Ajetet që pohojnë se Kurani është i zbritur nga Allahu

Ajetet që pohojnë se Kurani është i zbritur nga Allahu

Kurani është zbritur prej Allahut – është Cilësi e Tij. Kuranin si Fjalë e Allahut, Xhibrili e ka dëgjuar prej Allahut dhe Ai e ka urdhëruar t’ia kumtojë atë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem.

Nivelet nëpër të cilat ka kaluar Kurani:

1.Niveli i Shkrimit – Allahu e ka shkruar Kuranin në Leuhi Mahfudh (Pllaka e ruajtur), “…ai është një Kuran i lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).” Buruxh 21-22.

2.Niveli i të shkruarit të Kuranit në musaf.

  1. Niveli i leximit dhe dëgjimit të Kuranit.

Allahu e ka quajtur Kuranin “Furkan – Dallues”, që dallon të vërtetën prej të pavërtetës, “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët…” Furkan 1.

Selefi ka bërë dallim mes leximit dhe të lexuarës. Kanë thënë: “Fjalët janë të Allahut, ndërsa zëri është i lexuesit.” Kur të lexojmë Kuran, kemi dy aspekte të ndara me njëra-tjetrën. Ka dallim mes leximit dhe asaj që lexohet, sepse leximi është vepër e njeriut – krijesë, e krijuar, dhe zëri që del prej lexuesit është krijesë. Kurse, ajo që lexohet është Fjala e Allahut – Cilësi e Tij, e pa krijuar. Allahu thotë: “Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut…” Teube 6. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ua ka lexuar atyre Fjalën e Allahut. Po ashtu, ajo që shkruhet është Fjala e Allahut – Cilësi e Tij, ndërsa fleta ku shkruhet dhe ngjyra me të cilën shkruhet, janë krijesa të Tij.

***

Allahu thotë: “Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar…” Enam 155.

“ky Libër” – për qëllim është Kurani, d.m.th. shkronjat, fjalët, kuptimet dhe domethëniet e Kuranit.

i bekuar” – dobitë e kuranit janë të shumta, në këtë jetë dhe tjetrën. Kurani është i bekuar (i bereqetshëm) sepse është shërim për sëmundjet e zemrave. Nëse njeriu e lexon Kuranin me meditim, pa dyshim se do t’ia shërojë zemrën prej çdo sëmundje, “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” Isra 82. Kurani është i bekuar për atë që e pason atë dhe punon sipas udhëzimeve të tij, sepse përmes tij njeriu përmirëson veprat e jashtme dhe të brendshme. Kurani është i bekuar sa i përket gjurmëve dhe rezultateve që sjellë në jetën e besimtarëve. Kur ata kanë vepruar sipas udhëzimeve të tij, atëherë kanë qenë prijës nëpër botë dhe u ka takuar lavdia. Kurani është i bekuar për atë që e lexon atë, sepse siç e dimë për një shkronjë kemi dhjetë shpërblime. Kurani është i bekuar me të gjitha llojet e bekimeve të cilat mund të paramendohen.

që kemi shpallur – zbritur” – Allahu pohon se Kurani ka zbritur prej Allahut. Këtu kemi argument se Kurani është Fjalë e Allahut.

***

Allahu thotë: “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut.” Hashr 21.

Malet dhe kodrat janë prej gjërave më të forta dhe të ngurta që shohim. Për këtë arsye, gurët prej të cilëve përbëhen malet e kodrat, gjithmonë merren si shembull për fortësinë – për diçka të ngurtë e të ashpër. Kur lexohet Kuran, ai zbret mbi zemrat e njerëzve, mirëpo përveç zemrave të cilat Allahu i ka mëshiruar, gjejmë se ato janë të forta e të ngurta, nuk e pranojnë Kuranin. Besimtarëve që kanë frikë Allahun, kur u lexohen dhe u zbresin ajetet mbi zemrat e tyre, atëherë pa dyshim u shtohet besim.

Besimtarët duhet të marrin mësim nga ky shembull i sjellë në Kuran. Sikur Allahu po na thotë në këtë ajet: “Çfarë është puna me ju, o njerëz, që zemrat e juaja nuk zbuten dhe nuk përulen prej frikës ndaj Meje, edhe pse ju e lexoni Kuranin, i kuptoni urdhrat dhe ndalesat e tij, megjithatë ato vazhdojnë të jenë të ngurta? Kurse nëse malit t’i shpallej ky Kuran, atëherë ai do të përulej dhe do të copëtohej.”

Në këtë ajet Allahu na nxit të shtojmë frikën ndaj Tij dhe të kemi zemra të përulura kur e dëgjojmë apo e lexojmë Kuranin. Nëse zemrat tona nuk ndikohen nga Kurani, duhet të akuzojmë veten tonë (në to ka pengesë apo sëmundje), ngase Allahu na njofton në këtë ajet se “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar”.

***

Allahu thotë: “Kur Ne zëvendësojmë një varg me një varg tjetër – e Allahu di më së miri se çfarë shpall –, ata thonë: “Ti je vetëm trillues!” Nuk është ashtu, por shumica e tyre nuk dinë. Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë (Xhibrili) nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut”. Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë e mëson një njeri!” Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.” Nahl 101-103.

Në këtë ajet përmenden disa prej dyshimeve të mosbesimtarëve, të sjella nga ithtarët e mosbesimit, për të kundërshtuar Kuranin dhe për të penguar njerëzit ta pranojnë Kuranin për Fjalë të Allahut. Në ajet Allahu sjellë dyshimet dhe u kundërpërgjigjet atyre.

