Çfarë ndihmon në shtimin e bindjes ndaj Allahut dhe në lënien e mëkateve?

Çfarë ndihmon në shtimin e bindjes ndaj Allahut dhe në lënien e mëkateve?

⤵Përgjigjje:

?Ajo gjë që ndihmon në bindjen ndaj urdhrave të Allahut dhe largimin prej mëkateve është njohja e Allahut, meditimi rreth së drejtës që ka Ai ndaj teje, se Ai të ka krijuar dhe ti nuk ke ekzistuar, të ka dhënë jetë, të ka dhënë të mira të shumta, në shëndet, në mendje, të ka dhënë bashkëshorte e fëmijë, pasuri, ushqim etj. Allahu në Ditën e Gjykimit do të të thotë: “A nuk të martova, a nuk të dhash të hash e të pish ujë të freskët?” Këto janë mirësi, njeriu do të japë llogari se a ka qenë mirënjohës e falënderues ndaj tyre apo jo.

?Allahu nuk ka pasur nevojë të na krijojë neve. Ai është i vetëmjaftueshëm, i përsosuri, nuk ka nevojë për krijesat e Tij. Mirëpo prej Mëshirës dhe Bujarisë së Tij na ka krijuar neve dhe na ka dhënë të gjitha të mirat. Ka kërkuar pak gjëra nga ne në krahasim me të mirat që na ka dhënë. Kështu, nga 24 orë që kemi në dispozicion, ka kërkuar maksimumi 1 orë adhurim t’i kushtohet Atij (duke llogaritur abdesin dhe namazin farz). Të tjerat prej suneteve e nafileve janë nën vullnetin e njeriut nëse do të shtojë, Allahu nuk kërkon llogari për to.

?Për një orëshin adhurim dobia kthehet përsëri tek ne, Allahu nuk është nevojtar për të. Kur njeriu kthehet tek Allahu pesë herë në ditë dhe e di se ka dalë para Tij, kjo do të ndikojë pozitivisht tek ai. Prandaj namazi e ndal njeriun prej të këqijave, gjërave të pamoralshme dhe padtejtësisë ndaj të tjerëve. Muslimani nuk ka mundësi të falë namaz dhe pas tij t’iu bëjë të tjerëve padrejtësi. Nëse kjo ndodh, problemi është se ai nuk është duke e falur namazin mirë, se namazi i tij është veç me trup. Andaj dhe nuk e pengon prej mëkateve dhe gjërave të pahijshme sepse ka hyr në të veç me trup, pa zemër. E nëse falet siç na mëson Allahu, me përulje, me pëqëndrim, patjetër se do të përmirësohet dhe dëliret shpirti i njeriut. Pra edhe për këtë namaz që e fal për Allahun, dobia kthehet tek njeriu.

?Përveç kësaj në Ditën e Gjykimit do ta shpërblejë Allahu me xhenet për faljen e namazit. Mirësia fillim e mbarim është dhe i takon Allahut. Nëse njeriu ia kujton vetes këtë, kjo është prej shkaqeve që më së shumti ndihmojnë në mospasjen dembeli në kryerjen e urdhrave të Allahut dhe në ndaljen ndaj mëkateve, ngase kur i kujton të mirat e shumta të Allahut i vije turp t’ia kthejë me të keq, duke mos e madhëruar e respektuar.

?Kjo pastaj e shton edhe Dashurinë ndaj Allahut. Prej natyrës së njeriut është se kur i bën dikush mirë ai e do atë dhe kjo do të ndikojë në zemrën e tij. E si është puna kur krejt të mirat janë prej Allahut? Edhe atë i cili të ndihmon duke të dhënë një të mirë Allahu e ka dërguar. Kur njeriu e do Allahun patjetër se do t’iu bindet urdhrave të Tij ngase ai që e do dikë e dëgjon fjalën e tij dhe u bindet urdhrave të tij.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit