Ajetet që pohojnë se Kurani është Fjalë e Allahut
Pasuesit e sunetit pohojnë e besojnë se Kurani është Fjalë e Allahut, i zbritur prej Tij, i pa krijuar, prej Allahut ka filluar dhe tek Ai do të kthehet.
Sqarim:
“Kurani është Fjalë e Allahut” – “në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut…” Teube 6.
“i zbritur prej Tij” – “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani” Bekare 185.
“i pa krijuar” – “Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi.” Araf 54. Krijimi dhe urdhërimi janë të ndryshme, dhe Kurani është prej urdhrit të Allahut, siç thotë: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë.” Shura 52. Kurani nuk është krijesë, se sikur të ishte kështu atëherë nuk do të kishte dobi kjo ndarje (mes urdhrit dhe krijimit).
“prej Allahut ka filluar” – Allahu ka folur me Kuran, me zë të cilin e ka dëgjuar Xhibrili, e ka dëgjuar direkt prej Allahut, pastaj ia ka përcjell Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, pastaj ai na ka përcjell neve (pra Xhibrili dhe i Dërguari i Allahut thjesht e kanë kumtuar Kuranin, nuk ka filluar prej tyre).
“tek Ai do të kthehet” – do të ngrehet para Kiametit nga zemrat e njerëzve dhe musafat, apo (sipas një interpretimi tjetër) do të kthehet tek Allahu si Cilësi sepse askush tjetër përveç Tij nuk cilësohet me Kuran, vetëm Ai ka folur me të dhe Kurani është Cilësi e Tij.
Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Askush prej selefit nuk ka thënë se Kurani është i krijuar dhe as nuk ka thënë se Kurani është i pafillim. Etheret që kanë ardhur prej selefit janë të shumta (mutewatir) që tregojnë se Kurani është Fjalë e Allahut.”
***
Allahu thotë: “Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut…” Teube 6.
Me pajtueshmërinë e të gjithë dijetarëve, me “fjalën e Allahut” në këtë ajet është për qëllim Kurani. Pra, në mënyrë që të ketë mundësinë të dëgjojë Kuranin kur ia lexon, të ndalet e të meditojë dhe të kuptojë realitetin e asaj në të cilën (ti o Muhamed) i thërret ata (idhujtarët). Dëgjimi i fjalëve të Allahut ka ndikim të madh. Ka shumë prej njerëzve të cilët pasi kanë dëgjuar dhe kuptuar Fjalën e Allahut – Kuranin , kjo ka qenë shkak të pranojnë Islamin.
“që të dëgjojë fjalën e Allahut…” – Ai ia atribuon Vetes, dhe kjo tregon se Kurani është fjalë e Allahut.
***
Allahu thotë: “…disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” Bekare 75.
Ky ajet ka zbritur për hebrenjtë. Allahu në fillim të ajetit thotë: “Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” Na tërheq vërejtjen të mos kemi shpresë që ata do të besojnë ndërkohë që një grup i tyre – dijetarët e tyre – të parët e tyre, i kanë dëgjuar Fjalët e Allahut dhe i kanë shtrembëruar. Zemrat e tyre janë ngurtësuar më shumë sesa gurët e fortë.
“i dëgjonin” – fjalët e Allahut të cilat ia ka thënë Musës alejhisselam dhe shtatëdhjetë personave të përzgjedhur – dijetarëve që i ka marrë me vete për të shkuar te vendi ku ia ka caktuar Allahu dhe Ai u ka folur direkt të gjithë atyre e ata i kanë dëgjuar Fjalët e Tij, e megjithatë këta shtatëdhjetë hebrenj me vetëdije të plotë i kanë shtrembëruar ato.
“i shtrembëronin” – kuptimet e tyre, duke iu dhënë interpretim tjetër prej interpretimit që kanë zbritur ato ajete. Kjo tregon për shëmtinë e veprimit dhe guximit të madh të hebrenjve kundër Allahut. Ata i kanë dëgjuar dhe kuptuar mirë fjalët e Allahut e pas kësaj i kanë shtrembëruar. Mëkati i atij që i shtrembëron ajetet për shkak të injorancës është më i lehtë sesa mëkati i atij që i shtrembëron ato pasi i ka ditur dhe kuptuar mirë.
Allahu i nënçmon ata që i shtrembërojnë ajetet dhe që i nxjerrin prej kontekstit. Kjo është metodë e hebrenjve dhe nuk i takon muslimanit.
Në ajet kemi argument se fjalët e Allahut dëgjohen dhe Ai flet me zë që dëgjohet. Fjalët e Allahut janë të vërteta.
***
Allahu thotë: “Ata do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut. Thuaju: “Ju kurrsesi nuk do të vini pas nesh, këtë e ka thënë Allahu qysh më parë!” Fet’h 15.
Ky ajet ka zbritur për disa beduinë dhe për disa të tjerë, për të cilët në fillim të ajetit thotë: “Ata që ngelën pas jush, do t’ju thonë, kur të niseni për të marrë plaçkën e luftës: “Na lejoni edhe neve që të vijmë pas jush!” Ata nuk kanë dalë të luftonin së bashku me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem në betejën e Hudejbies, por kanë preferuar të qëndronin në punët e tyre dhe shtëpitë e tyre. E pasi Allahu e ka ndihmuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem dhe sahabët të arrihet marrëveshja dhe pas kësaj ka ardhur çlirimi i Hajberit, i cili ka qenë nën zotërimin e hebrenjve, atëherë këta persona kanë dashur të kenë pjesë në plaçkën e luftës së Hajberit. Mirëpo, Allahu ka premtuar se ajo plaçkë i takon vetëm Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe atyre që kanë luftuar krahas me të, e jo atyre që nuk i janë bashkuar atij. Kjo gjë (që të kenë hise edhe ata te plaçka e luftës) nuk do të ndodhë as me kaderin e Allahut e as me ligjin e Tij, thotë: “Ju kurrsesi nuk do të vini pas nesh, këtë e ka thënë Allahu qysh më parë!” Kështu ka thënë Allahu para se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij të ktheheshin prej Hudejbijes në Medine.
***
Allahu thotë: “Dhe lexo atë që të është shpallur ty nga Libri i Zotit tënd! Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe ti nuk ke për të gjetur kurrfarë strehe, përveçse tek Ai.” Kehf 27.
Ajo që është shpallur prej Allahut te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është Kurani. Allahu ia ka atribuuar Librin Vetes së Tij, sepse Ai është i Cili ka folur me të. Allahu atë ia ka zbritur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem përmes Xhibrilit.
Allahu nganjëherë e quan “Kuran” e nganjëherë “Libër”. Allahu thotë: “Kur Ne dërguam tek ty një grup xhindesh për të dëgjuar Kuranin, ata, kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues. Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë. O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij!” Ahkaf 29-31. Në fillim të ajetit ishte: “Kuranin”, ndërsa më vonë: “Libër”. Kjo na tregon se është fjala për të njëjtën gjë në realitet.[1] Ashtu siç Kurani është Fjalë e Allahut, po ashtu edhe Libri është fjalë e Tij.
Fjalët e Allahut lexohen prej njeriut. Ajo që dëgjon është Fjalë e Allahut. Të folurit e Allahut është i përbërë prej fjalëve dhe shkronjave, andaj është i folur që lexohet ose dëgjohet.
***
Allahu thotë: “Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit, shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin…” Neml 76.
Argumenti për temën nga ky ajet është “ky Kuran u tregon” – tregimi gjithmonë bëhet me fjalë. Këtu kemi argument se Kurani është fjalë e Allahut. Kush është Ai i Cili na ka treguar ato ngjarje apo tregime? Është Allahu, “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani” Jusuf 3.
Në këtë ajet tregohet madhështia e Kuranit i cili ka përfshirë të gjithë librat e mëhershëm dhe i ka abroguar ato. Ai na ka treguar për mospajtimet që kanë ndodhur te popujt e mëhershëm, në detaje, sidomos te hebrenjtë dhe tek të krishterët.
Muslimani e ka për obligim t’i kthehet vetëm Kuranit dhe suentit në të gjitha çështjet.
[1] Kulabitë – një grup i devijuar, mendojnë se Kurani është diçka tjetër ndërsa Libri është diçka tjetër.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.