Askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt

Parim kuranor – Askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt

Allahu thotë: “…askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt.” Isra 15. Ky parim na themelon rregullin e drejtësisë në fenë Islame. Dijetarët e njerëzit e urtë kanë argumentuar shumë me këtë ajet në librat e tyre. Secili është përgjegjës për veten e tij. Askush nuk e bartë barrën (gjynahun) e tjetrit. Personi i ngarkuar me detyrimet fetare do të shpërblehet ose do të dënohet vetëm për punët e veta. Askush nuk do t’ia marrë gjynahet, me përjashtim nëse ka qenë shkaktari i gjynahut apo i të keqes, në këtë rast është përgjegjës dhe do të ndëshkohet nëse nuk e fal Allahu. Kjo na tregon se sa e përsosur është drejtësia dhe urtësia e Allahut.

Ky parim është përmendur shumë në Kuran. Ai madje ka ekzistuar edhe te legjislacionet e tjera (të mëparshme).

Mund të shihet si problematik aludimi i këtij parimi kur lexon ajete të tjera, si: “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër” Ankebut 13, apo: “(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!” Nahl 25. Por, nuk ka kontradiktë mes tyre, sepse këto ajete tregojnë se njeriu do të bartë përgjegjësinë e gjynahut të vet dhe po ashtu nëse është bërë shkak që dikush të devijojë nga rruga e Allahut, siç është e kundërta: nëse personi bëhet shkak të udhëzohet dikush atëherë shpërblehet sa herë që ai vepron me atë që e ka këshilluar e mësuar.

Shembull praktik në Kuran është ngjarja e Jusufit alejhi selam. Kur ai ka dashur ta ndalë vëllain e tij Bunjaminin, ka përdor një “hile”, ka marrë një gotë të vet dhe e ka futur në torbën e tij në mënyrë që të akuzohet se ka vjedhur dhe të ndalet tek ai (sipas ligjit që ka qenë). Vëllezërit e tjerë të Jusufit i kanë thënë: “O ministër, ai e ka babanë shumë plak, andaj merr ndonjërin prej nesh në vend të tij! Ne po shohim se ti je bamirës”. (Jusufi) tha: “Allahu na ruajtë, si të marrim atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!” Jusuf 78-79.

Raste të aplikimit të këtij parimi

-Ka njerëz që ecin me këtë udhëzim, ata nuk kërkojnë llogari për gabimet përveçse ndaj atij personi i cili vërtetë ka gabuar apo është bërë shkak për gabimin (gjynahun), nuk e zgjerojnë rrethin e qortimeve e kritikave ndaj atyre që nuk kanë lidhje me atë gabim, qofshin të afërmit e tij (siç ndodh te dikush i cili qorton tërë farefisin e personit që i ka bërë keq), apo shoqëria e tij etj.

-Këtë parim mund ta ndërlidhim edhe me realitetin tonë, në familjet tona, shembull: kryefamiljari kthehet nga puna në shtëpi, i lodhur, i nervozuar, nga ndonjë problem në punë, dhe sheh diçka që ia prish qejfin në shtëpi dhe fillon të zmbrapsë mllefin ndaj fëmijëve e gruas, pa pasur faj, apo sheh se i është vonuar ushqimi dhe derdh zemërimin mbi fëmijët, apo sheh se një fëmijë ka bërë të keqen dhe i përfshin edhe fëmijët e tjerë në qortim etj.

-Gjithashtu, edhe mësuesi apo ai që ka të tjerët nën përgjegjësi, nuk duhet t’i bëjë fajtorë edhe të tjerët për diçka që ka ndodhur, pa pasur ata lidhje me atë gjë.

Sqarim i një keqkuptimi: Disa njerëz mund të thonë: “Pse pra Allahu kur dënon një shoqëri, dënon edhe njerëz të pafajshëm?!” Sqarimi: Kur gjynahet veprohen haptazi dhe pastaj nuk e ndalojnë të keqën njerëzit e mirë të atij vendi, qoftë me dorë, apo me fjalë, apo duke e urryer me zemër, atëherë Allahu i përfshin të gjithë me dënimin e tij.

Disa dobi që nxirren nga ky parim

-Dështimin që e ke pësuar në jetë mos ia bartë (adreso) dikujt tjetër, nëse ai nuk ka lidhje me të.

-Ti nuk je i ngarkuar me gabimet e të tjerëve, mirëpo merresh në përgjegjësi për ata persona që i ke nën kujdesin e përgjegjësinë tënde. Nëse tregohesh i shkujdesur dhe i lë të humbasin, atëherë do të merresh në llogari tek Allahu, varësisht shkujdesjes që ke pasur.

-Nuk duhet të bëhesh shkak që të tjerët të gabojnë e pastaj të thuash: “Unë jam i pastër, ngase Allahu thotë: “Askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt”. Përderisa ke qenë shkaktar, do të mbash një pjesë të përgjegjësisë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit