Cili ka qenë shirku i mushrikëve?
Mushrikët kur kanë gdhendur idhuj, shtatore, figura, a e kanë pasur për qëllim t’i adhurojnë ato apo përmes tyre të arrijnë të shpirti i atij që e adhuronin në vend të Allahut? Ata nuk e kanë pasur për qëllim të adhurojnë vetë idhullin e imazhin, por të zotin e atij idhulli e imazhi. Ky idhull ka qenë thjeshtë si rrugë që i ka afruar deri te shpirti i atij imazhi që është i vendosur në këtë idhull. Kur e kanë adhuruar një idhull (shtatore, figurë, pikturë) kanë besuar që shpirti i personifikuar në të, zbret afër a rreth tij dhe pastaj ai ndërmjetëson për ta tek Allahu, pra nevojat, dëshirat, shpresat e kërkesat përmes atij shpirti i dërgojnë tek Allahu dhe Ai u përgjigjet. Qëllimi i tyre nuk ka qenë adhurimi i atij idhulli si gur apo si dru, porse kanë pretenduar se ky idhull ka (personifikuar) një shpirt.
Këta mushrikë nuk kanë qenë njerëz pa adhurime (ibadete), përkundrazi kanë bërë adhurime të shumta ndaj Allahut. Njerëzit e xhahiljetit kanë bërë shumë adhurime, si: agjërim, formë të namazit, lutje, haxh, zekat, lëmoshë, mbajtje të lidhjeve farefisnore, therje të kurbanit, tawaf, itikaf në Qabe, dhikër, pastrim nga xhunubllëku dhe menstruacionet, kanë thënë mashaAllah etj. Mushrikët e xhahiljetit (tek të cilët është dërguar Muhamedi salAllahu alejhi ue selem) nuk e kanë njësuar Allahun vetëm në rububije (se Allahu është Krijuesi, furnizuesi, drejtuesi i universit, Ai që jep jetë e vdekje etj.), por krahas kësaj kanë kryer edhe adhurime të shumta. Mirëpo, edhe pse kanë besuar dhe kanë bërë adhurime, nuk janë llogaritur muslimanë, madje Allahu e ka dërguar Muhamedin salAllahu alejhi ue selem tek ta që t’i thërrasë në teuhid, në njësimin e Allahut me adhurim.
Çfarë shirku kanë bërë dhe pse janë llogaritur mushrikë (idhujtarë)? Pamë se e kanë njësuar Allahun në rububije (në zotërim), por kjo nuk i ka bërë muslimanë. Kuptuam se kanë bërë adhurime të shumta, e kjo nuk i ka bërë muslimanë. Gjëja që ka qenë pengesë për t’u llogaritur muslimanë është se ata e kanë adhuruar Allahun dhe bashkë me Atë dhe krahas Tij kanë adhuruar edhe të tjerë, pra nuk e kanë veçuar Allahun me adhurim, mirëpo një pjesë të adhurimeve ia kanë afruar edhe idhujve të gdhendur në formën e besimtarëve të devotshëm. Ata nuk kanë besuar se idhujt e tyre krijojnë bashkë me Allahun, apo furnizojnë në mënyrë të pavarur prej Allahut, “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. Junus 31. Atëherë pse u janë lutur idhujve dhe kanë kërkuar prej tyre furnizim dhe të tjera? Përgjigja është se idhujt të cilët i kanë adhuruar i kanë marrë ndërmjetës mes tyre dhe Allahut kur kanë kërkuar të mira dhe rrizk prej Tij. Ata i janë drejtuar atyre me adhurime, janë afruar tek ta me lloje të ndryshme të adhurimeve, dhe kanë besuar se shpirti që personifikonte/pasqyronte idhullin ka pozitë të lartë tek Allahu e pastaj ka mundësi që kur t’i afrohen me adhurime (për shkak të këtyre adhurimeve), ai zbret dhe kërkesat e tyre i dërgon tek Allahu. E nuk kanë kërkuar prej vetë idhullit furnizim, apo jetë, apo fëmijë etj., mirëpo synimi i adhurimit ndaj tyre ka qenë ndërmjetësimi mes tyre dhe Allahut. Secili ndër ta ka pasur në shtëpi një idhull, një figurë, një gjë, të cilën e ka adhuruar. Me adhurimin që ua kanë bërë idhujve, kanë synuar/kërkuar të afrohen tek Allahu dhe që të ndërmjetësojnë për ta tek Ai. Ajo që duhet të merret parasysh është teuhidi, e jo bërja haxh apo jo, dhënia lëmoshë apo jo, dhikri i shumtë apo jo etj., gjëra të cilat nuk janë provë për të gjykuar për dikë se e njëson Allahun apo jo. Shumë njerëz për dikë që e përmend shumë Allahun, apo lexon Kuran, apo jep lëmoshë, apo shkon në xhami, pretendojnë se është musliman edhe nëse e adhuron dikë tjetër përveç Allahut. Këto vepra e dispozita vijnë pasi njeriu e realizon teuhidin dhe largohet prej shirkut. Nëse nuk ka teuhid në zemër e vepra, ato adhurime nuk i pranohen. Qëllimi i adhurimeve tona duhet të jetë njësimi i Allahut, e jo thjesht adhurime e që edhe nëse bën shirk je prapë musliman.
