Allahu thotë: “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që (Pejgamberi) të jetë paralajmërues për botët; Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar siç duhet!” Furkan 1-2.
“I lartësuar qoftë Ai” – Folja tebareke përdoret vetëm për Allahun, nuk lejohet të thuhet për krijesat. Allahu është i Lartësuari e i madhëruari dhe Ai që u jep bereqet krijesave të Tij (kur përmendet Emri i Tij), ndërsa krijesa është e bekuar (në të vendoset bekimi e bereqeti i Allahut).
Furkan – Dalluesi është emër për Kuranin. Ai dallon të vërtetën nga e kota, muslimanin prej jomuslimanit (tregon për tiparet e tyre), të devotshmin prej mëkatarit, të dobishmet prej të dëmshmeve etj. I gjithë Kurani është dallues. Kurani është i zbritur prej Allahut (gradualisht). Ai është më i vlefshëm sesa Librat e zbritur më parë te Pejgamberët. Allahu me rastin e zbritjes së Kuranit (siç e kemi në këtë ajet) po e madhëron dhe lartëson Veten e Tij. Ai na tregon me këtë se ky Libër nuk është si Librat e tjerë, por ka vlerë më të madhe.
“robit të Vet” – Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Ky është lavdërim për të. Allahu e lavdëron atë. Niveli më i ndershëm dhe më fisnik për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem është kur Allahu e përshkruan: rob i Tij (kjo vjen në shumë ajete në Kuran). Allahu e ka zbritur Kuranin te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem “që (Pejgamberi) të jetë paralajmërues për botët”.
Pastaj Allahu thotë: “Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar siç duhet!”, të cilat janë Cilësi negative që duhet të mohohen për Allahun. Ai është i përsosur në vetëmjaftueshmërinë e Tij, Ai qëndron vetë pa qenë nevojtar për askënd, ndërsa të gjitha krijesat janë nevojtare për Allahun. Askush nuk ka mundësi të ekzistojë e të qëndrojë vetvetiu. Andaj, Allahu nuk e ka marrë askënd prej krijesave për fëmijë, sepse kjo e mohon samedijen e Tij – Cilësi e Tij që domethënë se çdo krijesë është nevojtare për Atë. Po ashtu, Allahu nuk ka ortak në këtë sundim sepse kjo e kundërshton njëshmërinë e Tij. Ai çdo gjë e ka krijuar dhe shpikur në një formë të caktuar, në formën që i përshtatet asaj gjëje. Allahu ka krijuar edhe veprat e njerëzve.
Këtu nuk hyjnë Emrat dhe Cilësitë e Allahut, ato nuk janë të krijuara, ato shkojnë bashkë me Qenien e Tij. Po ashtu nuk hyn as Kurani sepse ai është fjalë e Allahut – Cilësi e Tij dhe nuk është i krijuar.
“dhe e ka rregulluar siç duhet!” – e ka përkryer, e ka përpjesëtuar në mënyrën më të mirë.
Ajo që përfitojmë nga këto ajete:
-Sqarimi i madhështisë së Kuranit. Ai duhet të jetë referencë për njerëzimin. Nëse njeriu ka dëshirë që t’i sqarohen gjërat (e vërteta dhe e pavërteta, rruga e saktë etj.) duhet t’i kthehet Kuranit – Dalluesit.
-Forcimi e shtimi i dashurisë ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (në zemrat tona).
-Qartësimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është i Dërguar i fundit.
-Xhindët janë të ngarkuar me urdhra dhe ndalesa, si njerëzit.
-Rububija e Allahut është gjithëpërfshirëse. Çdo gjë tjetër që adhurohet është e kotë.
-Shtimi i mbështetjes tek Allahu. Ai në zemrën e të cilit vendoset besimi (se Allahut i takon Sundimi i plotë, se Ai i Vetmi vepron dhe urdhëron në univers dhe Ai sjell dobi e largon të këqijat), atëherë nuk do t’iu kushtojë rëndësi krijesave por do t’i mbështetet vetëm Allahut.
-Njerëzit edhe nëse zotërojnë diçka, nuk e zotërojnë në mënyrë të plotë.
-Ndalohet dhënia e përgjigjes pa dije. Duke qenë se vetëm Allahut i takon Sundimi i plotë dhe zotërimi i çdo gjëje, atëherë njeriut nuk i takon të japë përgjigje pa dije për gjykimet e Allahut lidhur me çështjet fetare.
-Janë shtatë qiej, dhe ato kanë vlerë më të madhe tek Allahu sesa toka.
-Allahu është i Lartësuar dhe nuk u përngjason krijesave.
-Allahu është i cilësuar me dije. Ai që krijon duhet të ketë edhe dije.
-Harmonia e përsosur që ekziston në këtë univers, tregon se Krijuesi dhe drejtuesi i tij është vetëm Një – Allahu.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.