Shpirti i Shenjtërisë” – Xhibrili alejhisselam. Allahu e cilëson Xhibrilin se është i pastër e besnik ngase ai nuk e ka tradhtuar Shpalljen, por e ka zbritur siç e ka urdhëruar Allahu pa lënë asgjë mangët dhe pa shtuar. Kurani ka filluar prej Allahut, Ai ka folur fillimisht me të, Xhibrili e ka dëgjuar dhe pastaj ia kumtuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe pastaj ai ia ka përcjellë umetit të tij.

Në këtë ajet kemi argumentin se Kurani është i zbritur prej Allahut – ka filluar prej Tij, dhe se Kurani nuk është i krijuar e nuk është fjalë e krijesës. Kush pretendon se Kurani është i krijuar – krijesë e Tij, ai ka mohuar.

Allahu thotë: “nga Zoti yt me të vërtetën” – Kurani është i vërtetë, por gjithashtu ka sjellë të vërtetën te njerëzit. Cila është arsyeja që Allahu e ka zbritur Kuranin me të vërtetën? Vazhdon ajeti: “për t’i forcuar ata që besojnë”. Ata që kanë besuar se të gjitha ajetet e Kuranit janë prej Allahut dhe janë të vërteta, edhe ajetet abroguese edhe të abroguara. Prej rezultateve madhështore nga zbritja e Kuranit është forcimi i besimtarëve, shtimi i besimit dhe i bindjes – të qëndrojnë fort në të vërtetën. Kur ata ndalen të përsiatin rreth Kuranit, kuptojnë se në ato abrogime ka urtësi të shumta. Kur i kuptojnë këto urtësi, u shtohet besimi e bindja edhe më shumë.

Përveç kësaj thotë: “dhe për të qenë udhërrëfyes” – fanar i cili ua ndriçon rrugën. Kurani është udhëzim për muslimanët. Besimtarët janë të cilët përfitojnë prej Kuranit.

“dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut” – Lajm i gëzueshëm për ata që veprojnë me Kuran e i dorëzohen atij. Kurani udhëton drejt rrugës përmes së cilës arrihet lumturia, në këtë botë dhe tjetrën. Besimtari duhet të gëzohet shumë nëse te vetja e tij sheh se është në rrugë të mirësisë, është i udhëzuar dhe i qëndrueshëm në rrugën e vërtetë. Ky është një lloj përgëzimi për të prej Allahut. Nëse Allahu të ka begatuar me udhëzim, të ka dhënë sukses të veprosh vepra të mira dhe të duash të mirën dhe besimtarët (njerëzit e së mirës), atëherë merre këtë si përgëzim për ty prej Allahut. Kjo është një provë se ti je prej atyre për të cilët Allahu ka shkruar dhe caktuar lumturinë.

“Ne e dimë mirë që ata thonë: “Atë e mëson një njeri!” – Ata në vazhdimësi e kanë sjellë këtë dyshim te njerëzit, që t’i pengojnë prej Kuranit dhe pranimit të së vërtetës. Madje ky dyshim ende ekziston edhe sot. Arsyeja e zbritjes së këtij ajeti është se mushrikët e Mekës kanë thënë se ky Kuran nuk është prej Zotit por është prej një personi që ka jetuar në Meke – jo arab, i cili ka ditur shkrim e lexim dhe ka lexuar në Librat e mëhershëm dhe ka ditur ngjarjet e përmendura në to. Ky njeri sipas tyre ia ka mësuar ato ngjarje Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe pastaj na thotë neve se janë prej Kuranit. Mushrikët e kanë ditur se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk di shkrim dhe lexim (të lexojë libra), dhe se duke qenë kështu është e pamundur të sjellë diçka të tillë pa i treguar dikush. Në këtë mënyrë kanë pretenduar se Kurani është fjalë e njeriut. Allahu në vazhdim të ajetit, menjëherë e asgjëson këtë shpifje: “Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve (jo arabe,  ose nuk është arabishte e pastër), kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.” Nahl 101-103.

kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe” – nuk ka kurrfarë paqartësie në të dhe ai ua sqaron njerëzve të vërtetën. Kurani ka ardhur në nivelin më të lartë të gjuhës arabe. E si ka mundësi që ai njeri i huaj i cili nuk flet arabisht ose nuk e flet gjuhën e pastër arabe, të sjellë diçka të tillë?

Allahu thotë: “Allahu di më së miri se çfarë shpall” dhe: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë (Xhibrili) nga Zoti yt me të vërtetën” kjo tregon se Kurani është Fjalë e Allahut, e zbritur prej Tij. Nuk është fjalë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, as e Xhibrilit dhe as e dikujt prej njerëzve apo engjëjve. Ky ajet është kundërpërgjigje për ata që pretendojnë se Kurani është i krijuar.

***

Kur ne e dimë se Allahu është Ai i Cili ka folur me Kuran, Krijuesi i Universit dhe Zoti i botëve, kjo pa dyshim do të na detyrojë ta madhërojmë dhe respektojmë Kuranin ngase është Fjalë e Allahut – Cilësi e Tij. Gjithashtu na detyron të zbatojmë urdhrat e Kuranit e të braktisim ndalesat e tij dhe të besojmë bindshëm në lajmet e sjella në të, për Allahun, për krijesat dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në popujt e mëhershëm dhe që do të ndodhin (në ahiret).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit