Çfarë është besimi?
Transmetohet hadithi i gjatë nga Muslimi në të cilin tregohet se ka ardhur Xhibrili dhe e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem për fenë, duke dëshiruar t’ia mësojë atë sahabëve dhe umetit, dhe prej pyetjeve ka qenë:
“Më trego se çfarë është besimi?” Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është përgjigjur: “Besimi (imani) është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat që ka zbritur, Pejgamberët që ka dërguar, Ditën e Fundit (Ditën e Gjykimit) dhe Caktimin e Tij të mirin e të keqin.”
Imani është besimi e bindja e paluhatshme dhe pranimi plotësisht i të gjitha urdhrave me të cilët ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij (besimtari t’i besojë dhe t’i zbatojë me të brendshmen e me të jashtmen e tij). Imani është besim e bindje në zemër i cili pastaj përfshin (përmban) veprat e zemrës dhe të trupit. Me këtë kuptojmë se imani është gjithëpërfshirës, përfshinë tërë fenë. Për këtë arsye, dijetarët e selefit kur e kanë definuar imanin kanë thënë: “Imani është thënie e zemrës dhe e gjuhës. Gjithashtu është vepër e zemrës, e gjuhës dhe e gjymtyrëve. Ai është thënie, vepër dhe besim, shtohet me adhurime dhe pakësohet me mëkate.” Andaj, fjala iman përfshin çështjet e akides (besimit) të cilat i kërkon ai, gjithashtu përfshinë sjelljet, moralet dhe veprat tona.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) kur ka folur për këtë definicion të imanit, ka thënë: “Ka konsensus mes sahabëve, tabiinëve dhe dijetarëve të muslimanëve se imani është thënie, vepër dhe nijet, asnjëra nga to nuk vlen pa tjetrën.” Hasan el Basriu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk është besimi me shpresa (fantazira) të kota e stolisje (pretendim i kotë me gjuhë pa punuar me të), por besimi është ai që ka zënë vend në zemrën tënde dhe veprat e vërtetojnë atë.”
Te besimi hyn pranimi e miratimi i të gjithë Emrave të bukur dhe Cilësive të përkryera të Allahut dhe veprave që burojnë prej tyre- kjo është prej bazave më madhështore të besimit-, pranimi i të drejtave të Allahut, që është adhurimi (uluhija), se Ai është i Vetmi i Cili meriton adhurimin, me të brendshmen dhe të jashtmen tonë, pranimi i çdo gjëje të cilën na ka njoftuar e treguar Allahu dhe besimi i të gjithë Pejgamberëve të Tij, siç janë përshkruar në Kuran e sunet.
Allahu e përshkruan besimin në Kuran si një pemë, madhështore dhe e bekuar, rrënjët e së cilës janë njohuritë e dijet rreth tij. Trungu dhe degët janë ligjet e Islamit, dispozitat, veprat e mira, moralet e mira, të shoqëruara me ikhlasin (sinqeritetin për Allahun) dhe pasimin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në to. Frytet e saj janë sjellja e mirë, përmendja e Allahut, falënderimi e lavdërimi ndaj Tij, bërja dobi krijesave etj. Realiteti i kësaj peme i bie se është zbatimi i të drejtave të Allahut dhe të drejtave të krijesave.
Imani përmbledh të gjitha dispozitat e fesë, si: akiden (besimin), moralet, veprat e brendshme e të jashtme, namazin, dhikrin, frikën, mbështetjen, lëmoshën etj. Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).” Enfal 2-4. Imani është namaz, përulje gjatë faljes së tij, gjithashtu dëlirësi, fetari, largim prej gjërave të padobishme (fjalë, veprime, gjendje), ndihmë ndaj nevojtarëve e të varfërve, ndalje tek kufijtë e Allahut, zbatim e nënshtrim ndaj ligjeve të Tij, ruajtje e obligimeve, ruajtje e amaneteve të besuara dhe marrëveshjeve, largim nga ndalesat e mëkatet etj. Allahu thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim – dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve), – të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet. Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” Muminun 1-11.
Kur ky iman depërton thellë në zemër, kjo është arma më e fortë me të cilën besimtari armatoset për përballje me konfliktet e jetës (ngase jeta është një lloj konflikti) dhe me të cilën ballafaqohet ndaj tundimeve e joshjeve të kësaj jete.
Si rezultat i këtij besimi, njeriu beson bindshëm se afati i jetës së tij (exheli) është në dorën e Allahut, se çdo gjë që e godet nuk ka pasur mundësi të mos e godasë dhe çdo gjë që i ka ikur nuk ka pasur mundësi t’i vinte, se edhe nëse të gjithë njerëzit do të bëheshin bashkë për t’i sjellë ndonjë dobi (apo ta dëmtonin) nuk do të kishin mundësi ta bënin këtë përveç aq sa e ka shkruar Allahu, se furnizimi është në dorën e Tij, se askush nuk mund ta privojë prej furnizimit që ia jep Ai dhe se askush nuk mund t’ia dhurojë atë prej të cilës Ai e ka privuar prej furnizimit dhe se Allahu e sheh, e dëgjon, e di të fshehtën që bën, e di shikimin e përvjedhur të tij dhe di çfarë fsheh zemra e tij.
Lumturia është të jesh i kënaqur me atë që ta ka dhënë Allahu, andaj kur je i kënaqur pajtohesh edhe me pak. Imam Shafiu ka thënë: “Shpirti tregohet i padurueshëm kur e godet varfëria, mirëpo varfëria për të është më e mirë sesa pasuria që e bën të shkelë kufijtë e Allahut. Pasuria e shpirtit është të ketë aq sa i mjafton dhe të jetë i kënaqur; por nëse lakmon më shumë, njeriut nuk i mjafton edhe nëse i jepet tërë ajo që është mbi sipërfaqen e tokës (nuk ngopet).” Fjalë poetike: “Nëse ndonjëherë vetmohesh (nga njerëzit) mos thuaj: “Jam vetëm (të bëj gjynahun)”, por thuaj: “Mbi mua është një Mbikëqyrës (Allahu).” Mos mendo se Allahu është i pavëmendshëm ndaj teje, qoftë dhe për një çast, apo se ajo që e fsheh prej Allahut është e padukshme për të (Ai patjetër e sheh).”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.