Çdokush që e mëson teuhidin dhe ua shpjegon të tjerëve, duhet që zgjerohet dhe pajiset sa më shumë me dije rreth fesë në të cilën kanë qenë arabët e xhahiljetit (periudhës para Islame). Kjo njohuri do t’ia sqarojë edhe më shumë vlerën e teuhidit dhe realitetin e shirkut.
Njeriut nuk i bën dobi teuhidi rububije përderisa nuk beson bindshëm me zemrën e tij se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet, pra të besojë në Allahun dhe të mohojë ata që adhurohen në vend të Tij.
Në përgjithësi shirku i të gjithë paganëve është ndarë në dy lloje: 1) shirku përmes shpirtrave të yjeve dhe planetëve (kanë pretenduar se ato e udhëheqin kozmosin apo kanë ndikim në të, në jetën e njerëzve, në ngjarjet që ndodhin në tokë etj.), e pastaj u kanë ndërtuar idhuj, figura, shtatore, dhe kanë besuar që nëse i adhurojnë atëherë shpirtrat e tyre (yjeve) zbresin afër këtyre idhujve, i pranojnë adhurimet dhe pastaj ua dërgojnë Allahut kërkesat e tyre; 2) shirku përmes shpirtrave të njerëzve dhe varreve (kanë pretenduar se nëse u luten në vend të Allahut idhujve të gdhendur në formën e atyre të vdekurve, siç sqaruam më lart, atëherë ata (idhuj) kanë lidhje direkte me shpirtrat e tyre (të vdekurve) dhe u bëjnë dobi dhe ua largojnë të këqijat.
Shembuj të ndërmjetësimit: rasti i engjëjve, i Latit, i Isës dhe nënsës së tij. Sa i përket engjëjve, një pjesë e arabëve dhe e joarabëve (mushrikët e parë), kanë pasur besimin se engjëjt janë vajza të Allahut të Lartësuar dhe se shpirtrat e tyre janë të shpërndarë nëpër kozmos, andaj nëse kërkon prej tyre të përgjigjen. Ata nuk u kanë gdhendur idhuj, figura, shtatore, siç kanë bërë me yjet a planetët, apo me njerëzit e devotshëm të vdekur, ngase kanë besuar se shpirtrat e engjëjve janë të shpërndarë në univers dhe është shumë e lehtë të lidhen me ta pa u ndërtuar diçka apo pa iu gdhendur që t’iu drejtohen me adhurime, thjesht i adhuron e u lutesh dhe ata përgjigjen. Porse në realitet, ata që u janë përgjigjur atyre kanë qenë xhindet (e jo engjëjt), me mundësinë që ua ka dhënë Allahu u kanë ndihmuar (me lejen e Allahut). Ky ishte një mashtrim i xhindëve, lojë e tyre. Allahu thotë: “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?” Ata do të thonë: “Qofsh i lavdëruar Ti, o Zoti ynë! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata. Ata adhuronin xhindet dhe shumica e mohuesve u besonin atyre.” Sebe 40-41. Pra, ata që i kanë hedhur njerëzit në shirk janë shejtanët. Kur u kanë afruar ndihmë xhindët, janë lidhur edhe më shumë me zemër për engjëjt, kanë shtuar bindjen dhe besimin se engjëjt janë vajzat e Allahut e na ndihmojnë dhe se lejohet t’iu lutemi atyre e t’i adhurojmë në vend të Allahut. Adhurimi ndaj engjëjve ka qenë prezent në kohën paraislame. Shkaku i shirkut të mushrikëve përmes engjëjve është se kanë besuar se ata janë shpirtra të pastër e duke qenë të tillë kanë besuar se janë rrugë përmes së cilës afrohen tek Allahu. Mirëpo, realiteti i këtij adhurimi, ka qenë se ata kanë adhuruar xhindet; nuk kanë qenë engjëjt ata që u janë përgjigjur lutjeve të tyre, por kanë qenë shejtanët, të cilët i kanë devijuar prej rrugës së saktë.
Edhe tek ata që janë lidhur me njerëzit e devotshëm të vdekur ka ndodhur po e njëjta. Kur kanë adhuruar Latin, apo Uzanë dhe të tjerët, u janë drejtuar me lutje të ndryshme, atëherë shejtani u ka dal në formën e tyre, apo ka folur me zërin e të vdekurit, ndërsa njerëzit kanë menduar se po e dëgjojnë zërin e tij (të vdekurit) dhe se ka mundësi t’i përgjigjet e ta ndihmojë (dhe janë lidhur edhe më shumë). Çdo lloj shirku që ka ndodhur te njerëzit është i ngjashëm, nuk ka dallim mes shirkut të mushrikëve të xhahiljetit përmes engjëjve dhe shirkut përmes të vdekurve dhe shirkut përmes shpirtrave të yjeve e planetëve. Realiteti është një: lidhja për të tjerë përveç Allahut, për shpirtra që nuk janë prezent, janë lidhur me zemër për ta, u janë mbështetur dhe i kanë adhuruar. Sidomos lidhja është shtuar edhe më shumë kur shejtanët u kanë kthyer përgjigje (kanë imituar zërin) apo i kanë ndihmuar. Kjo është një sprovë për njerëzit. Lidhja për gjëra të fshehta, jo prezente, bëhet shkak i madh për devijimin e njeriut nga rruga e Allahut. Është mësa e njohur që njeriu i vdekur nuk mund t’i flasë njeriut të gjallë, kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Mushkrikët (edhe pse kanë besuar teuhidin rububije) janë konsideruar mushrikë sepse kanë besuar se edhe dikush tjetër përveç Allahut ka mundësi t’u ndihmojë, sepse i janë afruar dikujt tjetër përveç Allahut me lloje të ndryshme të adhurimeve ashtu siç i afrohen Atij, sepse kanë besuar në emrat e figurat (statujat, idhujt) e atyre që i kanë adhuruar në vend të Allahut dhe se shpirtrat e tyre (të pastër) kanë pozitë të lartë e të madhe tek Allahu. Teuhidi të cilin e kanë refuzuar dhe mohuar mushrikët e Mekës, ka qenë teuhidi i adhurimit (teuhidi uluhije), nuk e kanë adhuruar Allahun të vetëm, nuk e kanë njësuar/veçuar me adhurime, nuk i janë drejtuar me adhurime dhe lutje vetëm Atij, nuk kanë kërkuar ndihmë dhe shpëtim vetëm prej Allahut etj. Ata e kanë lutur Allahun ditë e natë, mirëpo krahas Atij kanë lutur edhe të tjerë, kanë therë kurban për Allahun dhe kanë therë edhe për të tjerë, janë zotuar edhe për të tjerë, kanë kërkuar shpëtim e ndihmë edhe prej të tjerëve krahas Allahut (si: prej shpirtrave të engjëjve, apo të xhindëve, apo të njerëzve të mirë, apo të Pejgamberëve). Pra, me këtë kanë bërë shirk, adhurimin e kanë ndarë mes Allahut dhe të tjerëve. Andaj, kush i bën shirk të madh Allahut, veprat e tij asgjësohen dhe nuk i pranohen, nëse vdes në këtë gjendje, edhe pse falet apo agjëron. Allahu i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, njeriut më të mirë, më të zgjedhur: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” Zumer 65. Dhe nuk ka dikush që ka bërë vepra më shumë sesa ai, prej fillimit të njerëzimit deri në ditën e fundit. Kështu i thotë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen”, e si është gjendja me ata janë nën të për nga pozita?!
Mushkrikët nuk i kanë parë engjëjt, por kanë pasur besim për ta se janë shpirtra të pastër, të mirë, të devotshëm, që nuk e kundërshtojnë Allahun, i binden Atij, nuk veprojnë mëkate, dhe se kanë pozitë afër Allahut, pozitë më të lartë sesa njerëzit të cilët veprojnë mëkate, prandaj kanë besuar se kur njeriu mëkatar do që të afrohet tek Allahu duke qenë në këtë gjendje, ndjen një dobësi, si t’i afrohet Atij duke qenë i mbushur me mëkate, andaj duhet marr dikë si ndërmjetës që e afron tek Allahu, dikë që është shpirt i pastër, dhe i kanë marr engjëjt ndërmjetës mes tyre dhe Allahut.
Nëse kthehemi tek të krishterët dhe shohim se pse e kanë lutur Isën dhe nënën e tij, apo patriarkët e tyre, pse u kanë kërkuar ndihmë, pse u kanë gdhendur ikona e figura, pse i kanë marrë ndërmjetës? Apo Jehudët, pse kanë adhuruar Uzejrin dhe të tjerë? Apo populli i Nuhut, pse kanë adhuruar shpirtrat e njerëzve të devotshëm? Apo populli i Ibrahimit, pse kanë adhuruar statujat e idhujt? Dhe gjejmë se tek të gjithë mushrikët nëpër kohë, ka ekzistuar e njëjta gjë, pra: kanë besuar se ata janë shpirtra të pastër, të mirë, të devotshëm, pa mëkate, dhe se kanë pozitë të lartë tek Allahu. Sqarim: me pajtueshmërinë e të gjithë dijetarëve, engjëjt janë shpirtra të pastër, askush nuk e konsiston këtë, dhe se kanë pozitë të lartë tek Allahu, “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues!” Gafir 7. E megjithëkëtë, është shirk të adhurohen engjëjt, “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?” Ata do të thonë: “Qofsh i lavdëruar Ti, o Zoti ynë! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata. Ata adhuronin xhindet dhe shumica e mohuesve u besonin atyre.” Sebe 40-41.
