Cilësitë e bashkëshortes së mirë
Cilësia e parë: E bindur dhe adhuruese
فَٱلصَّـٰلِحَـٰتُ قَـٰنِتَـٰتٌ حَـٰفِظَـٰتࣱ لِّلۡغَیۡبِ بِمَا حَفِظَ ٱللَّهُۚ
Allahu thotë: ”Gra të mira janë ato që janë të bindura (ndaj Allahut dhe burrave të tyre), që ruajnë fshehtësitë (kur burrat nuk janë të pranishëm), aq sa Allahu ua mundëson t’i ruajnë.” Nisa 34.
Me fjalën قَـٰنِتَـٰتٌ – kaaniteetun është për qëllim: Janë vazhdimisht në adhurim ndaj Allahut. Kunut sipas gjuhës arabe d.m.th.: Kur dikush është i vazhdueshëm dhe këmbëngulës në adhurimin ndaj Allahut, i kushton rëndësi e kujdes kësaj, i ruan obligimet e fesë së Tij dhe nuk i ndahet adhurimit dhe përuljes ndaj Tij. Dhe të gjitha këto përfshihen te fjala “kaaniteet”.
Në këtë kuptim kanë ardhur hadithe të shumta, prej tyre: “Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin e Ramazanit, ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, ajo hyn prej cilës derë të xhenetit që dëshiron.” Ibn Hibani. Dhe: “Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin e Ramazanit, ruan nderin e saj[1] dhe i bindet burrit të saj, do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: “Hyr nga cila derë e Xhenetit që dëshiron.” Imam Ahmedi. Allahu ia premton gruas muslimane këtë shpërblim dhe mirësi të madhe, përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij. A nuk i takon gruas besimtare e cila ia do të mirën vetes së saj që të përpiqet të realizojë këto katër tipare, që përmenden në këto hadithe, dhe të mos u ndahet kurrë gjatë jetës së saj?! Nëse ajo realizon këto gjëra, atëherë premtimi për të është: “do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: “Hyr nga cila derë e Xhenetit që dëshiron”, dhe Allahu nuk e shkel premtimin e Tij.
Ky ajet na mëson se gruaja e devotshme duhet të bashkojë mes dy cilësive:
–Në raport me Zotin e saj është vazhdimisht në adhurime (jo neglizhente, apo e mangët etj.).
–Në raport me burrin e saj është ruajtëse e fshehtësive, siç ishte në ajet: حَـٰفِظَـٰتࣱ لِّلۡغَیۡبِ بِمَا حَفِظَ ٱللَّهُۚ – që ruajnë fshehtësitë (kur burrat nuk janë të pranishëm)”. Pra, ruan të drejtat e burrit të saj, kur ai nuk është i pranishëm dhe kur është i pranishëm, kjo sa i përket pasurisë së tij, (nuk ia dëmton apo shpërdoron), shtratit të tij (nuk tradhton dhe largohet nga çdo gjë që ia cenon nderin dhe ia përdhosë atë) dhe të gjitha obligimeve në raport me të.
Baza e themeli i përmirësimit të gruas është kur ajo së pari përmirëson raportin me Zotin e saj, duke u përpjekur që në mënyrën më të mirë e të bukur të adhurojë Allahun e t’i afrohet Atij në vazhdimësi. Muslimania duhet të dijë se ky përmirësim (duke u munduar të jetë besimtare e mirë dhe e devotshme), sipas këtij përshkrimi në hadith, është sekreti i lumturisë, shpëtimit dhe suksesit të saj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Te suksesi në jetën e kësaj bote përfshihet edhe jeta bashkëshortore, fëmijët e dëgjueshëm e të mirë dhe një jetë e bekuar (e bereqetshme). Prandaj, çdo prind që dëshiron mirësinë për vajzën e vet, duhet ta edukojë atë me këto cilësi apo tipare të përmendura në ajete e hadihe.
Allahu na tregon në këtë ajet se gruaja arrin ta realizojë këtë nëse Ai i jep sukses, “ بِمَا حَفِظَ ٱللَّهُۚ – aq sa ua mundëson Allahu t’i ruajnë”. Kur gruaja arrin të jetë e tillë, me këto atribute, kjo është prej ndihmës së Tij ndaj saj. Ajo nuk e arrin këtë sukses për shkak të aftësisë, zgjuarsisë apo mendjemprehtësisë së saj. Porse, e gjithë kjo është sukses prej Allahut, nuk është meritë e saj. Allahu e ka ndihmuar, ia ka lehtësuar dhe ia ka mundësuar të realizojë këtë gjë.
Cilësia e dytë: Ruajtja nga shejtani
Misioni i shejtanit është që njerëzve t’ua çrregullojë jetën, t’ua prishë fenë, apo moralin, apo raportet mes njerëzve, e sidomos raportet mes bashkëshortëve, të prishë dashurinë mes vëllezërve etj. Qëllimi i shejtanit është të bëjë shkatërrime e çrregullime në tokë. Siç ka ardhur në hadith, ai çdo ditë dërgon ushtritë e tij për të realizuar misionin e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Iblisi vendos fronin e tij mbi ujë, pastaj dërgon njësitë e tij ushtarake (për të bërë shkatërrime në tokë). Ai që arrin pozitën më të afërt tek Iblisi është ai i cili bën shkatërrimet më të mëdha në tokë (ndërmjet njerëzve). Ndonjëri prej tyre vjen tek Iblisi dhe i thotë: “Kam vepruar këtë e këtë”, e ai ia kthen: “S’ke vepruar gjë.” Vjen një tjetër e i thotë: “Nuk i jam ndarë filanit (me vesvese, cytje, fitne) derisa e kam ndarë nga gruaja e tij.” Atëherë Iblisi e afron atë dhe thotë: “Ti je ushtari i duhur (që kryen punë).” Muslimi.
Bashkëshortët duhet të jenë të vëmendshëm në këtë çështje dhe të kuptojnë mirë se kanë një armik të fshehur i cili i sheh ata, ndërsa ata nuk e shohin. Shejtani vazhdimisht u bën vesvese, cytje, kurthe e intriga, derisa të mbjellë armiqësi, ngatërresa e mospajtime mes tyre. Shejtani përdor metoda dhe rrugë të ndryshme përmes të cilave depërton te njeriu. Kanë ardhur hadithe të shumta të cilat na mësojnë se si të mbrohemi prej shejtanit, si: ta përmendim Allahun kur hyjmë e kur dalim nga shtëpia, kur martohemi, kur bëjmë marrëdhënie intime, kur hamë e pimë, kur zemërohemi etj. Në të gjitha këto situata njeriu ka nevojë të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar, që të mos e shoqërojë dhe të mos jetë afër tij. Besimtari mbrohet përmes dhikreve të bekuara të cilat kanë ardhur në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Po ashtu duke lexuar Kuran sa më shumë dhe duke u lutur me lutjet e transmetuara në sunetin profetik. Dhe pikë shumë e rëndësishme është që të jetë i vazhdueshëm e këmbëngulës dhe të mos jetë i shkujdesur në adhurimin ndaj Allahut.
Andaj, prej cilësive të gruas së mirë është se ajo gjithmonë ruhet nga kurthet e shejtanit dhe i kushton vëmendje kësaj gjëje në mënyrë që të mos bie pre e tij dhe të mos i pranojë joshjet, tundimet dhe cytjet e tij. Ajo kujdeset të mos lejojë që shejtani të hedhë vesvese në zemrën e saj. Nëse e dëgjon dhe i bindet shejtanit pastaj pasojat janë të mëdha, do të prishen raportet mes dy bashkëshortëve dhe kështu shkatërrohet familja. Siç e dimë, shumë prej familjeve dhe martesave janë shkatërruar kur anëtarët e familjes kanë dëgjuar cytjet e shejtanit. Sikur secili të kërkonte mbrojtje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar e të mos i pranonte cytjet e tij, atëherë nuk do të ndodhnin përçarje e ndasi. Përvoja e shejtanit në devijimin e njerëzve dhe përçarjes që hedh ndërmjet njerëzve, daton qysh prej kur është krijuar njeriu i parë. Anëtarët e shtëpisë muslimane kanë nevojë të mbrojnë vetët e tyre nga shejtani dhe ta largojnë atë nga shtëpia e tyre, përmes të gjitha shkaqeve që u përmenden.
[1] Kërkohet nga muslimanja që të ruajë nderin e saj, por kjo kërkohet edhe nga kujdestari i saj (që t’ia ruajë nderin vajzës duke mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet përmes të cilave depërtojnë mëkatet, shthurjet dhe të këqijat).
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

