Ajetul kursij mes pohimit dhe mohimit sa i përket cilësive të Allahut

Ajetul kursij mes pohimit dhe mohimit sa i përket cilësive të Allahut

-Ajetul Kursij është ajeti më madhështor në Kuran sepse përfshin njohuritë/dijet më madhështore dhe Emrat dhe Cilësitë më të përsosura të Allahut.

-Ajeti “Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër që meriton adhurimin përveç Tij” tregon se Allahu veçohet me uluhije (se vetëm Ai meriton adhurimin). Këtu së pari mohohet se dikush meriton adhurimin- La ilahe. Pastaj pohohet se adhurimin e meriton vetëm Allahu- ilahu.

-“ të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje”-pasi përmend teuhidi (veçimi i Allahut me adhurim), Allahu sjell argumentet që tregojnë për këtë, pra Allahu është i Vetmi që meriton adhurimin sepse Ai është i Gjalli, i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje. Këtu përmenden veçoritë e Tij. Përsosmëria e jetës së Allahut kërkon që Atij t’i takojnë cilësitë e përsosura në vetë Qenien e Tij dhe të tjerat cilësi. Allahu qëndron vetvetiu (Ai është el Kajjum) dhe kjo tregon se Ai është i vetëmjaftueshëm, nuk është nevojtar për askënd dhe për asgjë, çdokush është nevojtar për Allahun, gjithashtu Ai kujdeset për çdo gjë dhe e mban atë. El Hajj përfshin të gjitha Cilësitë e përsosura të Allahut që kanë të bëjnë me Qenien e Tij. El Kajjum përfshin të gjitha cilësitë e përsosura të Allahut me të cilat vepron në univers. Allahu është i përsosur në Cilësitë e Tij, në pushtetin e Tij dhe në veprat e Tij.

-“Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi!”- Gjumi është prej cilësive të mangëta, negative, të cilat duhet të mohohen për Allahun. Çdo gjë që ndodh në univers Allahu e di dhe e mbikëqyrë atë. Atë nuk e merr dremitja dhe gjumi sepse Ai është i përsosur në Jetën e Tij dhe mbajtjen/kujdesin ndaj çdo gjëje, Atij nuk i takon të flejë dhe Ai nuk ka nevojë për gjumë e dremitje (për këtë kanë nevojë krijesat, të cilat janë të mangëta, kanë nevojë të flenë që të veprojnë).

-“Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë”- Allahu përmend/pohon sundimin e Tij gjithëpërfshirës, të plotë, vetëm Ai veçohet me këtë gjë.

– “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?” – Askush. Këtu pohohet ndërmjetësimi, mirëpo askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen e Tij (ky është njëri kusht). Kjo na jep të kuptojmë se Atij i takon sundimi dhe zotërimi i plotë.

-“Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve”- përmendet/pohohet dija e Tij gjithëpërfshirëse, e plotë, Ai di çdo gjë që ka ndodhur në të kaluarën dhe që do të ndodhë në të ardhmen, dhe këtu përfshihen veprat e Allahut dhe veprat e njerëzve.

-“kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron”- çdokush që është në qiej e në tokë nuk mund të përvetësojë diçka prej dijes së Allahut përveçse aq sa dëshiron Ai. Pra, prej dijes që ka të bëjë rreth Allahut, apo prej asaj që di Ai.

-“Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën”- tregon/pohon se pushteti i Allahut ka përfshirë çdo gjë, kursi-u e Allahut është më e madhe se qiejt e toka, i përfshin ato, është më e madhe se universi.

-“dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato”– tregon se sa e madhe dhe e përsosur është Fuqia e Allahut, çdo gjë që në tokë e qiej nuk e lodhë Atë, madje kjo për Atë është shumë e lehtë. Kjo cilësi (rëndesa që t’i ruajë ato) mohohet për Allahun

-“Ai është i Larti, Madhështori!”- I Larti në Qenien e Tij, Atij i takon Lartësia e plotë dhe absolute (Ai është lartë krijesave me Qenien e Tij, Ai është më i larti me Cilësitë e Tij dhe Ai është lart krijesave të Tij me pushtet dhe ngadhënjim). Gjithashtu Ai është zotëruesi i madhështisë, Atij i takojnë të gjitha cilësitë e madhështisë, Ai është Madhështori në Qenien e Tij, në Emrat e Cilësitë dhe veprat e Tij.

Ajtul Kursij përmban 5 Emra të Allahut dhe mbi 26 Cilësi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Akide uasitije – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit