Allahu thotë: “Andaj, mos krahasoni asnjë me Allahun (mos sillni shembuj për Atë)! Në të vërtetë, Allahu di, ndërsa ju nuk dini.” Nahl 74.
Mos thoni: Shembulli i Allahut është sikur shembulli i filan krijesës, apo është kështu e ashtu. Gjithashtu, mos i bëni Allahut ortakë në adhurim. Allahu këtu mohon për Veten e Tij që të ketë të tjerë të krahasueshëm me Atë po ashtu na tregon se Ai nuk ka ortak që meriton të adhurohet krahas Tij. Askush nuk është i ngjashëm, i barabartë apo i krahasueshëm me Atë, në Qenien, në Emrat e Cilësitë e Tij dhe në veprat e Tij. Iben Tejmije ka thënë: “Nuk lejohet të sjellim shembuj për Allahun në të cilët ka krahasime me krijesat e Tij, sepse nuk është dikush që mund të krahasohet me Atë. Përkundrazi, Atij i takon shembulli më i lartë dhe Cilësitë më të përkryera.”
Allahu e di se nuk ka të tjerë që i shëmbëllejnë dhe i përngjasojnë Atij. Kjo është prej gjërave më të mëdha që i kërkon domosdoshmërish logjika e shëndoshë. Allahu na njofton edhe në ajete të tjera se nuk ka shembull që krahasohet me Atë.
Ky ajet tregon për përsosmërinë e Cilësive të Allahut, ngase Ai nuk ka shembull apo të krahasueshëm.
Dobia që përfitojmë nga ajeti: Kur ne e kuptojmë përsosmërinë e Allahut kjo na nxitë ta madhërojmë Atë, kur e dimë se nuk ka shembull që të krahasohet Atë dhe të ngjashëm me Atë, atëherë ne do ta lidhim shpresën dhe frikën për Atë dhe do t’i mbështetemi më shumë, do të vetëdijesohemi e të bindemi se askush nuk ka mundësi të krahasohet aspak me Allahun, qoftë mbret, apo ministër, apo kryetar, apo kryeministër, sado që të kenë pushtet apo pozitë të lartë.
***
Allahu thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme (të shëmtuara), qofshin të hapëta ose të fshehta, dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka zbritur provë/argument, dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” Araf 33
“punët e pahijshme” – mëkatet shumë të shëmtuara, si: imoraliteti, homoseksualizmi, mendjemadhësia, vetëpëlqimi, kryelartësia, dashuria e madhe për pozitë etj.
“gjynahet” – në përgjithësi. Disa dijetarë thonë se është për qëllim pirja e alkoolit, sepse ai është nëna e të gjitha të këqijave.
“dhunimin pa të drejtë” – padrejtësia, shkelja e kufijve ndaj të tjerëve. Ajeti na jep shenjë se çdo padrejtësi është pa të drejtë.
“(ka ndaluar) t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka për të cilën nuk ju ka zbritur provë/argument” – Shirku ndaj Allahut është kur një prej të drejtave të Tij ia jep dikujt tjetër (idhujve, statujave etj.). Shirku është mëkati dhe padrejtësia më e madhe. Nuk ka injorancë më të madhe sesa shirku. Shirku ndahet në dy lloje:
- Shirku i madh (barazimi i Allahut me dikë tjetër në gjëra që janë të veçanta për Atë).
- Shirku i vogël (ai që nuk e arrin shkallën e shirkut të madh).
Allahu nuk ka zbritur prova e dëshmi që ua lejojnë njerëzve të bëjnë shirk, përkundrazi, Ai e ka bërë të ndaluar shirkun. Çdokush që bën shirk, nuk ka kurrfarë prove e argumenti për të.
“dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini” – qofshin fjalë rreth Qenies së Allahut, Emrave e Cilësive të Tij apo veprave dhe ligjeve të Tij. Ibën Kajim kur e komenton këtë ajet thotë: “Mos flisni gënjeshtra e shpifje për Allahun, mos thoni gjëra pa dije.” Të folurit për Allahun pa dije është origjina e të gjitha atyre të këqijave që përmenden në ajet, është burimi i tyre. Këtë gjë Allahu e ka vendosur në nivelin më të lartë të mëkateve. Në këtë ndalesë hyn dhe shtrembërimi i teksteve të Kuranit e sunetit sa i përket Cilësive të Allahut (si: kur dikush thotë se qëllimi me dy Duart e Allahut është fuqia e Tij apo mirësia që ua jep robërve të Tij). Të vetmit që kanë shpëtuar nga të folurit për Allahun pa dije, janë pasuesit e sunetit.
Allahu e ka ndaluar të folurin pa dije për Atë, qoftë kur japim përgjigje fetare, apo kur gjykojmë.
E kemi obligim t’iu largohemi këtyre pesë mëkateve që Allahu na ka ndaluar në këtë ajet.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.