Arsyeja se pse i kanë marrë për të adhuruar në vend të Allahut, ishte tejkalimi në lavdërimin dhe madhërimin e tyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na sqaron këtë kur thotë: “Mos e teproni në lavdërimin ndaj meje, siç e tepruan të krishterët në lavdërimin ndaj Isës, birit të Merjemes, ngase unë jam vetëm rob, andaj thoni: Rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij!” Edhe Isa kështu u ka thënë ndjekësve të tij, “…vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj!” Maide 72. E njëjta gjë ka ndodhur edhe te umeti jonë siç ka ndodhur me të krishterët ndaj Isës alejhi ue selem. Pra, qëllimi është se kanë besuar se të devotshmit e vdekur kanë pozitë të lartë tek Allahu (e Ai nuk e refuzon kërkesën e tyre), andaj lejohet t’i adhurojnë e t’i marrin ndërmjetës mes tyre dhe Allahut. Shirku i ndodhur te popujt e mëhershëm (prej popullit të Nuhut e më tej) ka qenë sepse i kanë tejkaluar kufijtë në respektimin ndaj krijesave të mira të Allahut, si: ndaj engjëjve, Pejgamberëve, njerëzve të devotshëm. Ata kanë besuar se nëse i adhurojnë, u afrohen me adhurime të ndryshme, atëherë do të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu (lutjet e kërkesat që kanë i dërgojnë tek Ai).
Shkaku se pse janë adhuruar engjëjt, është sepse kanë besuar siç thamë se janë shpirtra të pastër, të devotshëm dhe se kanë pozitë të lartë tek Allahu, ndërsa qëllimi/synimi i tyre ishte që engjëjt të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu. Ata nuk kanë besuar se engjëjt, në mënyrë të pavarur prej Allahut, kanë aftësi për t’iu përgjigjur lutjeve të tyre e t’ua japin atë që u kërkojnë. Mirëpo, kanë besuar se engjëjt për shkak të pastërtisë së tyre (krijesa pa mëkate dhe me pozitë të lartë) ndërmjetësojnë për ta tek Allahu dhe për shkak të pozitës së lartë që kanë tek Allahu, Ai nuk ua kthen mbrapsht engjëjve kërkesat për ta. Nuk është kusht i shirkut që të besosh se ke dobi prej engjëjve në mënyrë të pavarur prej Allahut. Shumë mushkrikë sot pretendojnë e thonë se nuk i lusim të vdekurit me besimin se mund të na bëjnë dobi në mënyrë të pavarur prej Allahut (se kanë në dorë diçka në këtë univers, mund të japin furnizim dhe të tjera), por i adhurojmë sepse kanë pozitë tek Allahu dhe që të ndërmjetësojnë për ne tek Ai, e Ai nuk ua refuzon kërkesën. Allahu thotë: “Ditën, kur do t’i tubojë të gjithë, do t’u thotë engjëjve: “Vallë, këta juve ju adhuronin?” Na tregon se ata i kanë adhuruar engjëjt në vend të Allahut kur i kanë marrë ndërmjetës mes tyre dhe Atij. Ata kanë kërkuar kënaqësinë e Allahut (si të gjithë të tjerët që e besojnë Atë), mirëpo nuk kërkohet kënaqësia e Tij veçse me rrugë e mjete të ligjësuara (lejuara) prej Tij. Adhurimi ndaj engjëjve dhe njerëzve të devotshëm nuk është rrugë përmes së cilës njeriu arrin/fiton kënaqësinë e Allahut. Vendosja e tyre për ndërmjetës mes tyre dhe Allahut është arsyeja pse Ai ka gjykuar për ta se janë mushrikë. Allahu thotë: “Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij (i adhurojnë në vend të Allahut), duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Zumer 3, pra i kanë marrë për ndërmjetës. Kush e adhuron Allahun apo kërkon dhe e lut Atë përmes dikujt tjetër, përmes një krijese (përmes së cilës kërkon të afrohet tek Ai), kjo është shirk. Kush kërkon afrim tek Allahu përmes dikujt (e merr ndërmjetës) le të dijë se për shkak të këtij besimi, Allahu i ka llogaritur mushrikë kurejshët e Mekës tek të cilët është dërguar Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfush shubuhat.