Bazat e ndërtimit të familjes së lumtur 3

Cilat janë këto baza të cilat familjes ia sigurojnë qetësinë dhe lumturinë? Ato të gjitha merren prej Kuranit e sunetit.

3.Përgjegjshmëria.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është çoban dhe secili është përgjegjës për kopenë e tij.” Bashkëshortët kanë përgjegjësi të mëdha e të rëndësishme, dhe kjo përgjegjësi është pjesë e amanetit me të cilin Allahu e ka ngarkuar njeriun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet Allahu në Ditën e Gjykimit do ta pyesë secilin njeri lidhur me atë që ka pasur nën përgjegjësi. Allahu do të të pyesë se si e ke ruajtur këtë amanet, a e ke ruajtur apo e ke humbur, madje do të pyetet njeriu edhe për anëtarët e shtëpisë së tij.” Secili bashkëshortë ka përgjegjësitë e veta, rolin e vet në familje, dhe ata e kanë për obligim që ta kryejnë rolin e tyre. Si burri ashtu dhe gruaja do të merren në llogari për anëtarët e familjes, se a janë kujdesur për ta, a janë përpjekur për t’i përmirësuar, a kanë qenë të vëmendshëm ndaj të drejtave të tyre, a i kanë këshilluar për fenë e Allahut etj. Allahu ka thënë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…” Tahrim 6. Nëse i kanë kryer këto përgjegjësi siç duhet le të përgëzohen me çdo të mirë, në të kundërt qysh tani duhet të fillojnë ta përmirësojnë këtë gjende. Nëse burri, bashkëshorti, ka kryer obligimet e Allahut ashtu siç duhet dhe i ka ruajtur kufijtë e Tij, po aq do ta ketë lidhjen e fortë me bashkëshorten, po aq ajo do të jetë në shërbimin e tij dhe do të kujdeset për të. Gjithashtu anasjelltas. Nëse ndodhë që në familje të ketë grindje e mosmarrëveshje, atëherë nga rrjedhë kjo? Këto gjëra vijnë nga dy anë: ose sepse bashkëshortët janë treguar të shkujdesur në ndonjërin prej obligimeve të Allahut, ose kanë kryer ndonjë gjë të ndaluar. Pa dyshim te obligimet me të cilat Allahu i ka ngarkuar, hynë të drejtat ndaj Allahut dhe të drejtat ndaj krijesave. Pra, ose kanë lënë mangët diçka në të drejtat ndaj Allahut ose ndaj krijesave, ose kanë vepruar ndonjë ndalesë. Kjo sepse mëkatet kanë ndikim të madh në prishjen e lidhjes mes bashkëshortëve dhe mes prindit e fëmijëve. Allahu thotë: “Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate.” Nisa 79. Shumë bashkëshortë pyesin se nga po vijnë problemet, pse po ndodhin këto gjëra në familjet e tyre. Andaj t’i kthehemi vetëve tona e të rishikojmë se ku i kemi defektet karshi Allahut dhe karshi krijesave të Tij. Kush ruan kufijtë e Allahut, kryen obligimet dhe largohet ndaj ndalesave të Tij, dhe ruan lidhjen me Allahun, pa dyshim se Ai, si shpërblim për këtë, do ta ruajë lidhjen mes tij dhe bashkëshortes/it dhe fëmijëve të tij.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Dersi “Ndërtimi i familjes së lumtur” – Transkriptim.

Madhësia e tekstit