Ajetet që i pohojnë Emrat dhe përsosurinë absolute për Allahun (4)

Allahu thotë: “Allahun e përlëvdon gjithçka, që gjendet në qiej dhe në Tokë. Atij i takon pushteti epror dhe lavdia. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë!” Tegabun 1.

Tesbih do të thotë: ta lartësosh Allahun nga çdo e metë dhe mangësi. Kjo tregon për përsosmërinë e Tij. Çdo gjë që është në qiell e në tokë e madhëron dhe e lartëson Allahun me sinqeritet të plotë, duke treguar se Ai është meritori i Vetmi. Çdo gjë në qiell e tokë dëshmon se Allahu është i përsosur në dijen, fuqinë, forcën, urtësinë dhe mëshirën e Tij dhe në drejtimin e universit.

Allahun e përlëvdon gjithçka” – Ai është i Pastër dhe i Lartësuar prej të gjitha Cilësive negative dhe çdo gjëje që nuk i shkon madhështisë së Tij.

Atij i takon pushteti epror dhe lavdia” – Atij i takon sundimi e pushteti sepse Ai është Sunduesi dhe Zotëruesi i çdo gjëje në univers. Vetëm urdhri i Tij zbatohet në univers. Askush nuk mund ta kthejë mbrapshtë urdhrin e Tij.

Në këtë ajet pohohet Sundimi absolut i Allahut, në të gjitha aspektet dhe kuptimet. Kjo tregon se Atij i takojnë Cilësitë e përsosura. Sundimi absolut i pohohet vetëm Atij i Cili është i përsosur absolut – Allahu.

Ndërsa, çdo gjë që krijesa posedon apo e zotëron, është dhuratë prej Allahut, Ai ia ka dhënë atë. Sunduesi i asaj gjëje është Allahu (qoftë ajo gjë dije, fuqi, apo diçka fizike etj.).

Ai është i Fuqishëm për çdo gjë” – prapë pohohet Fuqia e Allahut. Ai është i fuqishëm ndaj të gjitha krijesave, qofshin ato që ekzistojnë, apo nuk ekzistojnë, apo është i mundshëm ekzistimi i tyre.

Dija dhe Fuqia e Allahut janë prej Cilësive më gjithëpërfshirëse të Tij. Ndërsa, Dija është më gjithëpërfshirëse sesa Fuqia e Tij. Kjo ngase dija e Allahut përfshin edhe vetë Qenien e Allahut, Emrat e cilësitë e Tij dhe krijesat e Tij. Ai është më i dijshmi për Veten e Tij sesa të tjerët dhe është më i dijshmi për krijesat e Tij. Ndërsa, Fuqia e Allahut përfshin krijesat e Tij, por jo Qenien e Tij dhe Emrat e Cilësitë e Tij. Këtë përfundim e kanë nxjerrë dijetarët përmes logjikës së shëndoshë.

Ajo që përfitojmë nga ky ajet:

-E kemi për obligim të njohim madhështinë e Allahut dhe ta lartësojmë prej çdo të mete. Kjo do të na nxisë ta duam më shumë dhe ta madhërojmë më shumë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit