu nuk është i pafuqishëm e i dobët e që pastaj të jetë nevojtar që dikush prej krijesave të jetë mik që e ndihmon, apo e këshillon çfarë të veprojë, apo zëvendës i Tij etj. Këto gjëra ndodhin ndërmjet krijesave, të cilat kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ndërsa, Allahu është el Aziz – i Plotfuqishmi. Ai nuk është nevojtar që ta mbrojnë njerëzit.
“dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” – madhëroje me zemër (të kesh bindje se Ai është më i Madhi, më i Madhërishmi) dhe me gjuhë (thuaj Allahu ekber).
Ajo që përfitojmë nga ky ajet:
-Kur njeriu e ndjen me zemër se Allahu është i përsosur, nuk është nevojtar për askënd, se Ai njësohet me sundim dhe ka fuqi e pushtet të plotë, atëherë do ta madhërojë Atë siç e meriton.
-Kur Allahu e bën hamd Veten e Tij, me këtë e lartëson nga çdo e metë dhe mangësi, andaj edhe ne duhet ta bëjmë hamd Atë sepse Ai është i lartë nga çdo e metë dhe Ai e meriton atë (hamdin) ngaqë i takojnë Cilësitë e përsosmërisë.
-Disa dijetarë (ka ardhur edhe ether) e kanë quajtur këtë ajet: Ajeti i fuqisë – i cili tregon për Fuqinë e madh të Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.