Besimtari mendjemprehtë nuk duhet të mjaftohet vetëm me veprat e detyrueshme (farz), por duhet të përpiqet në shtimin e veprave të tjera vullnetare (nafile), e sidomos të shtojë dijen fetare. Andaj, është mirë që kur të zgjohesh të planifikosh një pjesë të ditës për mësimin e fesë, qoftë gjysmë ore apo një orë, qoftë në mëngjes apo në pushimin e punës në drekë (duke ngrënë bukë mund të dëgjosh një ligjëratë), apo në fund të ditës etj.
Kur të zgjohesh në mëngjes, qëllimi yt le të jetë bota tjetër. Dijetarët thonë se besimtari është mirë që në mëngjes të bëjë një lloj marrëveshje me nefsin e tij dhe t’ia caktojë disa detyra (se çfarë të veprojë gjatë ditës prej veprave, të largohet prej mëkateve etj.), ndërsa kur vjen nata ta marrë veten në llogari se a i ka përmbushur ato detyra të caktuara.
Prej gjërave më të dobishme për besimtarin është marrja e vetes në llogari, për çdo ditë, ngase në këtë mënyrë sheh gabimet e lëshimet e tij, dhe të nesërmen do të arrijë t’i korrigjojë ato.
Kur njeriu angazhohet në këtë mënyrë për ahiretin atëherë në zemrën e tij do të pakësohet dashuria apo kënaqësia ndaj jetës së kësaj bote. Sa më shumë që i përkushtohesh botës tjetër, vlera e kësaj bote bie në sytë e tu.
Ne duhet të përmirësohemi në veprat tona, dhe rrjedhimisht dashuria për këtë botë në zemrat tona bie.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live – Transkriptim.